Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Share

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 05/06/2026

𝗗𝗲𝗽𝗮𝗿𝘁𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗶 𝗘𝘃𝗿𝗼𝗽𝗶𝗮𝗻 𝗶 𝗙𝗠𝗡-𝘀𝗲̈ 𝘃𝗹𝗲𝗿𝗲̈𝘀𝗼𝗻 𝗕𝗤𝗞-𝗻𝗲̈: 𝗠𝗼𝗱𝗲𝗿𝗻𝗶𝘇𝗶𝗺 𝗶 𝘁𝗵𝗲𝗹𝗹𝗲̈ 𝗶𝗻𝘀𝘁𝗶𝘁𝘂𝗰𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹, 𝗾𝗲𝘃𝗲𝗿𝗶𝘀𝗷𝗲 𝗲 𝗮𝘃𝗮𝗻𝗰𝘂𝗮𝗿 𝗱𝗵𝗲 𝗿𝗲𝗳𝗼𝗿𝗺𝗮 𝗺𝗲 𝗿𝗲𝘇𝘂𝗹𝘁𝗮𝘁𝗲 𝗸𝗼𝗻𝗸𝗿𝗲𝘁𝗲

Në një intervistë ekskluzive për RTK, të realizuar në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, Zëvendësdrejtori i Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Mark Horton, vlerësoi lart progresin e Kosovës dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja gjatë viteve të fundit.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë, z. Horton e cilësoi vendin si një histori suksesi dhe një partner të rëndësishëm të FMN-së. Ai theksoi se vitet e fundit kanë qenë një periudhë intensive modernizimi dhe transformimi për BQK-në, duke prekur pothuajse çdo segment të funksionimit të saj. Po ashtu, ai vlerësoi progresin në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit financiar, zhvillimin e sistemeve moderne të pagesave, rritjen e përfshirjes financiare dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale.

Një vlerësim të veçantë ai i kushtoi reformave të brendshme organizative të BQK-së, duke përmendur modernizimin e qeverisjes institucionale, avancimin e politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore, reformimin e proceseve të rekrutimit, zhvillimin e politikave për mbështetjen dhe avancimin profesional të stafit, si dhe forcimin e kapaciteteve analitike dhe profesionale.

Sipas z. Horton, këto reforma përfaqësojnë një transformim të gjerë institucional që e ka bërë BQK-në më moderne, më efektive dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme. Ai shprehu hapur admirimin për ritmin dhe përmasën e ndryshimeve të realizuara, duke theksuar se FMN-ja ka qenë dëshmitare e një përpjekjeje mbresëlënëse reformuese.

Z. Horton vlerësoi gjithashtu lidershipin e BQK-së për vizionin, vendosmërinë dhe proaktivitetin në zbatimin e një agjende ambicioze reformash, e cila ka prekur si funksionet kryesore të bankës qendrore, ashtu edhe organizimin e saj të brendshëm. Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së përmes asistencës teknike ka dhënë rezultate konkrete, pasi Kosova është ndër vendet që jo vetëm pranon rekomandimet profesionale, por i zbaton ato me efikasitet.

Në vlerësimin e tij, reformat e ndërmarra nga BQK-ja gjatë viteve të fundit kanë kontribuar ndjeshëm në forcimin e stabilitetit financiar të Kosovës, në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe në përgatitjen e vendit për standardet dhe aspiratat e integrimit evropian.

𝘐𝘯𝘵𝘦𝘳𝘷𝘪𝘴𝘵𝘦̈𝘯 𝘦 𝘻. 𝘏𝘰𝘳𝘵𝘰𝘯 𝘮𝘶𝘯𝘥 𝘵𝘢 𝘨𝘫𝘦𝘯𝘪 𝘬𝘦̈𝘵𝘶, 𝘵𝘦̈ 𝘱𝘶𝘣𝘭𝘪𝘬𝘶𝘢𝘳 𝘯𝘨𝘢 𝘬𝘢𝘯𝘢𝘭𝘪 𝘻𝘺𝘳𝘵𝘢𝘳 𝘪 𝘙𝘛𝘒: https://youtu.be/ScP65tadJAQ?si=LicJgNSRtu6GLbXM&t=359

Paraprakisht, në një prononcim për RTK, z. Tobias Adrian vlerësoi lart rolin e BQK-së, si dhe stabilitetin dhe sofistikimin e sektorit financiar në Kosovë, duke u shprehur i impresionuar me dinamizmin ekonomik të vendit, energjinë e qytetarëve dhe cilësinë e politikave ekonomike dhe financiare. Ai më pas vlerësoi konferencën e organizuar nga BQK-ja, duke theksuar se temat e diskutuara si tokenizimi, inteligjenca artificiale, paraja digjitale dhe kripto-asetet pasqyrojnë debatet globale dhe janë thelbësore për adresimin e sfidave dhe mundësive që sjell transformimi i financave.

