06/05/2026
Një nga xhamitë më të rralla në Kosovë, me minaren prej druri dhe veçantinë e saj, e cila daton nga viti 1886.
A***n Mavriqi - Photography
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Qendra Rajonale Per Trashegimi Kulturore-Gjilan
Trashëgimia kulturore e Kosovës është shprehje dhe krijimtari e realiteteve jetësore të zhvilluara në harkun kohor mbi tetë mijë vjet, që nga parahistoria në vijim deri më sot. Kjo pasuri e trashëguar me vlera unike artistike, estetike, historike dhe karakteristika tradicionale, ilustrohet me diversitetin e pasur të trashëgimisë arkitekturore, arkeologjike, të luajtshme dhe shpirtërore, si dhe me peizazhin e pasur kulturor.
06/05/2026
Një nga xhamitë më të rralla në Kosovë, me minaren prej druri dhe veçantinë e saj, e cila daton nga viti 1886.
A***n Mavriqi - Photography
11/04/2026
Lamtumirë Sherafedin Kadriut, një emër që mbetet në kujtesë
Kujtim nga Arton Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan
Ka disa njerëz që nuk i njeh thjesht si kolegë i përjeton si pjesë të rrugës sate.
I tillë ishte Sherafedini.
Ka kujtime që nuk i shkruan dot pa u ndalur, pa u përpjekur të marrësh frymë thellë, sepse çdo fjalë të kthen pas, atje ku ai ende ecën pranë teje.
Sherafedini nuk ishte thjesht koleg.
Ai ishte më shumë, një mik, një vëlla, një prind në kujdesin që jepte.
I qetë, aq i qetë sa të jepte siguri.
Një mendje e thellë që të sfidonte pa zë.
Një shpirt i pastër që nuk dinte të bënte zhurmë, por dinte të linte gjurmë që nuk fshihen kurrë.
E mbaj mend si sot ditën time të parë si drejtor në Qendren Rajonale për Trashëgimi Kulturore ne Gjilan, ai qëndronte paksa mënjanë, i përulur por me një dritë në sy që nuk mund ta anashkaloje.
Nuk foli shumë atë ditë. Nuk kishte nevojë.
Sepse disa njerëz nuk prezantohen me fjalë por me praninë e tyre.
Dhe aty e kuptova menjëherë, ky njeri nuk premton shumë, ky njeri bën shumë.
Pastaj filloi rruga jonë…
Rruga drejt Tiranës.
Jo një herë.
Jo dy herë.
Por për dy vite me radhë çdo javë.
Sa kilometra kemi bërë bashkë
por më shumë se rrugë, kemi bërë jetë.
Në ato udhëtime, makina nuk ishte thjesht mjet, ishte një botë e vogël ku ndaheshin mendime, ëndrra, shqetësime, dhe ajo heshtje e veçantë që vetëm njerëzit që kuptohen vërtet e kanë.
E kujtoj ditën e udhëtimit të tijë për herë të parë, ditë që nuk do ta harroj kurrë, vizita e tij e parë në Shqipëri.
Dhe jo vetëm, vizita e tij e parë bashkë me mua.
Kur kaluam kufirin, ai heshti.
Nuk tha asgjë për disa minuta.
Vetëm shikonte, sikur po përpiqej ta përqafonte atë tokë me sy.
Pastaj, me një zë të ulët, më tha:
Sa kohë kam pritur për këtë ditë!
Në atë moment, nuk pashë vetëm një koleg.
Pashë një njeri që po takonte një pjesë të shpirtit të tij.
Një njeri që kishte lexuar, kishte ëndërruar, kishte pritur dhe më në fund po e jetonte atë çast.
Ishin emocione që nuk përshkruhen lehtë
emocione që vetëm ndihen.
Në magjistraturë gjatë studimeve ai nuk ishte thjesht i mirë, ai ishte i jashtëzakonshëm.
Të gjitha notat 10, por kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme.
Ai nuk mësonte për nota.
