12/10/2026
📌 Dogana në 1 Javë | Përmbledhje e aktiviteteve kryesore
🔹 Administrata Doganore Shqiptare dhe Confindustria Albania zhvilluan Forumin Doganë–Biznes, ku u diskutua për lehtësimin dhe digjitalizimin e procedurave, statusin AEO, Dritaren e Vetme Kombëtare dhe Kodin e ri Doganor, në funksion të një mjedisi më transparent dhe të parashikueshëm për biznesin.
🔹 Përfaqësues të Doganës Shqiptare morën pjesë në takimin rajonal të CEFTA-s në Sarajevë, për zbatimin e rregullave preferenciale të origjinës, si dhe në Takimin e 29-të Administrativ të RILO ECE, ku u diskutua për analizën e riskut, shkëmbimin e informacionit dhe luftën kundër krimit doganor ndërkufitar.
🔹 Në Prishtinë, përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në trajnimin ndërkombëtar për kontrollin e ngarkesave ajrore, organizuar nga UNODC në partneritet me Organizatën Botërore të Doganave, me fokus identifikimin e dërgesave me risk të lartë dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm.
🔹 U përmbyll trajnimi pesëditor “Analiza e Riskut dhe Hetimi Doganor”, në bashkëpunim me Administratën Doganore Franceze, me fokus forcimin e kapaciteteve profesionale në analizën e riskut, hetimet doganore dhe kontrollin pas zhdoganimit.
🔹 Në Portin e Durrësit, gjatë kontrolleve të kësaj jave u konstatuan 4 raste me mallra të padeklaruara, përfshirë veshje, këpucë, parfume dhe aksesorë të markave të njohura, në sasi që tejkalonin kufirin e përjashtimit nga detyrimet doganore. Mallrat u bllokuan dhe u sekuestruan sipas procedurave ligjore.