Ndërkaq, Guvernatori Ismaili në prononcimin e tij theksoi se sektori financiar i Kosovës vlerësohet për stabilitetin dhe kuadrin e tij rregullator, duke veçuar bashkëpunimin me FMN-në, nga i cili BQK-ja përfiton përmes mbi 15 projekteve të asistencës teknike në fusha kyçe financiare. Sa i përket konferencës, ai theksoi se ajo shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare mbi financat digjitale, tokenizimin dhe kripto-asetet, duke përmendur edhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative që krijon bazat për një treg të sigurt dhe të rregulluar, pavarësisht sfidave që sjellin teknologjitë e reja.

Konferenca rajonale dy ditore mblodhi në Prishtinë përfaqësues të lartë të FMN-së, bankave qendrore dhe institucioneve financiare nga rajoni dhe më gjerë. Ndër pjesëmarrësit kryesorë ishin z. Tobias Adrian, kryekëshilltar financiar dhe drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitalit në FMN, si dhe z. Yigit Yaşar, drejtor ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të FMN-së, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.

𝘗𝘳𝘰𝘯𝘰𝘯𝘤𝘪𝘮𝘦𝘵 𝘦 𝘥𝘩𝘦̈𝘯𝘢 𝘯𝘨𝘢 𝘻. 𝘈𝘥𝘳𝘪𝘢𝘯, 𝘎𝘶𝘷𝘦𝘳𝘯𝘢𝘵𝘰𝘳𝘪 𝘐𝘴𝘮𝘢𝘪𝘭𝘪 𝘥𝘩𝘦 𝘦𝘮𝘪𝘴𝘪𝘰𝘯𝘪𝘯 𝘦 𝘱𝘭𝘰𝘵𝘦̈ 𝘪 𝘨𝘫𝘦𝘯𝘪 𝘬𝘦̈𝘵𝘶: https://www.youtube.com/watch?v=ScP65tadJAQ

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 04/06/2026

Stabiliteti financiar global dhe sfidat e reja të sektorit financiar në fokus të ligjëratës publike të BQK-së me Fondin Monetar Ndërkombëtar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor 2026 në Prishtinë, organizoi ligjëratën publike me temë “Vlerësimi i Stabilitetit Financiar Global: Ku qëndrojmë?”.

Ligjërata publike u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës dhe solli në diskutim Guvernatorin e BQK-së, z. Ahmet Ismaili, dhe z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit për Tregje Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Aktiviteti u hap nga Prodekanja e Fakultetit të Ekonomisë, znj. Vlora Prenaj, e cila përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti, si dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet BQK-së dhe Fakultetit të Ekonomisë.

Në fokus të diskutimit ishin zhvillimet më të fundit në stabilitetin financiar global dhe implikimet e tyre për ekonomitë e vogla, të hapura dhe të euroizuara. Në këtë kontekst, u trajtuan pasiguritë makrofinanciare, ndryshimet në kushtet financiare globale, zhvillimet në ndërmjetësimin financiar jobankar dhe rreziqet potenciale që mund të burojnë nga këto zhvillime për stabilitetin financiar.

Diskutimi përfshiu gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë së sektorit bankar, politikave të kujdesshme makroprudenciale, mbikëqyrjes efektive dhe të bazuar në rrezik, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për identifikimin, monitorimin dhe adresimin në kohë të rreziqeve sistemike.

Një pjesë e veçantë e ligjëratës iu kushtua zhvillimeve strukturore që po e transformojnë sektorin financiar, përfshirë pagesat dhe financën digjitale, inteligjencën artificiale, rreziqet kibernetike, kripto-asetet dhe paranë digjitale. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për korniza rregullatore dhe mbikëqyrëse që mundësojnë inovacion të sigurt, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar, integritetin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Për BQK-në, këto çështje kanë rëndësi të veçantë në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të rezistencës institucionale, avancimit të mëtejshëm të reformave rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Stabiliteti financiar, si një e mirë publike, mbetet parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, besim në sistemin financiar dhe mirëqenie të qytetarëve.

