27/10/2026
Nehat Zyberi ka lindur më 2 maj të vitit 1964, në fshatin Zaplluxhë të Opojës. Shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët e filloi në vendlindje, në shkollën “29 Nëntori”, në paralelen e ndarë në Zaplluxhë, ndërsa më pas vazhdoi mësimet në Blaç, ku përfundoi tetëvjeçaren.
Shkollimin e mesëm të lartë e vijoi në gjimnazin “Emin Duraku”, në paralelen e ndarë në Bresanë, ku për dy vite ndoqi mësimet, për t’i vazhduar më pas në drejtimin e shkencave natyrore, me profil laboratorist i biologjisë.
I përkushtuar ndaj dijes dhe formimit profesional, ai u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në drejtimin e Politeknikës, të cilën e përfundoi në vitin 1986, duke marrë titullin arsimtar i Politeknikës.
Në vitin 1987 filloi punën si arsimtar i Politeknikës, profesion të cilit iu përkushtua ndër vite, me disa ndërprerje gjatë karrierës së tij.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet edhe me vitet e vështira të dekadës së viteve ’90, kur arsimi shqip përballej me sfida të mëdha. Gjatë kësaj periudhe, ai u angazhua në mbështetjen e arsimit shqip dhe, si pjesë e Këshillit për Financim, kontribuoi në përpjekjet për sigurimin e pagave të mësimdhënësve, duke ndihmuar në vazhdimësinë e procesit arsimor në rrethana të vështira.
Në vazhdën e ngritjes së tij profesionale, Nehat Zyberi përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Teknologji me Informatikë, gjatë viteve 2012–2014.
Rrugëtimi i tij arsimor dhe profesional dëshmon përkushtimin ndaj dijes, edukimit dhe shërbimit në arsim.