LRE - Rinisja

Website

LRE - Rinisja www.rinisje.com

www.newsetika.al

LRE - Rinisja

Kjo është faqja zyrtare e LRE Lëvizja Rinisje

21/10/2026

Rinisja jonë🇦🇱🫶🙏

21/10/2026

A***n Galdini

19/10/2026

Tju bëj një pyetje?

A e dini që deri sot, i pari e krejt i vetmi njeri, i vetmi zë qartazi kundër dhunës, vendosmërisht kundër dhunës që ditën e parë që nisi kam qenë unë?

A e dini që derisot askush nuk guxonte të pipëtinte kundër dhunës, sepse menjëherë bëheshin target kërcënimesh, linçimesh, sharjesh e mallkimesh lumë në rrjete sociale por edhe në jetën reale?

Unë isha i vetmi, krejt i vetmi që fola me video e me tekste, qartazi kundër dhunës, vendosmërisht kundër dhunës.

Edhe Rinisja ishte e mbetet e vetmja parti politike e djathtë dhe opozitare që ka një deklaratë zyrtare kundër dhunës.

Edhe pse nuk i kam publikuar, edhe mund ti publikoj nëse nevojitet, por messengeri im e rrjetet e mia sociale dhe telefoni im janë mbushur me kërcënime për vrasje, gjakosje, linçim, ndëshkim, e gjithëfarësoj marrëzie e skizofrenie nga qindra adresa fallco e numra telefoni të huaj…

Edhe pse kam qenë edhe në javën më të vështirë të jetës sime për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në Milano, e cila mund të ishte edhe fatale, a me siguri ishte tepër delikate, nuk heshta asnjë sekondë së foluri e shkruari, sa herë kisha mundësi, kundër dhunës…

Por shiheni në sy realitetin e mendoni e reflektoni që të kuptoni…

Arlekini, Kllouni, Edi Rama del e deklaron edhe sot, se askush nuk e ka dënuar dhunën, e askush nuk është diatancuar nga dhuna…

Maskara..

Kush ta jep të drejtën të thuash: Askush?

Kush je ti që përcakton, cili zë duhet të dëgjohet e lexohet e kush jo?

Maskara Kryeministër.

Kam folur e shkruar unë, o maskara.

Por ju, doni vetëm “Elitat tuaja” të “Grykës së Gërrnetës”…

O maskara…

Ju e tuajtë, i mbroni me Polici e Gardë, o maskara…

Ju tuajtë, i keni bërë milionerë e miliarderë duke vjedhur paratë e shqiptarëve, o maskara, e ata nuk ecin në rrugët e Tiranës, sepse jetojnë në Vila e Lagje Ekskluzive, nën mbrojtje e larg qytetarëve.

Ndërsa unë, eci në këmbë, jetoj mes qytetarëve, e jeta ime është e ekspozuar e nën rrezikun e çdo lunatiku, idioti, militanti e kokëboshi të këtij qyteti, o maskara…

Por ju jeni bashkë…

Ju edhe kur luftoni me zjarr e gurë, edhe kur luftoni me pushkë e gjak, juve prapëseprapë, amplifikoni e bëni të zëshëm e të dukshëm, mediatikë e të mbrojtshëm vetëm “tuajtë” , o maskara…

Unë e di që shpërfillja juaj e përbashkët, moskonsiderimi juaj i përbashkët, asgjësimi i zërave dhe elzistencave si unë, gjithçka që bëni ju së bashku “Të Majtë”, e “Të djathtë”, Qeveri e Opozitë, Ju Klubi i Plaçkaxhinjve, ju “Elitat e Grykës së Gërrnetës, e di që “mohimi mediatik”, dënimi me harresë, është strategjia juaj për të shuar çdo zë e alternativë që ka nder, vlerë e moral e dije e aftësi për tju sfiduar e mundur juve..

E di mirë këtë, sepse kam 20 vjet që e vuaj në kurriz.

E di se kam 20 vite që “milicitë virtuale të vrerit” edhe ato të PS, edhe ato të PD, edhe ato të kujtdo që del në skenë sipas rastit e radhës, të gjithë më mallkojnë, shajnë, masakrojnë, kërcënojnë, e unë jam i detyruar ti duroj e përballoj e tejkaloj i vetëm.

