21/10/2026
⚡ VENDIMMARRJET E BORDIT TË ERE-s | 20 TETOR 2026
Në mbledhjen nr. 45, të zhvilluar më 20 tetor 2026, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë mori vendime që lidhen me çmimet e blerjes së energjisë elektrike, zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes, detyrimet e prodhuesve, licencimin dhe autorizimet në sektorin e energjisë elektrike.
🔹 ÇMIMET E BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë, Bordi përcaktoi çmimet e blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit ekzistues me përparësi:
• Viti 2020: 8,0532 lekë/kWh
• Viti 2021: 7,448 lekë/kWh
FTL sh.a. duhet të kryejë rakordimin e sasive dhe faturave për prodhuesit e prekur nga vendimi, si dhe të raportojë në ERE mbi korrigjimet dhe mënyrën e shlyerjes së detyrimeve financiare.
Gjithashtu, Bordi miratoi çmimin 94,19 euro/MWh për vitin 2024, për energjinë elektrike të prodhuar nga prodhuesit ekzistues me përparësi nga burimet fotovoltaike, me kapacitet të instaluar deri në 2 MW. FTL sh.a. duhet të kryejë rakordimet dhe kompensimet përkatëse për prodhuesit që përfshihen në këtë kategori.
Këto janë çmime blerjeje për prodhuesit përkatës dhe jo tarifa të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët fundorë.
🔹 ZHVILLIMI I RRJETIT TË SHPËRNDARJES
Bordi miratoi Planin 5-vjeçar të Zhvillimit të Rrjetit të Shpërndarjes për periudhën 2023–2027, të paraqitur nga OSSH sh.a.
Plani përfshin investime për përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit, reduktimin e humbjeve, modernizimin e rrjetit dhe integrimin e kapaciteteve të reja prodhuese.
OSSH sh.a. duhet të raportojë çdo gjashtë muaj në ERE mbi realizimin fizik dhe financiar të investimeve.
🔹 DETYRIMET E PRODHUESVE TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Bordi vendosi unifikimin e afateve për depozitimin në ERE të dokumentacionit të testimit të veprës, duke përcaktuar detyrime të qarta për subjektet e licencuara në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike:
• Brenda 60 ditëve nga fillimi i prodhimit: për subjektet që do të licencohen në vijim dhe për ato të licencuara që ende nuk kanë filluar prodhimin, kur ky detyrim nuk është përcaktuar shprehimisht në vendimin e licencimit.
• Deri më 30 nëntor 2026: për subjektet që kanë filluar prodhimin, por nuk kanë përmbushur detyrimin për depozitimin e dokumentacionit brenda afatit të përcaktuar në licencë.
• Deri më 30 dhjetor 2026: për subjektet që kanë filluar prodhimin, por vendimi i tyre i licencimit nuk ka parashikuar shprehimisht një detyrim të tillë.
Kjo vendimmarrje synon të sigurojë trajtim të njëtrajtshëm të subjekteve dhe monitorimin e përmbushjes së detyrimeve të licencimit nga ERE.
🔹 LICENCIMI DHE MONITORIMI I SUBJEKTEVE
• “E VENTO srl ALBANIA” sh.p.k. – U vendos fillimi i procedurës për modifikimin e licencës së projektit eolik me kapacitet 72 MW, në Bashkinë Konispol. Ndryshimi i kërkuar lidhet me konfigurimin e turbinave, pa ndryshuar kapacitetin total të projektit.
• “GREEN ENERGY” sh.p.k. dhe “SOLAR HORIZON” sh.p.k. – U ndryshuan vendimet e licencimit, duke përcaktuar datën 30.11.2026 si afat për depozitimin e informacionit të përditësuar mbi strukturën organizative dhe stafin teknik. Mosplotësimi i detyrimit mund të sjellë masa për pezullimin e veprimtarisë së licencuar.
• “3AD ENERGY” sh.p.k. – U ndryshua vendimi i licencimit, duke shfuqizuar kushtet e përmbushura që lidhen me dokumentacionin kontraktor dhe fillimin e prodhimit të energjisë elektrike.
• “DESLA” sh.p.k. – U ndryshua vendimi i licencimit, duke shfuqizuar kushtin për fillimin e prodhimit, pasi shoqëria ka hyrë në operim në muajin maj 2026.
• “NOVA PROSPECT” sh.p.k. – U ndryshua vendimi i licencimit, duke shfuqizuar detyrimin për raportimin tremujor lidhur me ndryshimin e vlerës së investimit.
• “MAGNA SOLAR POWER” sh.p.k. – U ndryshua vendimi i licencimit, duke shfuqizuar kushtin për fillimin e prodhimit brenda afateve kontraktore, pasi shoqëria ka hyrë në operim në muajin shtator 2026.
• “FAETHON” sh.p.k. – U vendos refuzimi i kërkesës për licencim në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik me kapacitet 78,6 MW AC, në Bashkinë Libohovë, për shkak të mosdepozitimit të dokumentacionit mjedisor të kërkuar.
🔹 AUTORIZIME PËR “EZ-5 ENERGY” sh.p.k.
Bordi miratoi dy autorizime të veçanta për shoqërinë “EZ-5 ENERGY” sh.p.k., lidhur me:
• Vendosjen e kuotave të shoqërisë si garanci për përmbushjen e detyrimeve ndaj Banka OTP Albania sh.a.
• Vendosjen e aseteve fikse të shoqërisë si garanci për detyrimet ndaj së njëjtës bankë, duke përcaktuar edhe detyrimet përkatëse të njoftimit të ERE-s.
📌 ÇËSHTJE TË TJERA
Në mbledhje u trajtuan gjithashtu informacione lidhur me faturimin e disbalancave në tregun e energjisë elektrike, sigurinë e furnizimit gjatë sezonit veror, përdorimin e infrastrukturës së fibrës optike të OST-së dhe çështje të bashkëpunimit ndërkombëtar.
🔗 Për informacion më të detajuar mbi vendimmarrjet e Bordit, vizitoni faqen zyrtare www.ere.gov.al.