06/06/2026
MBRËMJA E SEMIMATURËS
Pas çdo sfide, sakrifice e përpjekjeje, qëndron përkushtimi dhe forca për të ecur përpara. Kjo mbrëmje nuk është vetëm përmbyllja e një kapitulli, por fillimi i një rrugëtimi të ri plot ëndrra, synime dhe suksese.
Me kujtime të bukura, buzëqeshje dhe emocione të veçanta, nxënësit tanë po mbyllin një periudhë të rëndësishme të jetës së tyre, duke lënë gjurmë në korridoret e shkollës dhe në zemrat e mësimdhënësve.
Ju urojmë që çdo hap tutje të jetë i mbushur me dije, guxim dhe arritje. Mbani gjithmonë me vete kujtimet e kësaj mbrëmjeje dhe mos ndalni kurrë së besuari në veten tuaj.
Suksese në çdo rrugëtim që ju pret!
05/06/2026
Në kuadër të shënimit të Festës së Abetares, Aktivi i klasave të para organizoi një sërë aktivitetesh edukative, kulturore dhe rekreative, të cilat u realizuan me shumë kreativitet, përkushtim dhe entuziazëm. Kjo ditë e veçantë për nxënësit tanë u karakterizua nga momente të bukura, buzëqeshje dhe aktivitete që festuan një nga arritjet më të rëndësishme në rrugëtimin e tyre shkollor, mësimin e shkronjave dhe leximin e fjalëve të para.
Nxënësit zhvilluan vizita në Parkun e Gërmisë dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku patën mundësinë të kalojnë kohë cilësore së bashku, të argëtohen dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme që nxisin socializimin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm. Gjithashtu, në ambientet e shkollës u realizuan aktivitete kreative dhe festive, të cilat i dhanë kësaj dite një atmosferë të veçantë gëzimi dhe krenarie.
Festa e Abetares mbetet një ndër momentet më të rëndësishme në jetën e çdo nxënësi, pasi shënon përfundimin me sukses të hapit të parë drejt botës së dijes. Falënderojmë mësueset e klasave të para për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në organizimin e këtyre aktiviteteve, si dhe prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin arsimor të fëmijëve tanë.
03/06/2026
Në shkollën tonë u realizua me sukses aktiviteti sportiv “Curling”, një përvojë e veçantë edukative dhe rekreative që ngjalli interesim, entuziazëm dhe pjesëmarrje aktive nga nxënësit tanë. Përmes kësaj loje, nxënësit patën mundësinë të njihen me një sport më pak të zakonshëm, duke zhvilluar njëkohësisht aftësitë e tyre motorike, koordinimin, bashkëpunimin dhe frymën e garës së ndershme.
Ky aktivitet u udhëhoq nga z. Hivzi Metaj, mësimdhënës i Edukatës Fizike, i cili në mënyrë vullnetare ndau kohën, përvojën dhe profesionalizmin e tij me nxënësit e shkollës sonë. Angazhimi i tij dëshmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit dhe të kontributit që profesionistët e arsimit japin përtej institucionit ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për z. Hivzi Metaj për gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar në realizimin e këtij aktiviteti, si dhe falënderojmë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit që u bënë pjesë e kësaj dite të veçantë sportive. Aktivitete të tilla pasurojnë jetën shkollore, promovojnë stilin e shëndetshëm të jetesës dhe krijojnë kujtime të bukura në rrugëtimin edukativ të nxënësve tanë.
02/06/2026
TALENT I KËNGËS.
Akea Berisha, nxënëse e edukatores Sahadete Xhukolli, me rastin e Ditës së Fëmijëve - 1 Qershori - ka lansuar këngën e re!
Me talentin që posedon Akea, shpejt zëri i saj do të dëgjohet kudo!
Urime Akea!
AKEA BERISHA "JAM PARAFILLOR" ©bini production
🎼 Muzika dhe orkestrimi: Afrim Hajdari📃 Teksti: Afrim Hajdari📽 Kamera dhe editimi: Bini ProductionTë drejtat autoriale janë të rezervuara nga Bini Product...