Në përmbyllje të aktivitetit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve dhe pjesëmarrës të tjerë. Në këtë pjesë u adresuan pyetje dhe komente lidhur me zhvillimet në stabilitetin financiar global, sfidat e reja rregullatore dhe rolin e bankave qendrore në një mjedis financiar gjithnjë e më kompleks.

BQK shpreh mirënjohje ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale të ofruar ndër vite, veçanërisht përmes angazhimit të Departamentit për Tregje Monetare dhe të Kapitalit. Ky bashkëpunim ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve të BQK-së në fushën e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes bankare, politikës makroprudenciale dhe përgatitjes institucionale për adresimin e rreziqeve të reja në sektorin financiar.

Njëherësh, BQK falënderon Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës për bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti dhe për kontributin në nxitjen e debatit akademik e profesional mbi çështje me rëndësi strategjike për sektorin financiar dhe ekonominë e vendit.

BQK mbetet e përkushtuar në forcimin e mëtejshëm të rezistencës së sistemit financiar, avancimin e reformave në përputhje me standardet evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të një sektori financiar të sigurt, të qëndrueshëm dhe në shërbim të ekonomisë së Republikës së Kosovës.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1qX1s

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 04/06/2026

BQK organizoi takim me sektorin financiar vendor në kuadër të Konferencës Rajonale për Paranë Digjitale

Në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), u mbajt takimi me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sektorit financiar.

Takimi kishte në fokus zhvillimet më të fundit në stabilitetin financiar global, implikimet e tyre për rajonin dhe Kosovën, si dhe rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve, sektorit financiar dhe partnerëve ndërkombëtarë në adresimin e rreziqeve dhe sfidave të reja.

Aktiviteti u hap nga z. Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të politikave të kujdesshme për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe avancimin e reformave në sektorin financiar.

Në kuadër të takimit, z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, prezantoi Raportin Global të Stabilitetit Financiar të FMN-së. Prezantimi trajtoi zhvillimet kryesore në tregjet financiare ndërkombëtare, rreziqet ndaj stabilitetit financiar global, si dhe rekomandimet për forcimin e rezistencës së sistemeve financiare përballë sfidave aktuale dhe atyre të ardhshme.

Në diskutim morën pjesë drejtues dhe zyrtarë të BQK-së, përfaqësues të sektorit bankar, kompanive të sigurimeve, institucioneve financiare jobankare, kompanive të teknologjisë financiare, partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave.

Pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, rreziqet e mundshme për sektorin financiar, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të stabilitetit, inovacionit, digjitalizimit dhe gjithëpërfshirjes financiare në Kosovë.

BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e dialogut profesional, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të tij të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1qX3e

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 04/06/2026

Delegacioni i BQK-së takohet me delegacionin e FMN-së

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) i udhëhequr nga Guvernatori, z. Ahmet Ismaili dhe i përbërë nga Zëvendësguvernatorët Milot Cakaj dhe Nesrin Shileku-Shala, u takua me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Delegacioni i FMN-së u udhëhoq nga z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit dhe përbëhej nga z. Yigit Yasar, Drejtor Ekzekutiv në FMN, z. Mark Horton, Zëvendësdrejtor i Departamentit Evropian të FMN-së dhe z. Hajdari Korbi.

Në takim mori pjesë edhe Ministri në detyrë i Financave, z. Hekuran Murati, i cili diskutoi politikat e stabilitetit makrofinanciar dhe zhvillimet aktuale makroekonomike.

Takimi u fokusua në zhvillimet globale financiare dhe makroekonomike, si dhe ndikimin e tyre në ekonomitë e vogla dhe të hapura, me theks të veçantë në rëndësinë e stabilitetit financiar, politikave të kujdesshme, mbikëqyrjes efektive dhe qëndrueshmërisë institucionale në adresimin e rreziqeve të reja dhe pasigurive.