Vetmia ime e bën edhe shumë më të vështirë qëndresën time, sepse mosnjohja, terri e harresa ku më keni zhytur ju, ma vështirëson pafund komunikimin me njerëzit, e shpesh herë padrejtësisht më shajnë, mallkojnë e kërcënojnë e keqkuptojnë e keqinterpretojnë edhe njerëz që janë si unë, e që duhet të jenë me mua sepse shpesh e mendojmë njëlloj..

Por ti o maskara, ti o Kryeministër maskara, ta dish mirë…

Unë nuk jam kundër dhunës për ty.

Nuk jam kundër dhunës sepse më dhimbsesh ti apo sepse dua të të j*p kohë e mundësi shpëtimi ty…

Jo or jo.

Unë jam kundër dhunës, sepse jam shqiptarist, sepse jam atdhetar, sepse jam kombetarist, sepse dua Shqipërinë, e sepse jam i djathtë…

Edhe sikur e gjithë bota të jetë kundër meje, unë prapëseprapë do të qëndroj i vendosur kundër dhunës, po aq fort sa edhe kundër Edi Ramës.

Pikë

E drejta për të mos u nënshtruar!Kundër dhunës, kundër hipokrizisë, kundër Edi RamësNga A***n GaldiniDisa të vërteta duh...
17/10/2026

E drejta për të mos u nënshtruar!

Kundër dhunës, kundër hipokrizisë, kundër Edi Ramës

Nga A***n Galdini

Disa të vërteta duhen thënë.

Sidomos kur prej nesh kërkohet të heshtim që të mos u prishim të tjerëve bindjen se po bëjnë histori.

Liria e fjalës nuk është vetëm për ata që mbushin sheshin.

Është edhe për njeriun që, përballë shesh*t, thotë, nuk jam dakord.

Unë kërkoj largimin e Edi Ramës.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të pranoj dhunën apo t’u bindem organizatorëve të protestës.

Si e kundërshtoj Ramën, e vendos vetë, sipas parimeve dhe bindjeve të mia.

As dhuna, as e drejta për të protestuar, as besimi dhe sakrifica e atyre që kanë zgjedhur revolucionin nuk mund të na detyrojnë të kafshojmë gjuhën, të hamë fjalët, të mohojmë bindjet e të vetëmohohemi.

E drejta e tyre për të besuar në revolucion nuk e shfuqizon të drejtën tonë për të mos besuar në të.

Këto ditë kam parë, dëgjuar e lexuar arsyetimin me të cilin mbrohet përshkallëzimi i Flamingove, 140 ditë protestë paqësore, zë i padëgjuar, shpërfillje e bullizim, pastaj, dhuna si përfundim i natyrshëm.

Nuk na dëgjuan kur ishim paqësorë, prandaj mbërritëm këtu.

Na bullizuan kur ishim paqësorë, prandaj mbërritëm këtu.

Edhe një protestuese e cituar nga Reuters më 16 tetor e lidhi gjendjen e tanishme me 140 ditët e mosdëgjimit.

Pyetja ime për Ramën mbetet, përse nuk dëgjoi?

Rama dhe arroganca e tij mund të meritojnë gjithçka.

E megjithatë, pyetja ime për ju është po aq e prerë, përse mosdëgjimi i tij duhet të bëhet detyrimi im për të pranuar mjetet tuaja?

Qeveria duhet të dëgjojë dhe të j*pë përgjigje.

Shoqëria nuk ka detyrim t’ju ndjekë.

Njeriu që ka qëndruar në protestë, ka dhënë kohën e vetë dhe është përballur me shpërfilljen nuk bëhet i parëndësishëm sepse nuk fitoi.

Por as ai që nuk e ndjek nuk bëhet i padenjë për të folur.

Sakrifica e njeriut meriton respekt, nuk blen bindjen e tjetrit.

Edhe sikur të ndaja çdo kërkesë tuajën, do të ruaja të drejtën për të kundërshtuar rrugën.

Pajtimi për qëllimin nuk është dorëzim i gjykimit mbi mjetet.

Zemërimi mund të shpjegohet.

