24/10/2026
“DIALOG ME KRIJUES” – MBRËMJE BASHKËBISEDIMI DHE POEZIE NË KUADËR TË “MUZAVE TË JEZERCIT”
Në kuadër të edicionit të tetë të Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”, u mbajt mbrëmja letrare “Dialog me krijues”, e cila bashkoi shkrimtarë e poetë nga hapësira të ndryshme shqiptare, në një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi dhe krijimtarie.
Mbrëmja u zhvillua në dy pjesë, duke ndërthurur bisedën me autorët dhe leximin e poezisë.
Në pjesën e parë, Xheladin Rexhepi, Lulzim Tafa, Klejda Plangarica dhe Aziz Mustafa ndanë me të pranishmit përvoja nga rrugëtimi i tyre krijues, folën për veprat e botuara, procesin e shkrimit dhe raportin e tyre me letërsinë.
Ndërsa pjesa e dytë iu kushtua vetëm poezisë, ku me krijimet e tyre u paraqitën Naime Beqiraj, Shkëndije Qeriqi, Nafije Zogaj, Tahire Berisha-Abazi dhe Bulëza Hysenaj-Ademi, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të veçantë artistik.
Në përmbyllje të takimit, kryetari i Klubit Letrar “De Rada” iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke falënderuar krijuesit dhe mysafirët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë aktivitet.
Mbrëmjen e udhëhoqi Zyrafete Shala, fotografitë i realizoi Fatmir Vata, ndërsa për zërimin u kujdes Kujtim Shabani.
Ky takim dëshmoi edhe një herë rëndësinë e krijimit të hapësirave ku autorët dhe lexuesit mund të bashkëbisedojnë, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë miqësi përmes letërsisë.