Palët diskutuan gjithashtu prioritetet strategjike të BQK-së, bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në dhe rolin e asistencës teknike në mbështetjen e reformave në fusha kyçe, përfshirë stabilitetin financiar, mbikëqyrjen bankare, politikën makroprudenciale, qeverisjen institucionale, sistemet e pagesave, financat digjitale dhe zhvillimin e kapaciteteve.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së dhe theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet FMN-së dhe BQK-së në avancimin e reformave, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar të Kosovës.

BQK-ja ritheksoi përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me FMN-në, në përputhje me mandatin e saj për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e modernizimit të sektorit financiar sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1wk9a

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 04/06/2026

Guvernatori Ismaili pret në takim Krye-Këshilltarin Financiar dhe Drejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në FMN, z. Tobias Adrian

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim Krye-Këshilltarin Financiar dhe Drejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Tobias Adrian.

Në takim u diskutuan zhvillimet kryesore në sektorin financiar, prioritetet strategjike të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar në fusha me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave institucionale.

Guvernatori Ismaili e informoi z. Adrian për ecurinë e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar se sektori mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Në këtë kontekst, u veçua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, zbatimit të politikave makroprudenciale, si dhe përafrimit të vazhdueshëm me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua zbatimit të Planit Strategjik të BQK-së, si kornizë orientuese për reformat institucionale dhe modernizimin e sektorit financiar. Në këtë kuadër, u diskutuan prioritetet që lidhen me modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, forcimin e qeverisjes institucionale, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e mëtejshëm të tregjeve financiare.

Guvernatori Ismaili dhe z. Adrian shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet aktuale në mjedisin financiar ndërkombëtar dhe implikimet e tyre për ekonomitë e vogla dhe të hapura, me theks të veçantë në rëndësinë e politikave të kujdesshme, mbikëqyrjes efektive dhe qëndrueshmërisë institucionale në përballjen me rreziqet e reja dhe pasiguritë globale.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfshirë përmes asistencës teknike, këshillimit profesional dhe dialogut të rregullt në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.

Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar, rritjes së qëndrueshmërisë institucionale dhe avancimit të sektorit financiar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian.

Vizita e z. Adrian në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Konferenca mbledh përfaqësues të lartë të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale në fushën e kripto-aseteve, parasë digjitale, rregullimit financiar dhe prioritetet strategjike për stabilitetin dhe modernizimin e sektorit financiar.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1qUvv

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 03/06/2026

Mbahet paneli i nivelit të lartë i bankave qendrore të rajonit për Kripto-Asetet, Paranë Digjitale dhe kornizat rregullative

Në kuadër të Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), u mbajt sesioni i nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe bankave qendrore të rajonit.

Sesioni u zhvillua në kuadër të temës "Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim", duke trajtuar ndikimin e kripto-aseteve, formave digjitale të parasë dhe inovacionit financiar në stabilitetin financiar, mbikëqyrjen rregullative, sistemet e pagesave dhe integritetin e tregjeve financiare.

Në pjesën e parë të sesionit, prezantime tematike u mbajtën nga përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, përfshirë z. Trajko Slaveski, Guvernator i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut; z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; znj. Gordana Kalezić; Zëvendësguvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi; si dhe drejtueses znj. Valentina Semi nga Banka e Shqipërisë.

Përmes prezantimeve te strukturuara, pjesëmarrësit paraqitën zhvillimet më të fundit në fushën e financave digjitale, modernizimit të sistemeve të pagesave, avancimit të mbikëqyrjes dhe përafrimit të kornizave rregullative me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Diskutimet evidentuan prioritetet e përbashkëta të rajonit, përfshirë nevojën për politika të koordinuara, kapacitete të avancuara mbikëqyrëse dhe qasje të kujdesshme ndaj zhvillimeve të reja teknologjike.

Më pas, në kuadër të panelit të nivelit të lartë të bankave qendrore të rajonit, me pjesëmarrjen edhe të z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, dhe nën moderimin e z. Mark Horton, Zëvendësdrejtor i Departamentit Evropian në FMN, diskutimet u fokusuan në rreziqet për stabilitetin financiar dhe transmetimin e politikave monetare, koordinimin rregullativ ndërshtetëror, zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale, si dhe mbikëqyrjen e "stablecoins" dhe tregjeve të kripto-aseteve.