Dhuna nuk përligjet prej shpjegimit të tij.

Nëse Plani B, pas protestës paqësore, p***a qenë guri dhe zjarri, çfarë ndodh nëse as guri dhe zjarri nuk j*pin rezultatin që kërkoni?

Plani C do të sjellë armë dhe gjak?

Kur dështimi i një mjeti përdoret si leje për një mjet më të dhunshëm, kush e ndalon përshkallëzimin?

Apo kufiri i vetëm do të jetë dorëzimi i të tjerëve?

Atëherë nuk po na kërkoni të gjykojmë nëse keni të drejtë, po na njoftoni se nuk do të pranoni asnjë përfundim tjetër përveç fitores suaj.

Këtë mbrapshti nuk e pranoj, nuk e justifikoj dhe nuk do ta lë të normalizohet pa e kundërshtuar.

Shqipëria nuk duhet ta mësojë si rregull atë që e ka paguar si fatkeqësi.

Kurrë më.

Por ku e kanë Flamingot vetëanalizën, vetëkuptimin dhe vetëkritikën?

Mosdëgjimi nga Edi Rama mund të tregojë natyrën autokratike e satrapike të pushtetit të tij.

Fakti që një pjesë e shoqërisë nuk ju ka ndjekur mund të tregojë edhe natyrën jopërfaqësuese e joefikase të Konglomeratit që organizoi Revolucionin Paqësor të Flamingove.

Faji i Ramës nuk është përgjigje për çdo dështim tuajin.

Përpara se t’u kërkoni llogari atyre që nuk ju ndoqën, pyetni çfarë nuk bindi tek ju, kë nuk përfaqësuat dhe çfarë nuk funksionoi.

Kundërshtojeni argumentin tim, nuk ju kërkoj pajtim.

Por kur refuzimit të dhunës i përgjigjeni duke më shpallur njeriun e Ramës, mendimit i vini damkë që të mos merreni me të.

Mospajtuesin e bëni fajtor, veten e përjashtoni nga korrigjimi.

Edhe gjykimi im se Edi Rama mund ta meritojë dhunën dhe përzënien nga pushteti me çdo mjet nuk është leje për ta dhunuar.

Përgjegjësia që i ngarkoj atij nuk më çliron nga përgjegjësia për mjetet e mia.

Përndryshe, ai do të ma caktonte kufirin moral me të këqijat e veta.

Aq më pak mund të tërhiqet zvarrë shoqëria shqiptare për ndëshkimin e tij.

Ajo nuk e meriton diktatin e faktit të kryer, një grup zgjedh dhunën, krijon pasojat dhe pastaj ua kërkon të gjithëve pranimin e saj si provë opozitarizmi.

Vendimin për dhunën e merrni ju, çmimin kërkoni ta paguajmë bashkë.

Ky është detyrim-përcaktimi që refuzoj, dikush tjetër zgjedh rrugën, cakton kampet dhe pastaj më urdhëron ku duhet të qëndroj.

Ose pranoni mjetet tona, ose jeni me Ramën.

Kushdo që më imponon udhë, mjete e zgjidhje jashtë parimeve, bindjeve dhe qëndrimeve të mia, do të më ketë përballë.

Nuk i detyrohem bindje askujt vetëm sepse është kundërshtar i kundërshtarit tim.

Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është revolucion studentor, as revolucion i rinisë.

Studentët janë në shesh.

Kundërshtimi im nuk nis nga mungesa e tyre, por nga përvetësimi politik i pranisë së tyre.

Një student mund të dalë për kushtet e jetës së vetë, dalja e tij nuk është nënshkrim në fund të programit të një partie.

Prania tregon kush merr pjesë.

Autorësia politike tregon kush vendos për qëllimet, mjetet dhe përfaqësimin.

Pikërisht këtu e shoh veprimin e Konglomeratit, ku partitë dhe rrjetet kërkojnë drejtimin e rezultatin, ndërsa emri i studentit u shërben si mbulesë e përbashkët.

Përvetësimi fillon në çastin kur zëri i pjesëmarrësit zmadhohet në mandat mbi të gjithë, ndërsa zëri i atij që kundërshton mjetet përkthehet në shërbim ndaj Ramës.

