09/11/2026
JAVA BOTËRORE E CILËSISË 2026
9–13 nëntor 2026 - Java Botërore e Cilësisë vjen sic do vit si një mundësi për të rikujtuar se cilësia nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni apo e një sektori të caktuar. Ajo kërkon angazhimin e bizneseve, laboratorëve, organizmave të certifikimit dhe inspektimit, autoriteteve publike dhe profesionistëve që punojnë për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe proceseve.
Çfarë do të thotë kjo për DPA-në?
Si institucioni kombëtar përgjegjës për akreditimin në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ka një rol thelbësor në ndërtimin e besimit në treg dhe në shoqëri.
Përmes vlerësimit të kompetencës teknike, paanshmërisë dhe besueshmërisë së Organizmave të Vlerësimit të Konformitetit (OVK), DPA kontribuon konkretisht në:
• Mbrojtjen e konsumatorit, duke mbështetur besueshmërinë e rezultateve të testimeve dhe kontrolleve mbi produktet dhe shërbimet që përdorim.
• Sigurinë dhe shëndetin publik, përmes forcimit të kompetencës së laboratorëve dhe organizmave që kryejnë aktivitete të vlerësimit të konformitetit.
• Konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, duke mbështetur besueshmërinë e raporteve dhe certifikatave të tyre dhe pranueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.
• Mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e produkteve, duke promovuar kompetencën dhe besueshmërinë e aktiviteteve të testimit, inspektimit dhe certifikimit.
• Përmirësimin e vazhdueshëm, duke nxitur zbatimin e standardeve ndërkombëtare, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe përshtatjen me kërkesat e reja teknologjike dhe të tregut.
Arritjet dhe përgjegjësitë tona
Njohja ndërkombëtare e DPA-së përmes Marrëveshjes Shumëpalëshe të Njohjes së European Accreditation (EA MLA), në fushat e testimit, inspektimit, certifikimit të sistemeve të menaxhimit dhe certifikimit të personave, përbën një arritje të rëndësishme për sistemin shqiptar të akreditimit.
Por njohja ndërkombëtare nuk është vetëm një status. Ajo kërkon punë të vazhdueshme, ruajtje të kompetencës, përditësim të standardeve, zhvillim të vlerësuesve teknikë, bashkëpunim me komitetet teknike dhe përmirësim të shërbimeve ndaj organizmave të akredituar dhe aplikantëve.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me European Accreditation (EA), organizatat ndërkombëtare të akreditimit, institucionet publike, rregullatorët, bizneset dhe të gjithë aktorët e infrastrukturës së cilësisë është thelbësor.
Çfarë presin të tjerët nga ne?
Bizneset presin shërbime profesionale, transparente dhe në kohë. Laboratorët dhe organizmat e vlerësimit të konformitetit presin mbështetje, komunikim dhe kritere të qarta. Autoritetet publike presin rezultate të besueshme që mbështesin vendimmarrjen dhe mbikëqyrjen. Qytetarët presin siguri, mbrojtje dhe besim. Partnerët ndërkombëtarë presin kompetencë, qëndrueshmëri dhe përputhje me kërkesat e njohjes reciproke.
Këto pritshmëri janë njëkohësisht përgjegjësia dhe motivimi ynë për të ecur përpara.
Gjatë kësaj jave, mesazhi ynë është i qartë:
Akreditimi nuk është thjesht njohje e kompetencës. Është një mekanizëm që krijon besim, mbështet ekonominë dhe kontribuon në cilësinë e jetës së çdo qytetari.
DPA mbetet e angazhuar për një infrastrukturë kombëtare të cilësisë më të fortë, më transparente dhe të harmonizuar me kërkesat evropiane dhe ndërkombëtare.
DPA – Besim në kompetencë. Cilësi në shërbim të shoqërisë.