02/06/2026
🌊🤝 Së bashku për një rini më të sigurt dhe më të përgatitur!
Ishte një kënaqësi dhe privilegj i veçantë për ne që, në bashkëpunim me AME-në, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit e Prishtines , Mitrovicës dhe Prizrenit, të organizonim kampin edukativ për nxënësit e shkollave të mesme nga tri komuna të Kosovës, në Liqenin e Ujmanit.
Përmes aktiviteteve praktike dhe trajnimeve të specializuara, të rinjtë patën mundësinë të zhvillojnë aftësi të rëndësishme të mbijetesës, kërkim-shpëtimit dhe dhënies së ndihmës së parë. Këto njohuri jo vetëm që rrisin sigurinë personale të tyre, por kontribuojnë edhe në krijimin e një brezi më të përgjegjshëm, më të vetëdijshëm dhe më të gatshëm për të vepruar në situata emergjente.
Ne besojmë se investimi në edukimin dhe aftësimin e të rinjve është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të aksidenteve dhe minimizimit të rreziqeve që mund të paraqiten në jetën e përditshme.
Falënderojmë të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit që e bënë të mundur këtë kamp dhe që kontribuojnë vazhdimisht në ndërtimin e një komuniteti më të sigurt për të gjithë.
EdukimiIRinisë KërkimShpëtimi NdihmaEPare Ujmani Bashkëpunim Parandalim RiniaJonë
01/06/2026
NJOFTIM
Me sukses është përfunduar trajnimi dyditor i mbajtur në Kampin Bondsteel më 30-31 maj 2026, në bashkëpunim me Camp Bondsteel Fire Department dhe Task Force Med.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushat e ndihmës së parë, kujdesit taktik mjekësor (TECC), menaxhimit të incidenteve, kërkimit primar, nxjerrjes së personave nga automjetet e aksidentuara, furnizimit me ujë për fikjen e zjarreve, si dhe operacioneve të tjera emergjente.
Në këtë trajnim morën pjesë Zjarrfikësit e Mitrovicës së Jugut dhe Ekipin e Emergjencës së Mitrovicës së Jugut.
Falënderojmë organizatorët dhe instruktorët për profesionalizmin dhe kontributin e tyre në ngritjen e kapaciteteve të ekipeve tona për reagim në situata emergjente.
Së bashku për më shumë siguri dhe gatishmëri në shërbim të qytetarëve. 🚑🚒🇽🇰
24/05/2026
Njoftim.
Pas kërkimeve intensive gjatë gjithë natës, është bërë e mundur gjetja e personit të humbur në orët e para të mëngjesit, në fshatin Reqan të komunës së Prizrenit.
Operacioni është realizuar me sukses falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtim, zjarrfikësve të Prizrenit dhe Policisë së Kosovës.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin në këtë operacion.
23/05/2026
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka marrë një thirrje nga Policia e Kosovës, zjarrëfikësat e Prizrenit dhe numri emergjent 112 për një person të humbur në Prizren, gjendja shëndetësore e të cilit ende nuk dihet.
Anëtarët tanë janë mobilizuar menjëherë pas pranimit të thirrjes dhe tashmë ndodhen në terren. Shpresojmë në gjetjen sa më të shpejtë dhe të sigurt të personit në fjalë.
04/05/2026
Sot patëm kënaqësinë të jemi pjesë e aktivitetit tradicional të organizuar nga zjarrfikësit e Brigada e Zjarrfikësve të Mitrovicës, në kuadër të shënimit të Ditës së Zjarrfikësve. Në këtë aktivitet ne inskenuam një rast shpëtimi, ku u demonstrua evakuimi i një personi të lënduar nga një ndërtesë 8 katëshe përmes teknikës së lëshimit me litarë. Ky demonstrim tregoi profesionalizmin, gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në situata emergjente, duke theksuar përkushtimin e zjarrfikësve për sigurinë dhe shpëtimin e jetëve.
Një falënderim i veçantë për zjarrfikësit për ftesën, mikpritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi me ta, duke dëshmuar se puna e përbashkët dhe koordinimi janë thelbësore në shërbim të komunitetit dhe në menaxhimin e situatave emergjente.
29/04/2026
Në kuadër të Ditëve të AME-së (Agjencia e Menaxhimit Emergjent), Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim prezantoi sot mjetet, pajisjet dhe kapacitetet e saj në Sheshi Zahir Pajaziti.
Në këtë aktivitet, krahas nesh ishin të pranishëm edhe NJSO, Zjarrfikësit dhe Qendra Emergjente e Kosovës, të cilët prezantuan rolin, kapacitetet dhe gatishmërinë e tyre në menaxhimin e situatave emergjente, sigurinë publike dhe ofrimin e ndihmës së shpejtë.
Gjatë këtij aktiviteti, patëm kënaqësinë të mirëpresim një numër të madh qytetarësh, të cilët nga afër u njohën me aktivitetet, intervenimet dhe angazhimin e përditshëm të të gjitha strukturave pjesëmarrëse në fushën e kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të emergjencave.
Përmes këtij prezantimi, synuam të afrojmë qytetarët më pranë misionit tonë dhe të rrisim vetëdijen për rëndësinë e përgatitjes, reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të komunitetit.
Falënderojmë të gjithë vizitorët për interesimin dhe mbështetjen e tyre! 🚑🚨🤝
28/04/2026
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ishte pjesë e ceremonisë hapëse të Ditëve të AME-së (Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave), ku patëm mundësinë të prezantojmë potencialin, kapacitetet dhe pajisjet që mbështesin anëtarët tanë në intervenimet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ishte kënaqësi të prezantonim nga afër punën, misionin dhe shërbimet që Shoqata jonë ofron për qytetarët tanë, duke dëshmuar përkushtimin dhe gatishmërinë tonë në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës.
Njëkohësisht, ishte privilegj të mirëprisnim përfaqësues të institucioneve tona, si dhe nxënës e fëmijë të shkollave, të cilët janë e ardhmja dhe shpresa për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më të përgatitur. 🤝🚑🚨
26/04/2026
Trajnimi i radhës i shoqatës u fokusua në një nga procedurat më të rëndësishme të ndërhyrjes emergjente: lëshimin e personit të lënduar me barelë nga lartësia.
Përmes ushtrimeve praktike dhe koordinimit të ekipit, pjesëmarrësit forcuan aftësitë për reagim të sigurt, të shpejtë dhe profesional në situata sfiduese.
Siguria, përgatitja dhe puna ekipore mbeten prioriteti ynë kryesor. 💪