Njëri llogaritet si miratim më i gjerë se ai që ka dhënë, tjetri humbet të drejtën të mbetet opozitar pa u bindur.

Me «studentët e ashtuquajtur» kundërshtoj këtë emër të përvetësuar, jo ekzistencën e studentëve realë dhe të drejtat e tyre.

Ai që do të negociojë në emrin e tyre duhet të tregojë kush ia ka dhënë atë të drejtë. Mikrofoni nuk është mandat.

As 1.000, as 5.000, as 10.000 studentë, gjimnazistë e të rinj nuk janë gjithë studentët, gjithë gjimnazistët dhe gjithë rinia shqiptare.

Numri tregon përmasën e pjesëmarrjes, jo pronësinë mbi të tërën.

Mos gënjeni dhe mos mashtroni me emra kolektivë.

Stop me parullat që e shpallin një brez të përfaqësuar përpara se ta pyesin.

I riu në shesh, në përleshje me policinë apo në përballje me shtetin, nuk fiton të drejta më të mëdha se i riu që e mendon ndryshe kundërshtimin ndaj Edi Ramës.

Ky i fundit nuk është më pak student, më pak gjimnazist, më pak shqiptar apo më pak opozitar.

Mosprania e tij nuk është dorëzim i zërit te organizatorët.

Më 15 tetor u raportuan sulme edhe ndaj konvikteve në Qytetin Studenti.

Studenti në dhomën e vetë e ka të drejtën për siguri, çfarëdo bindjeje të ketë.

Nuk duhet të dalë në protestë që të fitojë të drejtën të jetë i sigurt në konvikt.

Kush kërkon demokraci duhet ta njohë barazinë e mospajtuesit edhe kur ajo ia prish pamjen e një populli të bashkuar pas vetes.

Rinisë nuk i kthehet zëri duke ia njohur vetëm atëherë kur thotë çfarë duan organizatorët.

Pikërisht mbi këtë përfaqësim kanë hyrë në llogari partitë.

Partitë e reja, Lapaj, Qori, Shehaj, janë turrur pas Flamingove paqësore dhe pas «studentëve të ashtuquajtur», edhe në ditët e dhunës, për ta kthyer zemëratën në përfitim strukturor e elektoral dhe veten në udhëheqje të «popullit antisistem».

Unë i quaj matrapazë të zemëratës, sepse qartazi kërkojnë meritën e revoltës, por jo të gjithë përgjegjësinë për mjetet që pranojnë brenda saj.

Në të njëjtin shesh hyn llogaria e PD-së dhe e Sali Berishës.

Më 16 tetor, ai u bëri thirrje demokratëve, prindërve, bizneseve dhe diasporës të përfshiheshin në mobilizim.

Në këtë zgjedhje shoh llogarinë e një drejtimi në vështirësi të madhe mbijetese e vazhdimësie politike, dëshpërimisht të gatshëm t’ia zmadhojë jehonën çdo lëvizjeje kundër Ramës.

Shpreson se dobësimi i tij dhe epërsia numerike ndaj të tjerëve do ta rikthejnë në tryezën e pushtetit, ose në tryezën ku ai negociohet.

Partitë e reja kërkojnë fuqinë e aparatit pa trashëguar emrin e tij.

PD-ja ofron fuqinë me shpresën se emrin e vetë do ta vendosë mbi rezultatin.

Ajo kërkon atë që struktura, e vetme, nuk ia siguron, që rikthimi i saj të pranohet si ndryshim.

Numrat mund t’i sjellë vetë, besimin kërkon ta marrë prej një ngjarjeje që nuk mban vetëm emrin e saj.

Nuk i kritikoj pse kërkojnë vota.

As bashkëprania në shesh nuk është akuza ime.

I kritikoj për pastërtinë që shpallin ndërsa marrin mbështetjen e aparatit që dënojnë.

Në shesh janë bashkë me PD-në e aleatët e saj, brenda të njëjtit Konglomerat, përpara publikut, sikur s’kanë lidhje me të.

Pa atë prani dhe mbështetje, vështirë se mobilizimi do ta kishte këtë peshë numerike, këtë kapacitet logjistik dhe këtë fuqi mediatike.

