27/03/2023
LB mbështet marshin “Marshojmë për Drejtësi”
Të dielën, më 2 prill, Platforma “LIRIA KA EMËR” ka organizuar marsh protestues në shenjë solidarizimi me ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët do të dalin para gjyqit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Duke qenë se Lëvizja për Bashkim, që nga përpjekjet e para për krijimin e kësaj gjykate, ka qenë kundër dhe e ka parë këtë institucion si përpjekje për ndryshimin e së vërtetës dhe historisë;
Duke qenë se padrejtësia si ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ashtu edhe ndaj Kosovës në përgjithësi, është aq e madhe dhe aq e dukshme;
Duke parë heshtjen e patolerueshme të institucioneve të Kosovës karshi kësaj padrejtësie,
Lëvizja për Bashkim e ka parë organizimin e kësaj proteste të nevojshme dhe të domosdoshme.
Prandaj Lëvizja për Bashkim do ta mbështesë, do të marrë pjesë dhe i fton të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që t”i përgjigjen kësaj ftese.
Të dalim e të marshojmë të gjithë së bashku!
Marshi mbahet më 2 prill dhe fillon te sheshi "Zahir Pajaziti", për të vazhduar drejt shesh*t "Skenderbeu".
19/03/2023
Një “marrëveshje” që nuk zgjidh gjë!
Ashtu sikurse që u bë e njohur për publikun, më 18 mars, nuk pati marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga deklaratat e tri palëve pas takimit, Kosova dhe Serbia, pas një presioni të madh të BE-së dhe SHBA-së, janë pajtuar për të zbatuar planin e BE-së, i cili në realitet, jo që nuk zgjidh gjë, por i komplikon tutje raportet Kosovë-Serbi.
Në Ohër, u vazhdua rruga e gabuar e bisedimeve të qeverive të kaluara, që të bisedohet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës dhe u “harruan” shqiptarët e Kosovës Lindore, pra Kryeministri Kurti “harroi” reciprocitetin si parim të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; njohja ndërmjet dy vendeve u zëvendësua sërish me “njohjen faktike” të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, njohje, të cilën e kanë “siguruar” shumë herë më parë edhe qeveritë e kaluara; rreziku nga implementimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, u zëvendësua me paqartësinë rreth “vet-menaxhimit” të komunitetit serb në Kosovë; dhe mbi të gjitha, në horizont duken qartazi tendencat e të dyja palëve për vazhdimin e status quo-s dhe zvarritjes së zgjidhjes së problemeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lëvizja për Bashkim thekson se qeveria e Kosovës, duke ndjekur rrugën e gabuar, e ka futur vendin në presion të fuqishëm ndërkombëtar për zbatimin e një marrëveshjeje, që, në fund të fundit, nuk është zgjidhje.
Lëvizja për Bashkim, edhe një herë deklaron se pa shtrimin e drejtë për zgjidhje të problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra pa reciprocitet në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve, nuk do të ketë marrëveshje finale, nuk do të ketë zgjidhje e as pajtim të dy vendeve.
Lëvizja për Bashkim
19.3.2023
07/03/2023
Intervistë e Kryetarit të LB-së, z. Valon Murati dhënë gazetës online, Nacionale.com
Intervistë | Murati: Plani i BE-së e fuqizon sovranitetin e jashtëm të Kosovës, por e dobëson atë të brendshmin - NACIONALE
I pari i LB-së, Valon Murati, ka shprehur shqetësimet e tij për Planin e BE-së. Ai ka bërë me dije se ky dokument do ta bëj Kosovën shtet jo funksional në aspektin e brendshme. Sipas tij, privilegjet kushtetuese të serbëve, asociacioni dhe status i ...
01/03/2023
Propozimi evropian – një marrëveshje që e largon edhe më tepër zgjidhjen
Pas zyrtarizimit të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, opinioni publik pati mundësi që ta shohë përmbajtjen e plotë dhe zyrtare të këtij propozimi.