01/06/2026
KIMISTËT E RINJ- 1 QERSHORI ME EKSPERIMENTE DHE BUZËQESHJE
Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Grupi i Kimistëve të rinj realizoi një vizitë edukative në Departamentin e Kimisë, ku nxënësit patën mundësi të ndjekin nga afër demonstrime të ndryshme kimike, eksperimente interesante dhe aktivitete që zgjuan kureshtjen dhe dashurinë për shkencën.
Atmosfera ishte plot entuziazëm, mësim dhe emocion, ndërsa nxënësit shijuan një ditë ndryshe, të mbushur me dije dhe përvoja të reja.
Në fund të vizitës, grupi së bashku me arsimtaren Servete Ukaj, kaluan çaste të këndshme në ëmbëltoren e njohur “Elida” te Pallati i Rinisë, ku u ëmbëlsuan dhe festuan së bashku këtë ditë të veçantë për fëmijët.
01/06/2026
Më 8 maj 2026, nxënësja Mrika Zllanoga, nxënëse e mësueses Fikrije Robaj, vizitoi Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, me ftesë të atasheut të DOJ-ICITAP, Kimberly Riffe.
Vizita ishte shpërblim për fitoren e saj në kuizin e organizuar gjatë sesioneve të ICITAP-it për angazhimin e rinisë, të mbajtura në shkollë më 10 maj 2024, ku u trajtuan tema mbi sigurinë, policimin në bashkësi dhe sigurinë në internet.
Gjatë vizitës, nxënësja pati mundësi të njihej nga afër me misionin e Ambasadës dhe rëndësinë e angazhimit qytetar e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në fund, pjesëmarrësit u nderuan me një “challenge coin” nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Jemi krenarë për arritjen e Mrikës dhe falënderojmë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këto aktivitete edukative.
23/05/2026
Me kënaqësi njoftojmë se nxënësja Arsea Gashi, nga klasa III-7 e klasës së mësueses Nexhmije Qehaja, ka arritur një sukses të rëndësishëm në garën ndërkombëtare “Spelling Bee”, duke kaluar me sukses fazën e parë dhe duke u kualifikuar për fazën e dytë të garës. Ajo është vlerësuar gjithashtu me medalje të bronztë për performancën e saj të shkëlqyer.
Ky rezultat është dëshmi e përkushtimit, punës së vazhdueshme dhe talentit të Arseas në fushën e gjuhës angleze. Shkolla jonë shpreh krenari për këtë arritje dhe i uron asaj suksese të mëtejshme në fazat e ardhshme të garës ndërkombëtare.
Njëkohësisht, falënderojmë mësuesen e gjuhës angleze, Fisnike Mustafa, për angazhimin, mbështetjen dhe punën e vazhdueshme në përgatitjen dhe motivimin e nxënësve drejt arritjeve të tilla.
21/05/2026
Me mirënjohje dhe respekt të veçantë, falënderojmë Shtëpia Botuese Albas - Prishtinë, për donacionin e çmuar të dedikuar për Dhomën Burimore të shkollës sonë, në mbështetje të nxënësve me nevoja të veçanta.
Donacioni, i cili përfshin mjete dhe materiale edukative në vlerë mbi 100 euro, paraqet një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve më të mira për mësim, zhvillim dhe përfshirje të nxënësve tanë. Mbështetje të tilla kanë vlerë të veçantë, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin e procesit edukativo-arsimor dhe në fuqizimin e barazisë në arsim.
Veprimet humanitare dhe bashkëpunimi me institucionet arsimore janë shembull i përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj edukimit të gjeneratave të reja. Në emër të shkollës sonë, shprehim falënderimin më të sinqertë për Shtepinë Botuese Albas dhe u dëshirojmë shumë suksese në veprimtarinë e tyre të mëtejshme.