Ministria e Brendshme

Call Directions Website Contact the organization

Ministria e Brendshme Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Republika e Shqipërisë.

24/10/2026

APELI i Policia e Shtetit

24/10/2026

🔴 Deklaratë për media nga Policia e Shtetit

Përshëndetje!
Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.

U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale. Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët.

Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë.

Edhe një herë, apelojmë për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, në mënyrë që tubimi të zhvillohet paqësisht dhe pa cenuar sigurinë e askujt.

E drejta kushtetuese për t'u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë në terren do të veprojnë në përputhje me ligjin, duke respektuar parimin e proporcionalitetit në reagimin ndaj çdo akti dhune dhe paligjshmërie.
Faleminderit!

*Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike

24/10/2026
24/10/2026

Fjala e ministrit Ervin Demo në komunikimin që patën me Kryeministrin Rama, nga Kryeministria:

Faleminderit, Kryeministër!
Në fakt, unë do të doja të identifikoja specifikisht rëndësinë që ka tashmë procesi që Policia e Shtetit është duke ndjekur, për sa i përket identifikimit të vazhdueshëm që bën, të elementëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ditëve të fundit.

Janë një sërë burimesh informacioni që janë duke u përdorur, duke filluar me ato që janë publike, me vetë proklamacionin që kanë pasur media të ndryshme, për sa i përket protestave që kanë ndodhur. Po ashtu rrjetet sociale, dhe në të njëjtën kohë janë përfshirë edhe të gjitha imazhet e atyre institucioneve publike, apo private, prona private, apo publike, të cilat janë dhunuar gjatë këtyre ditëve.

Ky proces fatmirësisht sot është duke u facilituar, edhe nga vetë teknologjia, për ta bërë atë më të shpejtë, dhe ne kemi në fakt dita-ditës raste, të cilat janë të identifikueshme, edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave. Ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë këta protestues, të cilët kanë kryer akte dhune.

Ky proces do të vazhdojë. Policia e Shtetit është shumë e qartë, për sa i përket detyrës që ka, për të sjellë përpara Prokurorisë të gjitha ato çështje që do të ndërtohen, për të gjithë personat të cilët kanë kryer dhunë kundër institucioneve dhe pronës private.

Besoj që pamjet janë duke u shfaqur në këtë moment. Për sa i përket rasteve, të cilat ne kemi identifikuar, këtu shohim disa prej tyre të cilët janë pjesërisht të maskuar, pavarësisht se këto janë pamje, të cilat janë marrë nga burime publike, janë rrjetet sociale, janë kamerat e televizioneve, të cilët kanë dëshmuar në fakt vetë për sa i përket nivelit të dhunës që individë të ndryshëm kanë kryer.

Ajo çfarë ne jemi duke realizuar tashmë është që, nëpërmjet teknologjisë, sepse janë qindra e qindra orë filmime nga burime të ndryshme, të cilat duhen përpunuar dhe patjetër duke përdorur thjesht burimet njerëzore, ky do të ishte një proces shumë i vështirë. Por tashmë falë teknologjisë ne jemi duke avancuar me shpejtësi për sa i përket identifikimit të gjithë personave të dhunshëm, të cilët kanë kryer këto akte kundër institucioneve publike, kundër pronës private, e në fakt janë vetë të filmuar nga imazhet e mediave publike, apo kamerat e institucioneve, apo vetë filmimet që ata kanë hedhur nëpërmjet rrjeteve sociale.

Prandaj unë dua të garantoj të gjithë qytetarët se Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet, për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata, të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cënuar bizneset private, dhe këtë Policia po e bën falë edhe teknologjisë më shpejt edhe më saktë.

23/10/2026

San Patrignano, Itali 🇦🇱🇮🇹

E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese që do ta respektojmë dhe garantojmë gjithmonë. Por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Në takimet me homologë nga vende të ndryshme evropiane, diskutuam mbi sfidat e sigurisë publike, parandalimin e dhunës dhe masat konkrete që po ndërmerren në këtë drejtim.

Italia dhe vende të tjera evropiane po zhvillojnë instrumente të reja për forcimin e sigurisë publike. Edhe ne po shqyrtojmë këto përvoja për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të forcuar kapacitetet e institucioneve tona.

Liria për të protestuar dhe e drejta e çdo qytetari për të jetuar i sigurt nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Detyra jonë është t’i garantojmë të dyja, me vendosmëri, proporcionalitet dhe respekt të plotë për ligjin🇦🇱

Ervin Demo

🇦🇱🇮🇹🇪🇺
23/10/2026

🇦🇱🇮🇹🇪🇺

22/10/2026

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, deklaratë për median

Përshëndetje,

Ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.

Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t'u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t'u komunikuar akuza.

Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.

Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t'u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.

Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.

Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit.

Të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo.

19/10/2026

🎤 Deklaratë e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti:

Përshëndetje të gjithëve,
Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duam t’i drejtohemi me një falënderim të veçantë të gjithë prindërve dhe kujdestarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.

Së bashku me mësuesit e tyre, ata bën të mundur që kjo të jetë një ditë normale për ta. Dua të theksoj se, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.

Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë.

Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë. Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar.

Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme.

Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna!
Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve!
Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!

Prindër dhe kujdestarë,
vijoni të bashkëpunoni me institucionet e shtetit shqiptar!
Flisni me fëmijët tuaj edhe për pasojat ligjore, krahas atyre fizike dhe psikologjike që sjell dhuna!

Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e treguar dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj për vijimin e këtij bashkëpunimi për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Faleminderit.

19/10/2026

Reagim i ministrit Ervin Demo në rrjetet sociale:E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia ...
19/10/2026

Reagim i ministrit Ervin Demo në rrjetet sociale:

E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.

Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.

Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.

Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.

Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.

Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.

Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.

Address

Dëshmorët E Kombit, 1001
Tirana

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Ministria e Brendshme posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Ministria e Brendshme:

Shortcuts

Share