Në tërësinë e tij, ky propozim jo vetëm që nuk e trajton drejt problematikën në mes të Kosovës dhe Serbisë, por shkon edhe më tutje: plani e komplikon dhe kështu e vështirëson edhe më shumë zgjidhjen e problemeve reale të mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, si për nga mënyra e trajtimit të pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe për faktin se propozon zgjerim të mëtutjeshëm të privilegjeve për serbët e Kosovës dhe forcon lidhjen legale të “komunitetit të vet-menaxhuar” me Serbinë.
Ajo që shërben si mashtrim i madh, është pjesa e planit që flet për integrimet evropiane, duke e shmangur kërkesën për njohje të Kosovës nga Serbia në tëresi.
Për të qenë edhe më e rëndë pesha e dëmit nga plani, edhe në pikën 10 të planit, por sidomos me pjesën e aneksit të planit (ende jozyrtare), Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe!
Është mjaft i çuditshëm dhe shumë i rrezikshëm fakti se kryeministri i Kosovës qenka pajtuar me këtë plan. Qytetarët me plot të drejt pyesin: ku mbetën 6 kushtet e kryeministrit tonë?! Ku mbeti njohja e Kosovës?! Ku mbeti reciprociteti në të drejta i veriut të Kosovës me Luginën?! Apo të gjitha këto janë vetëm për konsum të brendshëm e për manipulim të qytetarëve!?
Lëvizja për Bashkim është pa dyshimin më të vogël kundër miratimit të këtij plani. Ky plan, - së bashku me asociacionin dhe autonominë për serbët, të kamufluar në brendësi të planit, - paraqet një të keqe të madhe dhe afatgjatë për Kosovën.
Lëvizja për Bashkim,
Prishtinë, 1.3.2023
13/02/2023
Asociacioni i komunave me shumicë serbe – një e keqe afatgjate
Kohëve të fundit është shtuar shumë presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ky asociacion jo vetëm që nuk do të paraqiste kurrfarë zgjidhje në raportet Kosovë-Serbi, por edhe si një hap vetëm sa do ta komplikonte dhe e vështirëson zgjidhjen e problemeve e mosmarrëveshjeve që i kanë këto dy vende.
Për më keq, një asociacion i mundshëm, si me kompetenca ekzekutive, si pa to, kur t’i shtohen edhe privilegjet e fituara pa të drejtë nga decentralizimi e deri te fuqia juridike e serbëve në Kuvendin e Kosovës, atëherë na ravijëzohet qartazi tendenca e Serbisë për një autonomi territoriale e politike të serbëve në Kosovë.
Lëvizja për Bashkim është pa asnjë mëdyshje kundër formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe! Kosova e Serbia vërtet kanë çështje të pazgjidhura dhe duhet t’i shtrojnë ato për zgjidhje, por jo në kurriz të njëra-tjetrës, e, siç ka ndodhur deri më tani, jo në kurriz të Kosovës.
Lëvizja për Bashkim e thotë qartazi dhe zëshëm se reciprociteti në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve është rruga e duhur dhe vetme për zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 13.2.2023
01/02/2023
Me këtë koeficient Ligji për Pagat do të prodhojë jo qetësi, por pakënaqësi sociale!
Ka kohë që Qeveria e ka mbajtur “të fshehur” vlerën e koeficientit për pagat e sektorit publik! Dhe për këtë vërtet p***a pasur arsye të fortë!
Vlera e koeficienti (105) e shpallur sot as për së afërmi nuk i përgjigjet nevojave të punëtorëve të sektorit publik dhe zhvillimeve ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Prandaj ky ligj, respektivisht kjo vlerë e koeficienti nuk do të prodhojë qetësi sociale, por, përkundrazi do të na shpie drejt pakënaqësive sociale e dukurive tjera negative në shoqërinë tonë siç është largimi i punëtorëve nga ky sektor, apo edhe vazhdimi i braktisjes së Kosovës!
Reagime të arsyeshme dhe të menjëhershme kanë ardhur nga shumë sektorë, si sektori i ushtrisë, policisë e ai i shërbyesve civil!