Pjesëmarrësit theksuan se zhvillimi i financave digjitale duhet të mbështetet në rregullim të bazuar në rrezik, mbikëqyrje efektive, mbrojtje të konsumatorëve dhe investitorëve, ruajtje të integritetit financiar dhe forcim të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Në këtë drejtim, u diskutua edhe rëndësia e adresimit të rreziqeve që lidhen me sigurinë kibernetike, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe implikimet e mundshme të valutave digjitale të bankave qendrore.

Nga diskutimet e panelit rezultoi se, përballë një mjedisi financiar në ndryshim të shpejtë, autoritetet rregullative dhe mbikëqyrëse duhet të ndërtojnë korniza të qarta, proporcionale dhe të harmonizuara, të cilat mundësojnë inovacionin e përgjegjshëm, por njëkohësisht mbrojnë stabilitetin financiar, funksionimin e tregjeve dhe besimin e publikut.

Konferenca po shërben si platformë rajonale për shkëmbimin e përvojave, praktikave më të mira dhe perspektivave institucionale ndërmjet politikëbërësve, rregullatorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, me synim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të financave digjitale në funksion të ekonomisë, qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit financiar.

U ritheksua përkushtimi për të mbështetur transformimin digjital të sektorit financiar përmes politikave të përgjegjshme, forcimit të kapaciteteve institucionale, modernizimit të infrastrukturës financiare dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Photos from Banka Qendrore e Republikës së Kosovës's post 03/06/2026

Nisin punimet e Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) hapi punimet e Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, i cili po mbahet në Prishtinë më 3 dhe 4 qershor 2026.

Ky organizim i nivelit të lartë mbledh përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, drejtues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të komunitetit akademik, sektorit financiar dhe ekspertë të fushës së financave digjitale.

Konferenca përkon me vizitën e parë në Kosovë të z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, i cili merr pjesë në disa sesione të agjendës dyditore, përfshirë fjalimin kryesor, diskutimet me bankat qendrore të rajonit, takimin me sektorin financiar vendor dhe ligjëratën publike.

Duke hapur punimet e Konferencës, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, përfshirë kripto-asetet, format digjitale të parasë, financat e decentralizuara, inteligjencën artificiale dhe sistemet moderne të pagesave, po ndikojnë në mënyrë të thellë në funksionimin e sektorit financiar global.

Ai nënvizoi se këto zhvillime tashmë janë pjesë e agjendës strategjike të bankave qendrore, rregullatorëve dhe industrisë financiare, duke krijuar mundësi për rritjen e efikasitetit, gjithëpërfshirjes financiare, transparencës dhe uljen e kostove të shërbimeve financiare. Njëkohësisht, Guvernatori Ismaili theksoi se këto zhvillime sjellin edhe sfida të rëndësishme për stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve, integritetin e tregjeve, parandalimin e pastrimit të parave dhe ruajtjen e besimit në sistemin financiar.

Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili theksoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat karakterizohen nga ekonomi të hapura, ndërlidhje të ngushta financiare dhe flukse të rëndësishme të remitancave, financat digjitale paraqesin një mundësi të rëndësishme për avancimin e integrimit rajonal, modernizimin e shërbimeve financiare dhe përafrimin me tregun financiar evropian.

Ai veçoi progresin e Kosovës në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, avancimin e pagesave të shpejta dhe procesin e integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, si pjesë e përpjekjeve të BQK-së për të ofruar shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Guvernatori Ismaili theksoi se inovacioni financiar duhet të mbështetet nga korniza të qarta, proporcionale dhe të bazuara në rrezik, të cilat mundësojnë zhvillimin e teknologjisë, por njëkohësisht ruajnë stabilitetin financiar, mbrojnë konsumatorët dhe forcojnë integritetin e tregut.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar, veçanërisht me Departamentin e Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, modernizimin e sektorit financiar dhe avancimin e reformave në Kosovë.

Në fjalimin e tij kryesor, z. Tobias Adrian, krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, derisa prezantoi zhvillimet kryesore globale, theksoi rëndësinë e ndërtimit të kornizave të qëndrueshme të politikave dhe rregullimit te harmonizuar për të adresuar mundësitë dhe rreziqet që sjell transformimi digjital i financave, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e tregjeve dhe besimin publik.