Ai mësonte sepse e kishte brenda.
Në ligjërata, në diskutime, në çdo bisedë me profesorët, ai ishte gjithmonë një hap përpara.
Dhe pastaj erdhi ajo fjali që më është gdhendur në kujtesë.
Profesori doktor Ademi Bunguri, duke e parë me admirim të sinqertë, i tha para të gjithëve i cili e thërriste Sherë.
Sikur shoku Enveri të ishte ende gjallë, ndoshta nuk do të ishe kthyer më në Kosovë jo për ndonjë gjë që ke bërë, por sepse dija dhe njohuritë e tua të jashtëzakonshme do të të çonin përpara dhe do të të mbanin aty ku ato vlerësohen më shumë.
Në atë çast, e pashë.
Si gjithmonë uli kokën lehtë.
Pa krenari të zhurmshme.
Pa fjalë të mëdha.
Por unë e dija, ajo nuk ishte vetëm një fjali.
Ishte një vlerësim që nuk jepet shpesh.
Ishte një dëshmi për madhështinë e tij të heshtur.
Një mendje e rrallë.
Një pasuri për shkencën.
Një njeri që mund të shkonte shumë larg.
Sot, rruga për në Tiranë është e njëjtë.
Por jo edhe unë.
Sepse nuk është më ai në ulësen pranë.
Nuk është më ai që në mes të rrugës të thoshte. Çka mendon për këtë?
Nuk është më ai që të detyronte të mendosh më thellë, më ndryshe, më mirë.
Sot, udhëtimet janë të heshtura.
Dhe ajo heshtje, dhemb.
Më mungon në çdo kilometër.
Në çdo diskutim që nuk bëhet.
Në çdo ide që mbetet përgjysmë.
Sherafedini nuk ishte vetëm pjesë e punës sime, ai ishte pjesë e jetës sime.
Dhe dhimbja më e madhe është kur e kupton se disa njerëz nuk largohen vetëm nga zyra, por nga përditshmëria jote.
Nga rrugët e tua.
Nga zëri që ishe mësuar ta dëgjoje.
Por ka diçka që vdekja nuk e merr dot.
Ai ende është.
Është në çdo rrugë që kemi bërë bashkë.
Në çdo kujtim që më kthen pas.
Në çdo mendim që më duket sikur do ta ndaj me të.
Dhe ndoshta kjo është e vërteta më e dhimbshme, dhe më e bukur njëkohësisht:
Njerëzit si Sherafedini nuk largohen kurrë.
Sepse ata nuk jetojnë vetëm në këtë botë, ata jetojnë brenda nesh.
09/04/2026
E nderuar familje Kadriu,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut tonë të nderuar, Sherafedin Kadriu.
I ndjeri ishte arkeolog, poet dhe studiues letrar nga Gjilani, i cili gjatë jetës së tij la një trashëgimi të çmuar në letërsinë dhe studimet kulturore shqiptare. Për shumë vite kontribuoi në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
I njohur si një njeri i përkushtuar ndaj krijimtarisë letrare dhe punës shkencore, ai krijoi poezi, prozë dhe studime në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë shpirtërore. Po ashtu, u dallua në kritikën letrare dhe në promovimin e autorëve të tjerë, si dhe për vite me radhë shërbeu si mësimdhënës i gjuhës shqipe, duke edukuar breza të tërë.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe vlerat e tij njerëzore do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtesës sonë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në ora 13:00, në varrezat e qytetit të Gjilanit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
U prehtë në paqe.
16/02/2026
Ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës.
Mbi 150 vjet e vjetër, kjo shtëpi është dëshmi e arkitekturës sonë tradicionale dhe e kujtesës historike që duhet ta ruajmë.
Asetet e trashëgimisë sonë kulturore në gjithë vendin po mbrohen dhe ruhen për brezat e ardhshëm. 🇽🇰
21/01/2026
Me sukses ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së Ilmi Rrustemit, në Kokaj të Gjilanit, duke ruajtur vlerat e saj historike dhe arkitekturore.