Ky është amnistimi sipas dobisë, mbështetjen e marrin, marrëdhënien e fshijnë nga fotografia.

Do të thonë, bashkëpunim taktik.

Por taktika ka një kufi, aftësinë për t’i thënë jo aleatit kur ai shkel parimin për të cilin je bashkuar.

Çfarë vlere ka autonomia që shpall, nëse nuk e ushtron pikërisht kur ajo mund të të kushtojë?

Nuk bëhesh i pavarur duke e fshehur dorën që pranon të të mbajë.

Nëse sistemi qenka vetëm Berisha, ndërsa PD-ja dhe aleatët e saj pastrohen e bëhen antisistemsa sapo i shërbejnë këtij revolucioni, atëherë Haxhi Qamili duhet pranuar si poet më i madh se Lasgush Poradeci.

Nëse pastaj i gjithë sistemi qenka vetëm Edi Rama dhe Sali Berisha, pa partitë, aparatet, interesat dhe marrëdhëniet bashkëautore të tij, atëherë le të shpallet Haxhi Qamili, jo Gjergj Fishta, kandidati i parë shqiptar për Nobelin në Letërsi.

Sistemi nuk pushon së qenunri sistem kur fillon t’ju shërbejë.

Ai jeton edhe në zakonin për t’ia përshtatur parimin dobisë së çastit.

Këtë zakon po e mbartni me vete, ndërsa shpallni se po e përmbysni.

Po PD-ja, çfarë po merr në këmbim?

Në rrugën e këtyre 140 ditëve, PD-ja dhe Berisha kanë pranuar rolin e «hamallëve numerikë e logjistikë të revolucionit», sjellin njerëzit, mbajnë barrën, j*pin mbështetjen, të tjerët pretendojnë frymën, moralin dhe autorësinë.

Brohoritjet «Berisha në burg!», sulmi e thyerjet në selinë e PD-së në Shkodër, pretendimet edhe për djegien e saj dhe episodi i Klevis Balliut në Lanë janë paralajmërime për çmimin e kësaj llogarie.

Pas përplasjes, Balliu mohoi të ishte goditur dhe ripohoi se mbështetja për studentët do të vazhdonte.

Pikërisht vazhdimin e kësaj llogarie politike kundërshtoj, jo të drejtën e tij për t’u mbrojtur.

Drejtimi demokrat duhet të shpjegojë përse vazhdon të kërkojë autoritet nëpërmjet një mobilizimi ku segmente të caktuara ua mohojnë përfaqësuesve të tij edhe praninë.

Ndërsa shpresojnë për vend në tryezën e nesërme, durojnë mohimin e vendit të tyre në sheshin e sotëm.

Turpi i dhunës ndaj PD-së dhe Balliut u përket dhunuesve.

Gjithmonë.

Asnjë kundërshtim politik nuk e bën të merituar dhunimin e njeriut.

Përgjegjësia e drejtimit demokrat është tjetër, përse pranon të përdoret e të poshtërohet nga një grusht komunistësh e marksistësh që i kërkojnë numrat, por i mohojnë dinjitetin politik?

Nuk i kërkoj kundërdhunë.

I kërkoj të mos e shesë nënshtrimin si strategji.

Të jesh viktimë e një sulmi nuk është turp.

Ta pranosh nënshtrimin si çmim të rikthimit në pushtet, është.

Por jo e gjithë llogaria për atë që ndodh në Shqipëri bëhet në Shqipëri.

Gjykimi im politik është i prerë, kemi përpara një aksion ndërkombëtar të së majtës radikale, komuniste e marksiste, që po përfshin gjithë Europën dhe shumë vende të tjera të botës.

Shqipëria po futet në veprimin dhe rrëfimin e tij.

Më 4 tetor, Rinia Komuniste e Greqisë shpalli solidaritet me nxënësit francezë dhe e lidhi mesazhin me mobilizimin në Greqi.

Më 7 tetor, të rinjtë komunistë francezë deklaruan pjesëmarrjen në organizimin e mobilizimeve.

Emri studentor nuk ua fshin emrat organizatave që veprojnë brenda tij.

Lidhja shqiptare nuk kërkon të nxirret vetëm nga analogjia me Francën.

