03/06/2026
ShKShMK pjesëmarrëse në recepcionin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë.
Më 02.06.2026, me ftesë të Ambasadës së Republikës së Italisë në Prishtinë, përfaqësuesit e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) morën pjesë në recepcionin e organizuar me rastin e shënimit të 80-vjetorit të themelimit të Republikës së Italisë.
Me këtë rast, ShKShMK uron popullin italian dhe përfaqësuesit diplomatikë të Republikës së Italisë për këtë jubile të rëndësishëm kombëtar, duke u dëshiruar paqe, mirëqenie dhe suksese të vazhdueshme në zhvillimin e mëtejmë të vendit dhe forcimin e vlerave demokratike.
Njëkohësisht, shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që Italia dhe institucionet e saj kanë ofruar ndër vite për Kosovën, si dhe për kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme, përfshirë edhe kërkim-shpëtimin malor.
ShKShMK mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit profesional dhe miqësor me partnerët italianë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në interes të sigurisë, menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
Urime Dita e Republikës së Italisë dhe 80-vjetori i saj! 🇮🇹🇽🇰
27/05/2026
Të gjithë besimtarëve të besimit Islam, urime festa e Kurban Bajramit!
26/05/2026
🚨 Shpëtohet bjeshkatari gjerman në Luboten.
Sot, më datë 26.05.2026, numri kujdestar i ShKShMK ka pranuar një thirrje emergjente për ndihmë nga zona e majës së Lubotenit.
Një grup bjeshkatarësh nga vende të ndryshme të Evropës ishin duke zhvilluar aktivitet bjeshkatar në majën e Lubotenit, ku gjatë kthimit një bjeshkatar me nacionalitet gjerman, P.J., 48 vjeçar, ka rrëshqitur në faqen lindore të mbuluar me borë, duke rënë rreth 500 metra në terren të thepisur dhe si pasojë ka pësuar lëndime të shumta trupore, duke i pamundësuar lëvizjen.
Menjëherë pas pranimit të informatës dhe koordinatave të vendngjarjes, ShKShMK ka mobilizuar dy skuadra të shpëtuesve malorë dhe ka filluar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas arritjes në vendin e ngjarjes, ekipet tona i kanë ofruar ndihmën e parë të lënduarit, kanë bërë imobilizimin e tij dhe kanë realizuar evakuimin në kushte të vështira malore.
I lënduari është bartur me metoda specialistike të shpëtimit malor dhe më pas është transportuar me automjete 4x4 deri te pika e takimit me autoambulancën.
Fatmirësisht, gjendja e tij raportohet stabile, pavarësisht lëndimeve të shumta të pësuara.
Ky operacion është zhvilluar në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, Ambasadën Gjermane, Shërbimin e Urgjencës në Ferizaj dhe autoritetet tjera relevante.
Të lënduarit i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në gjendje të mirë shëndetësore.
© ShKShMK – Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës
26/05/2026
OPERACION!
ShKShMK është duke e zhvilluar një operacion shpëtimi në malet e Sharrit , në zonën e majës së Lubotenit.
Për më shumë informata, ju informojmë me kohë.
16/05/2026
Në momentet më të vështira, humanizmi, solidariteti dhe respekti për jetën njerëzore marrin kuptimin e tyre më të madh.
Falënderojmë familjen e Fabio D’Elfant për këtë gjest prekës dhe mbështetjen ndaj ShKShMK-së. Ky solidaritet dhe vlerësim për punën e shpëtuesve tanë vullnetarë është motivim i madh për të vazhduar misionin tonë me përkushtim dhe përgjegjësi.
Kujtimi për Fabian do të mbetet gjithmonë pjesë e rrugëtimit dhe misionit tonë në male.
🙏
14/05/2026
Kërkim në ujërat e rrëmbyeshëm të Lumbardhit të Deçanit
Me datën 12.05.2026, ShKShMK ka pranuar një thirrje urgjente për një rast aksidenti në Lumbardhin e Deçanit, ku dyshohej se një qytetare kishte rënë nga diga në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit.
Me të marrë lajmin, stacionet e ShKShMK-së në Deçan dhe Pejë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa pas një kohe të shkurtër operacionit i janë bashkangjitur edhe ekipet nga stacionet e Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Së bashku me institucionet relevante, si Njësia e Zjarrfikësve të Deçanit dhe Policia e Kosovës, është filluar operacioni i kërkimit përgjatë rrjedhës së lumit dhe në vorbullën e ujit pranë digës së lartcekur.
Për shkak të kushteve të pafavorshme dhe rrezikshmërisë së lartë, nuk ka qenë i mundur kërkimi fizik duke hyrë në ujë, sidomos në pjesën e rrjedhës pranë digës. Andaj, teknikët tanë kanë ngritur një urë me litar, ku më pas janë intensifikuar kërkimet duke përdorur metoda alternative të operimit dhe kërkimit.
Ky operacion kërkim-shpëtimi ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së datës 12.05.2026, ndërsa kërkimet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së nesërme, me datën 13.05.2026.
Me datën 13.05.2026, operacionit të kërkimit i janë bashkangjitur edhe ekipet e kërkim-shpëtimit ujor nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me të cilët është vazhduar koordinimi dhe operacioni i përbashkët i kërkimit, i cili fatkeqësisht nuk kishte rezultuar me gjetjen e viktimës.