Një fjalë mirëseardhjeje për të pranishmit mbajti edhe Ministri në detyrë i Financave, z. Hekuran Murati, i cili paraqiti pikëpamjet mbi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, politikave ekonomike dhe krijimit të kushteve për zhvillim, inovacion dhe stabilitet makroekonomik.

Punimet e Konferencës do të vijojnë me prezantime dhe diskutime profesionale nga bankat qendrore të rajonit, përfaqësuesit e FMN-së, sektori financiar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në ditën e dytë të agjendës parashihet edhe një takim me palët vendore të sektorit financiar, prezantimi i Raportit Global të Stabilitetit Financiar të FMN-së, si dhe një diskutim publik ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe z. Tobias Adrian në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1wg19

03/06/2026

DREJPËRDREJT 🔴 BQK organizon Konferencën rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale "Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim"

03/06/2026

Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, z. Yigit Yaşar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim z. Yigit Yaşar, Drejtor Ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në takim mori pjesë edhe z. Hajdar Korbi, Këshilltar i Republikës së Kosovës në Drejtorinë Ekzekutive të Konstituencës së FMN-së ku bën pjesë Kosova.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi z. Yaşar për zhvillimet kryesore në sektorin financiar dhe prioritetet strategjike të BQK-së, me fokus në ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës rregullative dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.

Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar në Kosovë mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Në këtë kontekst, u diskutua rëndësia e zbatimit të Planit Strategjik 2024-2028 të BQK-së, si kornizë orientuese për reformat institucionale, modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, përfshirë asistencën teknike dhe dialogun e vazhdueshëm në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Republikës së Kosovës dhe Bankës Qendrore, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e agjendës së reformave. Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar.

Vizita e z. Yaşar në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë që mbahet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e cila mbledh përfaqësues të lartë të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe prioritetet strategjike të sektorit financiar.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1wef4

28/05/2026

𝗕𝗤𝗞 𝗺𝗶𝗿𝗮𝘁𝗼𝗻 𝗽𝗮𝘀𝗾𝘆𝗿𝗮𝘁 𝗳𝗶𝗻𝗮𝗻𝗰𝗶𝗮𝗿𝗲 𝘃𝗷𝗲𝘁𝗼𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗱𝗮𝗻 𝟭𝟮 𝗺𝗶𝗹𝗶𝗼𝗻𝗲̈ 𝗲𝘂𝗿𝗼 𝗽𝗲̈𝗿 𝗯𝘂𝘅𝗵𝗲𝘁𝗶𝗻 𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗽𝗲̈𝗿 𝘃𝗶𝘁𝗶𝗻 𝗲 𝘁𝗿𝗲𝘁𝗲̈ 𝗿𝗮𝗱𝗵𝗮𝘇𝗶

Banka Qendrore të Republikës së Kosovës ka miratuar pasqyrat financiare vjetore të BQK-së për vitin financiar 2025, të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur.

Pasqyrat financiare vjetore kanë marrë opinion të pastër (pa kualifikim) nga auditori i jashtëm, duke konfirmuar se ato paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare dhe performancën financiare të Bankës Qendrore, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.

Për vitin financiar 2025, BQK ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë euro. Në përputhje me Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (nenin 55, si dhe nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2), 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në si të hyra për buxhetin e shtetit, ndërsa 50 për qind alokohen në fondin e rezervave të përgjithshme të Bankës Qendrore.

Në bazë të këtyre dispozitave, 12 milionë euro nga të ardhurat e ndashme për vitin 2025 do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të BQK-së, në përputhje me kërkesat ligjore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare institucionale. Ky është viti i tretë radhazi që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro.

Miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër nga auditori i jashtëm dhe ndarja e të ardhurave për buxhetin e shtetit reflektojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes institucionale, administrimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies së BQK-së, në përputhje me mandatin e saj ligjor.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të kujdesshme, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë afatgjatë institucionale.

Pasqyrat financiare vjetore, së bashku me raportin e auditorit të jashtëm, do të publikohen dhe dorëzohen në pajtim me kërkesat ligjore për raportim dhe transparencë.

Komunikata 🔗 https://short-url.org/1vRZH

Want your business to be the top-listed Government Service in Pristina?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Category

Address


Luan Haradinaj 2
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:00
Tuesday 08:00 - 16:00
Wednesday 08:00 - 16:00
Thursday 08:00 - 16:00
Friday 08:00 - 16:00