Lëvizja Bashkë është në anëtarësinë e Internacionales Progresiste.

Në buletinin e 29 qershorit, Internacionalja raportonte praninë e bashkëkoordinatorit David Adler në Tiranë me aktivistë të LB-së, e vendoste çështjen shqiptare në përballjen me Trumpin e Kushnerin dhe kërkonte mbështetje financiare për fushatën.

Në buletinin e 16 tetorit, Shqipëria, Franca, Spanja dhe India trajtohen rreth të njëjtës pyetje, si kthehet revolta popullore në fuqi politike?

Organizata e identifikon Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit si anëtaren e vetë dhe deklaron se po punon për t’i mbështetur e lidhur këto forca.

Më 20 gusht, Global Sumud Flotilla njoftoi vënien e anijeve, rrjeteve logjistike dhe dukshmërisë ndërkombëtare në shërbim të mobilizimit shqiptar.

Rolin e vetë e paraqiste si mbështetje, jo drejtim.

Edhe duke e marrë këtë shpjegim në kuptimin e tij të plotë, kufiri mbetet, ndihma e kërkuar nga organizatorët nuk e bën çdo pjesëmarrës përkrahës të programit të atij që ndihmon.

Marrëveshja mes organizatave nuk është nënshkrimi i qytetarit.

Këto marrëdhënie nuk ua heqin qytetarëve arsyet e tyre për të protestuar.

Por as arsyet e qytetarëve nuk i bëjnë të padukshme projektet e organizatave.

Kush hyn me një program politik duhet të dalë me emrin e tij, jo të kërkojë strehë nën pafajësinë e një moshe.

Në këtë ndërthurje shoh edhe synimin për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Kështu e lexoj unë drejtimin politik të këtij ndërkombëtarizimi, kauzat vendore, pamjet, thirrjet e solidariteti bashkohen në një akuzë që kërkon rezultat edhe në betejën amerikane.

Zemërimi shqiptar hyn në një llogari që bëhet jashtë vendit, kostoja mbetet këtu.

Qytetari del për jetën e vetë dhe rrezikon të numërohet në një projekt që nuk e ka zgjedhur.

Nuk kundërshtoj të drejtën e të tjerëve për të zgjedhur, kundërshtoj që zgjedhja e tyre të paraqitet si zgjedhja ime.

Solidariteti nuk është autorizim për të vendosur në vendin e tjetrit.

Komunistët dhe marksistët i kuptoj.

Ndjekin bindjet, organizimin dhe objektivat e tyre.

Kundërshtoj pretendimin se bindja e tyre mund të bëhet fati ynë pa pëlqimin tonë.

E shpallin veten njohës të së ardhmes dhe kërkojnë bindjen e sotme si detyrim ndaj saj.

Njeriut i premtohet çlirimi, por njeriut konkret i kërkohet të presë, të bindet e të pranojë sakrificën që ia cakton drejtimi.

Mospajtuesi pushon së qenuri palë, bëhet pengesë që duhet kapërcyer.

Më pak kuptoj PD-në me aleatët, Lapajn e Shehajn, që vetëdeklarohen të djathtë, por nuk gjejnë këllqe dhe nder politik për t’u distancuar nga e majta radikale e komunistët në veprim.

Nëse mbrojtja e pronës, paprekshmëria e njeriut dhe liria e mospajtimit pezullohen sapo shkelja e tyre mund ta vërë Ramën në vështirësi, çfarë mbetet nga identiteti i djathtë?

Ai nuk mund të jetë vetëm fjala me të cilën kërkohen votat.

Duhet të jetë edhe kufiri që nuk shkelet për t’i marrë ato.

Nga nisja e Flamingove deri sot, lëvizje komuniste, marksiste dhe të së majtës radikale po i tërheqin për hunde.

Ata shpresojnë se përfitimi i nesërm do t’ua falë shërbimin e sotëm ndaj një drejtimi që bie ndesh me bindjet e shpallura.

Arlind Qori është i vetmi udhëheqës natyral i këtij revolucioni komunist, ai ndodhet brenda frymës së vetë ideologjike.

Kjo përputhje nuk e shfajëson për përfitimin politik që kërkon.

