14/08/2026
Zjarri që përfshiu zonën e Farkës ishte i përmasave të mëdha dhe u përhap me një shpejtësi të jashtëzakonshme, i favorizuar nga era e fortë. Brenda pak minutash, flakët u përhapën në disa zona, duke krijuar një situatë tepër të rrezikshme, veçanërisht në lagjen Dallash, Gurrë e Vogël, Lundër dhe lagjen Sheheler.
Përballë kësaj situate të vështirë, reagimi i shpejtë, koordinimi dhe angazhimi i të gjitha strukturave ishin vendimtarë. Për këtë arsye, në emër të Njësisë Administrative Farkë, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për të gjithë ata që u angazhuan pa pushim gjatë kësaj nate të vështirë.
Një falënderim i veçantë shkon për Forcat Zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Forcat Ajrore të Farkës, strukturat e emergjencave civile dhe të gjitha institucionet e përfshira, të cilat punuan pa ndërprerje, me profesionalizëm, kurajë dhe vendosmëri për të vënë situatën nën kontroll.
Një mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Shefit të Rajonit Nr. 1, për angazhimin, koordinimin dhe praninë e vazhdueshme në terren gjatë gjithë kësaj situate. Bashkëpunimi dhe gatishmëria e tij kanë qenë një mbështetje e rëndësishme për banorët dhe për të gjitha strukturat që menaxhuan situatën.
Në zonat më të rrezikuara, veçanërisht në lagjen Dallash, Gurrë e Vogël, Lundër dhe lagjen Sheheler, u kryen evakuime të shpejta dhe të koordinuara, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës së banorëve.
Falë reagimit të shpejtë të të gjitha strukturave dhe evakuimit të kryer në kohë, nuk pati humbje të jetëve njerëzore dhe as banesa të djegura. Pavarësisht përmasave të mëdha të zjarrit dhe vështirësisë së situatës, dëmet materiale mbetën minimale. Ky rezultat është meritë e punës së palodhur, sakrificës dhe koordinimit të të gjithë atyre që ishin në terren.
Si Administrator i Njësisë Administrative Farkë, së bashku me stafin e Njësisë, kemi qenë në terren gjatë gjithë natës, pranë banorëve dhe në koordinim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse. Përvojat e mëparshme në përballimin e situatave të vështira, si pandemia COVID-19 dhe tërmeti, ku së bashku me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, kemi qenë pranë komunitetit, na kanë mësuar edhe më shumë rëndësinë e pranisë në terren dhe të mbështetjes së drejtpërdrejtë ndaj banorëve në momente të vështira.
Edhe këtë herë, qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë: të jemi pranë komunitetit, pranë banorëve dhe familjeve që kishin nevojë për ndihmë, duke bërë gjithçka që ishte në mundësitë tona për të ndihmuar në evakuime, për të përcjellë nevojat e tyre dhe për të kontribuar në menaxhimin e situatës.
Një falënderim i veçantë shkon për banorët e Farkës, të cilët, me praninë, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre, ndihmuan shumë në përballimin e kësaj situate të vështirë. Solidariteti i tyre, ndihma ndaj njëri-tjetrit dhe gatishmëria për të qenë pranë strukturave në terren ishin një vlerë e madhe në këto momente.
Në momente të tilla të vështira, bashkimi, solidariteti dhe bashkëpunimi i institucioneve me komunitetin bëjnë diferencën.
Mirënjohje dhe respekt për çdo zjarrfikës, punonjës policie, pjesëtar të Forcave të Armatosura, pjesëtar të Forcave Ajrore, punonjës të emergjencave, për çdo strukturë institucionale dhe çdo qytetar që ishte në terren dhe nuk u dorëzua përballë kësaj situate.
Faleminderit nga zemra të gjithëve për punën, sakrificën dhe përkushtimin në mbrojtje të jetës, familjeve dhe pronës së banorëve të Farkës. 🙏🇦🇱