14/07/2026
Një diskutim me vlerë dhe mjaft frytdhënës në mbledhjen e sotme të Komitetit për Dimensionin Njerëzor të OSBE-së, me temën: "Liria e medias, besimi dhe llogaridhënia në një mjedis informativ në zhvillim", nën kryesimin e Ambasadores së Shqipërisë në OSBE, Eglantina Gjermeni. 🇦🇱
Në një peizazh mediatik që po ndryshon me shpejtësi – i ndikuar nga transformimi digjital, dezinformimi, rënia e besimit të publikut, sfidat ekonomike dhe rreziqet në rritje për gazetarët – mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe e lirisë së medias mbetet një nga angazhimet themelore të OSBE-së dhe një shtyllë e domosdoshme për demokracitë tona.
Diskutimi i sotëm ishte një mundësi e rëndësishme për të reflektuar mbi mënyrat se si shtetet pjesëmarrëse, profesionistët e medias, rregullatorët, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare mund të forcojnë besimin, transparencën dhe llogaridhënien, duke respektuar plotësisht pavarësinë e medias. Etika në media, vetërregullimi, edukimi mediatik dhe informativ, roli i mediave publike, si dhe siguria e gazetarëve – veçanërisht e atyre që përballen me rreziqe më të mëdha – janë elementë kyç për ndërtimin e një hapësire informative më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Një media e lirë, pluraliste dhe e përgjegjshme nuk është vetëm një shtyllë e demokracisë, por edhe një kontribut i rëndësishëm për sigurinë, kohezionin shoqëror dhe besimin e publikut në të gjithë rajonin e OSBE-së.
Mirënjohje për folësit e nderuar – Ambasadorin Jan Braathu, Maja Sever, Bertrand Mossiat, Rashela Shehu dhe Gill Phillips – për kontributin dhe ekspertizën e tyre, si edhe për të gjitha delegacionet për një shkëmbim të hapur, konstruktiv dhe me përmbajtje.
📸 © Micky Kroell