25/10/2026
AKTIVITETET E BIBLIOTEKËS
NËNTOR 2026
BIBLIOTEKA PUBLIKE "SHEVQET MUSARAJ" VLORË
1. 16 NËNTOR 2026
"Kur shkronjat u bënë histori"
Përpara se fjala të bëhej libër...
Veprimtari letrare kushtuar Kongresit të Manastirit dhe historisë së alfabetit shqip.
Në bashkëpunim me Shkollën 9-vjeçare "4 Heronjtë", në bibliotekën e shkollës, me pjesëmarrjen e Klubit të Librit, do të zhvillohet një veprimtari letrare kushtuar Kongresit të Manastirit dhe historisë së alfabetit të gjuhës shqipe.
Përmes leximeve, interpretimeve letrare dhe bashkëbisedimit me nxënësit, do të rikujtohet rrugëtimi historik i alfabetit shqip dhe përpjekjet e figurave të shquara që kontribuuan në njësimin e tij. Veprimtaria synon të afrojë brezin e ri me historinë e gjuhës, librin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
2. 20 NËNTOR 2026
"Një fëmijë nuk ka nevojë të jetë si gjithë të tjerët për t'u dashur"
Veprimtari ndërgjegjësuese mbi tolerancën, respektin dhe pranimin e dallimeve.
Në bashkëpunim me Shkollën 9-vjeçare "Avni Rustemi", do të zhvillohet një takim me nxënësit, në kuadër të Ditës Botërore të Fëmijëve.
Përmes një fjale ndërgjegjësuese dhe bashkëbisedimit me nxënësit, do të trajtohen rëndësia e tolerancës, mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe parandalimit të bullizmit e përjashtimit në mjedisin shkollor.
Veprimtaria synon të përcjellë mesazhin se çdo fëmijë meriton të dëgjohet, të respektohet dhe të ndihet i pranuar, pavarësisht dallimeve, sepse mirësia, empatia dhe respekti janë vlera që formojnë njerëzimin tonë.
3. 23-30 NËNTOR 2026
"Shqipëri, në çdo faqe të historisë sate rreh zemra e një populli"
Ekspozitë tematike kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, dhe 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit.
Biblioteka Publike "Shevqet Musaraj" do të organizojë një ekspozitë me libra, dokumente dhe materiale historike nga fondi bibliotekar, kushtuar dy ngjarjeve të rëndësishme të historisë kombëtare.
Ekspozita do të sjellë në vëmendje shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, figurat e shquara të historisë shqiptare dhe përpjekjet e sakrificat për çlirimin e vendit.
Përmes botimeve dhe dokumenteve të ekspozuara, synohet të ruhet kujtesa historike, të promovohet kultura e leximit dhe të përcillen te brezat e rinj vlerat e lirisë, atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar.
4. 25 NËNTOR 2026
"Petro Marko - zëri i lirisë dhe i humanizmit"
Veprimtari letrare në kuadër të përvjetorit të lindjes së shkrimtarit Petro Marko.
Në bashkëpunim me Shkollën 9-vjeçare "Lef Sallata", në bibliotekën e shkollës, do të zhvillohet një veprimtari letrare kushtuar jetës dhe krijimtarisë së shkrimtarit Petro Marko.
Përmes leximit të fragmenteve nga romanet "Nata e Ustikës" dhe "Hasta la vista", nxënësit do të njihen me botën letrare të autorit dhe mesazhet e lirisë, humanizmit, miqësisë dhe dinjitetit njerëzor që përcjell krijimtaria e tij.
Veprimtaria synon të nxisë interesin e nxënësve për letërsinë shqiptare, të kultivojë dashurinë për librin dhe të krijojë hapësira për reflektim e bashkëbisedim mbi vlerat njerëzore që kapërcejnë kohën.
Biblioteka Publike "Shevqet Musaraj" Vlore
Qendra Kulturore Vlorë