E dallon nga të tjerët, të cilëve u duhet të tradhtojnë edhe identitetin e shpallur për të mbetur aty. PD-ja dhe aleatët, Berisha, Lapaj e Shehaj janë krejt kot e pa lidhje në një proces ku shpresojnë të marrin rezultatin, ndërsa drejtimin e frymës ua lënë të tjerëve.

Ua them me sinqeritet, kini kujdes.

Nëse ky revolucion komunist, mos e dhëntë Zoti, fiton, nuk do të jetë larg dita kur edhe Berisha, Lapaj e Shehaj do të kenë Lanën e tyre, përjashtimin dhe poshtërimin e atij që pranohet vetëm për aq kohë sa shërben.

Nuk jua dëshiroj atë fat. E kundërshtoj.

Nevoja që kanë sot për ju nuk është garanci se do t’ju respektojnë nesër.

Nëse aleati trajtohet si mjet dhe mospajtuesi si pengesë, marrja e pushtetit nuk e shëron këtë marrëdhënie, i jep më shumë fuqi.

Një premtim çlirimi që më kërkon si kusht dorëzimin e gjykimit tim e ka filluar nënshtrimin përpara se të ketë fituar pushtetin.

Dhe tani, Edi Rama, mos u përpiq ta marrësh si shfajësim për veten asnjërën prej këtyre fjalëve.

Po, e ndaj njëqind për qind gjykimin se, nga Flamingot deri sot, kjo që po ndodh po gatuhet nga ato që edhe unë i quaj «duar të zeza të huaja».

Por a e kupton se Shqipëria ka 36 vjet që sundohet e grabitet nga duar dhe mendje të pista si tuajat?

Ndërhyrja e duarve të huaja nuk e kthen në detyrë kombëtare durimin e duarve tuaja.

Nuk mund ta kërkoni të drejtën për të sunduar si shpërblim që dikush tjetër kërkon të ndërhyjë.

Ju që jetoni prej vendit, por nuk qeverisni për njerëzit e tij, jeni bërë «mish i huaj» në shoqërinë që pretendoni se përfaqësoni.

Shqiptaria nuk është pasaportë për të sunduar shqiptarët pa u dhënë llogari.

Sovraniteti i Republikës nuk është paprekshmëria e qeveritarit.

Nga sheshi më kërkohet të pranoj mjetet e tyre që të mos quhem njeriu yt, nga pushteti pritet të pranoj vazhdimin tënd që të mos quhem njeriu i tyre.

Ky është detyrim-përcaktimi nga të dyja anët, gjykimi im të mos më përkasë mua.

Nuk pranoj të zgjedh midis duarve të huaja që kërkojnë ndikim dhe duarve vendase që kanë grabitur jetën publike.

Kundërshtimi i njërës nuk më detyron t’i nënshtrohem tjetrës.

E drejta për të kundërshtuar pushtetin nuk i jep askujt të drejtën të bëhet pushtet mbi ndërgjegjen time, as shesh*t në emër të ndryshimit, as ty në emër të frikës nga revolucioni.

Nuk më duhet të flas në emër të të gjithëve që të mos dorëzoj fjalën time.

Edi Rama, ndoshta vota të mban ende në pushtet.

Por mandati nuk e pezullon gjykimin e historisë, nuk e shuan përgjegjësinë morale dhe nuk e zhduk faturën që ua lini brezave.

Për këtë përgjegjësi, unë të kërkoj të largohesh një orë e më parë.

Pikë.

A***n Galdini

LRE RinisjaQëndrim ZyrtarKundër dhunës. Kundër Edi Ramës.Tiranë, 16 tetor 2026Rinisja është forcë opozitare e djathtë, k...
16/10/2026

LRE Rinisja

Qëndrim Zyrtar

Kundër dhunës. Kundër Edi Ramës.

Tiranë, 16 tetor 2026

Rinisja është forcë opozitare e djathtë, kundër Edi Ramës dhe modelit të tij autokratik e të korruptuar të qeverisjes.

Synimi ynë është largimi i tij nga pushteti përmes një ndryshimi demokratik që nuk zëvendëson vetëm drejtuesit, por i jep fund përdorimit të shtetit si pronë partie.

Po aq i prerë është qëndrimi ynë kundër dhunës.

