30/09/2026
ERIS VRANOVCI NGA FERIZAJ, PJESË E KOMBËTARES SË KOSOVËS NË KAMPIONATIN EVROPIAN U17
Boksieri i ri nga Ferizaj, Eris Vranovci, do ta përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian të Boksit U17, i cili do të mbahet në Budva të Malit të Zi, nga 1 deri më 11 tetor 2026.
Eris Vranovci, i cili garon në kategorinë 63 kg, është përzgjedhur në ekipin e Kombëtares së Kosovës së bashku me Drilon Thaqin dhe Riad Mziun. Ekipi udhëhiqet nga përzgjedhësi i Kombëtares U17, Besnik Vranovci.
Në prag të kampionatit, boksierët po zhvillojnë fazën e fundit të përgatitjeve në Gjakovë, ku po punohet në ngritjen e formës fizike, teknike dhe taktike për paraqitjen në arenën evropiane.
Pjesëmarrja e Erisit në këtë kampionat është një tjetër përfaqësim i rëndësishëm i sportit ferizajas në garat ndërkombëtare.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport i uron Eris Vranovcit dhe Kombëtares së Kosovës suksese dhe paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Evropian U17!