Sot, me datën 14.05.2026, rreth orës 14:00, nga disa kalimtarë të rastit është hasur trupi i pajetë i viktimës me inicialet Sh.P., në një lokacion rreth 7.5 km largësi nga diga, përgjatë rrjedhës së lumit.
Në operacionin e tërheqjes së trupit kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Njësisë së Zjarrfikësve, si dhe një ekip i ShKShMK-së.
Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira për shkak të rrjedhës së fuqishme të ujit dhe terrenit të rrezikshëm, duke kërkuar angazhim maksimal dhe përdorim të teknikave të specializuara të kërkim-shpëtimit malor dhe ujor.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimës.
ShKShMK përgëzon të gjithë pjesëmarrësit në këtë mision për bashkëpunimin, koordinimin dhe mbi të gjitha për frymën humane dhe vetësakrifikuese të treguar nga pjesëtarët e institucioneve tona dhe qytetarët e përfshirë në këtë operacion.
© ShKShMK 2026 – Të gjitha të drejtat e rezervuara.
12/05/2026
ShKShMK siguron garën “Prishtina Trails 2026”
Me ftesë të Klubit të Vrapimit X Trailers, organizator i garës “Prishtina Trails 2026”, me datën 10.05.2026 ekipet e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë qenë të angazhuara në sigurimin operacional dhe monitorimin e kësaj ngjarjeje sportive.
Aktiviteti është zhvilluar në zonën malore të Gërmisë dhe ka mbledhur rreth 500 garues vendas dhe ndërkombëtarë, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme sportive në natyrën e kryeqytetit.
Gjatë zhvillimit të garës, ekipet e ShKShMK kanë intervenuar në disa raste të lëndimeve të lehta, duke ofruar ndihmën e parë dhe asistencën e nevojshme mjekësore për garuesit në terren.
Përmes pranisë së ekipeve tona, qëllimi kryesor ka qenë garantimi i një mjedisi sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetja e zhvillimit të sigurt të aktiviteteve sportive në ambient malor.
Përgëzojmë organizatorët për nivelin profesional të organizimit, si dhe të gjithë vrapuesit për energjinë, disiplinën sportive dhe frymën pozitive që ka mbretëruar gjatë gjithë aktivitetit.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës
27/04/2026
Nxënësit njohin botën e shpëtimit malor në Prishtina High School
Më datë 27 Prill, 2026, Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) u mirëprit në Ditën e Karrierës në Prishtina High School.
Shpëtuesit sjellën para nxënëseve prezantimin mbi punën profesionale të shpëtueseve malor. Përmes demonstrimeve praktike dhe aktiviteteve interaktive, nxënësit patën mundësinë të provojnë nga afër disa teknika improvizuese të shpëtimit malor, pajisje që përdoren në terren dhe menyrën se si funksionon dhe cili është roli i shpëtueseve malor.
Faleminderit Prishtina High School për ftesën dhe mikëpritjen, si dhe stafit mësimor dhe nxënësve për energjinë pozitive dhe interesimin e shprehur.
Njohja e nxënësve me fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe me rolin e shpëtuesve malorë ka vlerë të veçantë, sepse i frymëzon të kuptojnë rëndësinë e profesioneve që kërkojnë përgjegjësi, guxim dhe gatishmëri për sigurimin dhe mbrojtjen e jetës së njeriut në zona malore dhe terrene të vështira.
©️ShKShMK
22/04/2026
ShKShMK pjesë e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës
Më datë 22.04.2026, Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) mori pjesë në cermoninë solemne për ditën botërore të Tokës.
Me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministres se Mjedisitit dhe Planfikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe përfaqësues të shoqatave mjedisore dhe aktivistë për mbrojtjen e natyrës, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës.
Përmes këtij memorandumi u hodh një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së natyrës dhe rritjes së përgjegjësisë qytetare ndaj mjedisit.
ShKShMK duke vepruar në terren, dhe zona malore, njeh nga afër vlerën e natyrës por edhe rreziqet që i kanosen asaj nga ndotja, degradimi dhe pakujdesia njerëzore. Për këtë arsye, përfshirja jonë në këtë gardë është vazhdimësi e misionit tonë: të mbrojmë jetën, njerëzit dhe ambientin ku jetojmë.
©️ShKShMK
20/04/2026
ShKShMK, me datat 17–19.04.2026, ka marrë pjesë në takimin e shërbimeve të shpëtimit malor të rajonit, i organizuar nga Unioni i Shpëtimit Malor i Maqedonisë së Veriut НСПС - Национален Сојуз за Планинско Спасување . Ky takim është zhvilluar në Qendrën e Shpëtimit Malor në Ohër.
Takimi ka pasur për qëllim tubimin e ekipeve kombëtare të shpëtimit malor nga rajoni, ku janë diskutuar tema që lidhen me thellimin e bashkëpunimit, ngritjen e standardeve në përputhje me kërkesat e ICAR, si dhe çështje të tjera me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve operacionale.
Falënderojmë për organizimin e shkëlqyer nikoqirin dhe të gjithë pjesëmarrësit.