Nuk do ta mbështesim, nuk do ta justifikojmë dhe nuk do ta pranojmë si mjet për marrjen e pushtetit.

Kundërshtimi i dhunës nuk është mbështetje për Edi Ramën.

Kundërshtimi i Edi Ramës nuk është leje për të dhunuar Shqipërinë.

Rinisja dënon djegiet, grabitjet, shkatërrimin e pronës publike e private dhe dhunën ndaj qytetarëve, policëve e gazetarëve.

Dënon dhunën e protestuesve dhe dhunën policore.

Asnjë kauzë politike, asnjë urdhër dhe asnjë uniformë nuk e justifikojnë abuzimin ndaj njeriut.

Refuzojmë ndarjen e dhunës në të pranueshme kur godet institucionet dhe të papranueshme kur godet bizneset. Institucionet janë të Republikës, jo të kryeministrit.

Shkatërrimi i tyre nuk është çlirim nga kapja politike.

Dëmtimi i punës dhe i pasurisë së qytetarëve nuk është drejtësi shoqërore.

Urrejtja ndaj qeverisë nuk mund të bëhet justifikim për të dëmtuar vendin.

Po aq qartë, dhuna e të tjerëve nuk e shfajëson Edi Ramën.

Ajo nuk e fshin përgjegjësinë e tij për korrupsionin dhe keqqeverisjen.

Nuk e çliron nga përgjegjësia politike për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe veprimet e institucioneve që drejton.

Nuk pranojmë që frika nga trazirat të përdoret për ta paraqitur vazhdimin e pushtetit të tij si të vetmen mundësi për Shqipërinë.

Kërkojmë mbrojtje të jetës, lirisë dhe pronës, përgjegjësi individuale për autorët e dhunës dhe hetim të çdo abuzimi policor.

Drejtësia nuk duhet të kursejë të fortin dhe as të përdoret për të ndëshkuar bindjen politike.

Policia duhet t’i shërbejë qytetarit dhe Republikës, jo interesit të një partie.

Vlerësimi ynë politik është se dhuna e ndihmon Edi Ramën, i jep mundësinë të viktimizohet, të disiplinojë kampin e vetë dhe të paraqitet si mbrojtësi i domosdoshëm i stabilitetit.

T’ia vështirësosh qeverisjen për disa ditë nuk do të thotë t’i kesh dobësuar organizatën politike ose t’i kesh marrë votat PS-së.

Detyra e opozitës është të fitojë besimin e qytetarëve dhe ta mundë këtë pushtet, jo t’i j*pë atij alibinë që kërkon.

Rruga jonë është organizimi politik, kundërshtimi paqësor dhe gara e lirë zgjedhore.

Refuzojmë që një «qeveri teknike» të paraqitet si ndryshim, ndërsa ua lë PS-së dhe PD-së kontrollin mbi të gjithë të tjerët.

Ky është blindim i paktit të tyre, jo hapje e demokracisë.

Nuk na mjafton të ndryshojnë emrat në qeveri, nëse mbeten të paprekura marrëveshjet që mbyllin konkurrencën dhe përjashtojnë alternativat.

Përgjegjësinë politike ua kërkojmë drejtuesve, organizatorëve dhe figurave publike.

Qytetarët e zakonshëm nuk janë armiqtë tanë.

Drejtuesit që nuk pajtohen me ne t’u përgjigjen argumenteve tona në debat publik, jo të nxisin sharje, kërcënime dhe fushata përbaltjeje.

Rinisja u kërkon të gjithë mbështetësve të saj që nxisin, përkrahin ose justifikojnë dhunën të distancohen prej saj.

Kush nuk pranon këtë kufi, të largohet nga radhët tona.

Emri i Rinisjes nuk mund të përdoret për të mbështetur as dhunën në rrugë, as abuzimin shtetëror.

Ne duam të largojmë Edi Ramën nga pushteti, jo të djegim Shqipërinë për t’ia marrë pushtetin.

LRE Rinisja

Address

Pallati I Turkeshëve, Tek Kryqëzimi I Rruga Qemal Stafa Me, Rruga Derhemi
Tiranë
1001

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when LRE - Rinisja posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share