Politika e pagave të ulëta e pastaj ndihmave të qeverisë është një politikë e mjerimit dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor!
Ky ligj e ky vlerësim i koeficientit nuk është as për së afërmi ajo çka kanë pritur dhe çka meritojnë qytetarët tanë.
Qeveria duhet menjëherë ta tërheq këtë vlerësim të gabuar dhe ta bëjë rivlerësimin meritor, përndryshe do të jetë vetë Qeveria përgjegjëse për të gjitha pasojat që do të prodhojë ky ligj e ky vlerësim!
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 1.2.2023
27/12/2022
Jo zgjidhja e çështjeve, por moszgjidhja e tyre mund të çojë në luftë
Situata në në veri është mjaft e nderë dhe e mbarsur me rrezikun për përshkallëzim të paparashikueshëm.
Qeveria e Kosovës që nga fillimi nuk është dashur të lejojë që të vijë situata deri këtu, por së paku tani duhet ta ketë parasysh se çdo përshkallëzim i saj mund të sjellë deri te rëndimi i mëtutjeshëm i situatës dhe deri te viktima të pafajshme e të panevojshme.
Kryeministri Kurti, duke qenë kundër “shkëmbimit të territoreve” që do të duhej të realizohej duke respektuar vullnetin e qytetarëve të cilët jetojnë në vazhdimësi territoriale me shtetin amë, po del hapur kundër vetëvendosjes së kombeve dhe rrjedhimisht edhe kundër zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës e Serbisë. Kjo politikë e tij mbart në vete rrezikun e përhershëm të një konflikti të armatosur, që nuk i duhet askujt. Për më tepër kjo politikë vazhdon të injorojë çështjen e Kosovës Lindore, e që e vendos vetë Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe shqiptarët në Kosovën Lindore i lë nën mëshirën e Serbisë.
Edhe thirrjet e opozitës për intervenim në veri janë dashakeqe dhe të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj. Këto përpjekje të opozitës janë nxitje e qeverisë për ta thelluar gabimin, në ndërkohë që gabimet e mëtutjeshme nuk do të rëndonin vetëm mbi qeverinë, por mbi krejt Kosovën.
Çështja e veriut të Kosovës është ekskluzivisht çështje politike dhe zgjidhet vetëm me mjete politike. Çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje me mjete policore apo ushtarake, nga cilado anë qoftë, do të sjellë gjendje edhe më të rëndë, e me pasoja edhe më të mëdha.
Kushdo që tenton ta përdorë forcën në veri duhet ta ketë parasysh se në mënyrë automatike e aktivizon forcën ushtarake të KFOR-it, si forca e vetme e thirrur për çështjen e paqes dhe sigurisë në atë pjesë të Kosovës. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë dhe t’i acarojë raportet me faktorët ndërkombëtarë (SHBA e BE), e posaçërisht në këto rrethana me KFOR-in. Acarimi i raporteve të Kosovës me forcat e KFOR-it, apo të NATO-s në asnjë rast nuk janë në interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Lëvizja për Bashkim
27.12.2022
23/12/2022
MOMENTI KËRKON PËRGJIGJE
A ËSHTË E MUNDSHME ZGJIDHJA PAQËSORE, APO DUHET KONFRONTIM ME DHUNË NË VERIUN E KOSOVËS
Subjektet politike, e sidomos qeveria, duhet t’i vlerësojnë me gjakftohtësi konfliktet politike, me theks të veçantë ato ndërkombëtare, sidomos kur janë pjesë e atyre konflikteve.
Të kujtojmë se organizatat politike të cilat u angazhuan për organizim luftarak në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e ftuan popullin në luftë për liri dhe i prinë asaj lufte. Por këtë e bënë pas analizave historike dhe të gjendjes faktike të kohës, të cilat çuan në përfundimet se lufta është e domosdoshme, nëse duam ta fitojmë lirinë; dhe e pashmangshme, për shkak të rrethanave. Prandaj, thirrja për organizim luftarak, edhe pse e dhimbshme për çmimin që duhej paguar, ishte e drejtë dhe, me ndihmën e miqve, doli edhe e suksesshme.
