25/10/2026
📌 Dogana në 1 Javë | Përmbledhje e aktiviteteve kryesore
🔹 Në kuadër të dialogut të vazhdueshëm mes Administratës Doganore dhe biznesit, me fokus zgjidhjen e problematikave dhe trajtimin e ankesave e kërkesave të drejta të sipërmarrjeve dhe qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me agjencitë doganore të Durrësit, ku bëri me dije se është zgjidhur problematika lidhur me skanimin e dyfishtë të hyrjes dhe daljes në magazinat doganore, pasi tashmë skanimi do të jetë vetëm në hyrjen e mallrave.
🔹 Inaugurohen mjediset e rikonstruktuara të Degës Doganore të Durrësit, pas investimit të realizuar për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së punës. Ky investim do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit të Administratës Doganore ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë.
🔹 Ekspertët e UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin) prezantuan pranë Administratës Doganore Shqiptare dhe AKSHI-t zhvillimin e Sistemit të Automatizuar të Eksporteve (AES), moduli i parë që do të testohet në sistemin e ri doganor ASY5 EU. Ky zhvillim është pjesë e Strategjisë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor Shqiptar me ato të Bashkimit Evropian, për periudhën 2025–2030.
🔹 Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me agjencitë doganore të Tiranës në serinë e tryezave periodike informuese dhe lehtësuese për nxitjen e ndërveprimit, me synimin për të zgjidhur brenda kufijve të ligjit çdo ankesë apo kërkesë të drejtë të biznesit dhe agjencive doganore, si ndërmjetës mes operatorëve ekonomikë, qytetarëve dhe sistemit doganor.
🔹 Administrata Doganore publikoi të dhënat mbi të ardhurat në 9 muajt e parë të vitit 2026, duke dëshmuar konsolidimin e performancës pozitive dhe duke arritur të grumbullojë në periudhën janar-shtator 2026 rreth 186 miliardë lekë të ardhura, me një rritje të ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krahasim me 9-mujorin e parë të vitit 2025 janë arkëtuar rreth 7,2 miliardë lekë më shumë (104%).