20/01/2026
Përfundon restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës.
Mbi 150 vjet e vjetër, kjo shtëpi përfaqëson vlera të rëndësishme të arkitekturës tradicionale dhe identitetit tonë kulturor.
18/01/2026
Një vlerë e rrallë e trashëgimisë sonë po merr frymë sërish.
Ka përfunduar restaurimi i Xhamisë së Meshinës në Kamenicë.
E ndërtuar në vitin 1886, kjo xhami e veçantë për minarenë prej druri është restauruar duke ruajtur autenticitetin dhe tiparet arkitekturore të monumentit.
🕌 Trashëgimia jonë po mbrohet dhe po i kthehet komunitetit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
17/01/2026
Përfundon edhe një projekt i suksesshëm restaurimi.
Ndërhyrjet në objektin e ish-Teknikës Popullore në Gjilan kanë siguruar ruajtjen e vlerave të asetit, duke e rikthyer atë si pjesë të rëndësishme të kujtesës urbane të qytetit.
Ky monument me vlera historike, arsimore e kulturore, i ndërtuar rreth viteve 1934–1935, ka qenë ndërtesë e institucioneve shtetërore dhe hapësirë e aktiviteteve kulturore të qytetit, ku në vitin 1971 nisi transmetimin edhe Radio Gjilani.
27/11/2025
Gjatë ditëve festive të nëntorit, Muzeu i Qytetit të Gjilanit u mbush me energjinë e mrekullueshme të fëmijëve!
Na vizituan nxënës nga disa shkolla të qytetit dhe më gjerë, të cilët me shumë kureshtje deshën të njihen më afër me historinë, traditën dhe trashëgiminë kulturore të Gjilanit.
Në atmosferën e 28 Nëntorit, vizitat ishin të shumta dhe plot entuziazëm. Fëmijët eksploruan artefaktet, dëgjuan rrëfime interesante, bënë pyetje të zgjuara dhe e kthyen vizitën në muze në një përvojë të këndshme, edukative dhe të paharrueshme.
Falënderojmë të gjitha shkollat për bashkëpunimin dhe për këtë energji të bukur që i sollën muzeut. Jeni gjithmonë të mirëpritur!
🇦🇱 Nga Qendra Rajonale Për Trashëgimi Kulturore Në Gjilan, Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!
22/11/2025
Ekspozitë në Kalanë e Gjirokastrës!
Sot, në një nga monumentet më domethënëse të trashëgimisë në qytetin e Gjirokastrës, u hap ekspozita e përbashkët e QRTK Prizren, dhe QRTK Gjilan e cila prezanton proceset profesionale të restaurimit, konservimit dhe dokumentimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Në hapje, drejtori Arton Hoxha, në emër të QRTK- së Gjilan theksoi:
“Kjo ekspozitë është dëshmi e punës së përkushtuar, e profesionalizmit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë. Bashkëpunimi ynë me kolegët në Gjirokastër është shembull i qasjes institucionale që synon ruajtjen e vlerave dhe forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet nesh.”
Në rolin e nikoqirit, drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka, u shpreh:
“Është kënaqësi të mirëpresim kolegët nga Kosova dhe të ndajmë rezultatet e punës sonë të përbashkët. Kjo ekspozitë reflekton jo vetëm ndërhyrjet profesionale, por edhe besimin tek një vizion i përbashkët për trashëgiminë.”
Ekspozita ofron një panoramë të qartë të punës shumëvjeçare të ekipeve të specializuara, duke prezantuar:
• vlerësimin dhe analizën e monumenteve,
• teknikat konservuese,
• rëndësinë e dokumentimit profesional,
• qasjet që sigurojnë ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore.
Hapësira mbetet e qasshme për vizitorët dhe synon informimin, ndërgjegjësimin dhe forcimin e vlerësimit për këtë pasuri të përbashkët kulturore.