Si rezultat i asaj lufte, në vitin 2008 Republika e Kosovës u shpall e pavarur. Mirëpo, edhe para vitit 2008, sikurse deri më sot, veriu i vendit nuk qeveriset nga Qeveria e Kosovës.
Në muajt e fundit temperatura politike rreth dialogut, e cila e nxeh më së shumti veriun, është ngritur shumë. Pyetja kryesore e këtij momenti, e cila rishtrohet, është: a është e mundshme zgjidhja paqësore, apo duhet ndërhyrje me forcë në veriun e vendit për ta ushtruar sovranitetin?
Natyrisht se duhet të përgatitemi gjithmonë dhe sa më mirë, që t’iu përgjigjemi situatave, të cilat edhe mund të çojnë në konflikte të armatosura. Por këtë gatishmëri nuk e dëmton vlerësimi dhe deklarimi i qartë e i zëshëm se situata aktuale në veriun e vendit - dhe përgjithësisht çështja e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - është çështje politike dhe se mund të zgjidhet me marrëveshje paqësore. Kjo gatishmëri dhe ky vizion politik sot është në përputhje edhe me rrethanat ndërkombëtare e me qasjen që kanë partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe pas këtij vlerësimi e deklarimi, politika të angazhohet fort dhe sinqerisht për këtë zgjidhje.
Zgjidhja paqësore dhe e qëndrueshme është futja e Kosovës Lindore në dialog, me kriterin e reciprocitetit të plotë ndërmjet veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore, që nënkupton reciprocitet prej të drejtave elementare, e deri në ripërcaktim të kufirit Kosovë-Serbi. Forcat politike në Kosovë duhet të ndalojnë demonizimin e kësaj mundësie për zgjidhje, e cila është e vetmja zgjidhje në rrethanat aktuale.
As Kosova, as ndonjë individ a grup brenda saj, nuk duhet të kërkojë raste që të shtojë krenarinë në kurriz të dëshmorëve të rinj.
Republika e Kosovës nuk duhet të pushojë së kërkuari mundësi që Kosova Lindore të gjejë zgjidhjen që meriton, e me këtë edhe paqe të qëndrueshme.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 23.12.2022
16/12/2022
Vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte
Sot Dhomat e Specializuara me seli në Hagë shpallën dënimin drakonik ndaj luftëtarit të lirisë, Sali Mustafës.
Që nga mënyra e krijimit, - nga presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës dhe mbi përfaqësues të saj, nga kërcënimi publik se “nëse nuk e formojmë ne, e formon Rusia në kuadër të OKB-së”, e deri te qëllimi i hapur i saj (“të dy palët fajtore” dhe “pajtimi i palëve”), - ka qenë e qartë se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por do të shpallë vetëm vendime politike. Kjo edhe ndodhi sot.
Lëvizja për Bashkim, pa asnjë luhatje, që nga fillimi ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, e veçanërisht jo para se ta marrë dënimin e merituar agresori dhe mekanizmat e tij, të cilët janë përgjegjës për shumë masakra të tmerrshme në Kosovë dhe për mijëra dhunime e për shkretimin e plotë të Kosovës.
Lëvizja për Bashkim mbetet e paluhatur dhe e bindur thellë se, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë e të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta njollosur atë, lufta jonë ka qenë e drejtë e çlirimtare!
Kryesia e Lëvizjes për Bashkim
Prishtinë, 16.12.2022
23/11/2022
Luftë e çmendur militantësh naivë: “Ju jeni me Vuçiqin”, “Ju po i shërbeni Serbisë e Rusisë”, “Ju keni bërë kompromise dhe po kërkoni të bëhen ende”, “Ju po na prishni me Amerikën e me aleatët dhe kështu po i shërbeni Serbisë” etj., - janë akuzat kryesore që i bëjnë militantët e LVV-së në njërën anë, dhe të PDK-së, LDK-së e AAK-së, në anën tjetër.
Por cila është e vërteta?