05/06/2026
Me znj. Inkeri Lahtinen nga The Finnish Association of the Deaf njihemi dhe kemi punuar së bashku për më shumë se 25 vjet. Ky ka qenë një rrugëtim i gjatë, i mbushur me përkushtim, sfida dhe arritje të jashtëzakonshme për avancimin e të drejtave të personave që nuk dëgjojnë në Kosovë dhe Shqipëri.
Nën udhëheqjen dhe koordinimin tim, me mbështetjen e palodhshme të Inkerit dhe në bashkëpunim me shoqatat KAD dhe ANAD, arritëm të udhëheqim procese historike në Kosovë: zyrtarizimin e gjuhës së shenjave në vitin 2010, zhvillimin e Programit Kombëtar për Personat e Shurdhër në vitin 2014 dhe krijimin e rregullores për ofrimin e shërbimeve të interpretimit në gjuhën e shenjave në të gjithë vendin.
Jam veçanërisht i lumtur që ky bashkëpunim u zgjerua edhe në Shqipëri, duke ndarë përvoja dhe praktikat më të mira për avancimin e gjuhës së shenjave, në vitin 2014 u bë zyrtarizimi i gjuhës së shenjave në Shqipëri!
Takimi ynë i fundit ishte një moment i veçantë reflektimi, pasi Inkeri po përmbyll një karrierë të jashtëzakonshme dhe po pensionohet. Në pak kohë rikthyem kujtimet e një çerek shekulli pune të përbashkët, të mbushur me angazhim dhe rezultate konkrete për komunitetin e personave që nuk dëgjojnë.
Mbetet ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në arsim, shërbime dhe mundësi të barabarta për personat që nuk dëgjojnë.
Faleminderit Inkeri për miqësinë, partneritetin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm gjatë gjithë këtyre viteve. Kontributi yt do të mbetet gjithmonë frymëzim. ❤️
05/06/2026
Dje, në Europe House Prishtina, u mbajt eventi “Beyond the Barriers: Roma Resilience in the Western Balkans”, ku u diskutua për mundësitë e punësimit, përfshirjen sociale, bashkëpunimin institucional dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve rome në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë këtij eventi u prezantua edhe platforma BalkanJobMarket, një iniciativë e rëndësishme rajonale që synon të lidhë punëkërkuesit, punëdhënësit dhe mundësitë e punësimit, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi profesional për të rinjtë në rajon dhe më gjerë.
Me këtë rast, ritheksova angazhimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit për nxitjen dhe promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, si një ndër prioritetet kryesore në avancimin e barazisë, përfshirjes sociale dhe fuqizimit ekonomik.
Si udhëheqës i mekanizmit për nxitjen dhe promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, po punojmë vazhdimisht për krijimin e mundësive të qëndrueshme të punësimit dhe fuqizimin ekonomik të këtyre komuniteteve, duke siguruar trajtim të barabartë, dinjitet dhe pjesëmarrje të plotë në jetën ekonomike dhe shoqërore. Besojmë se vetëm përmes bashkëpunimit institucional, përfshirjes aktive dhe qasjes së barabartë në mundësi mund të ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë për të gjithë.
🔗 BalkanJobMarket: https://balkanjobmarket.com
Ky projekt implementohet nga Roma Versitas Kosovo, mbështetet nga Romalitico dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
Roma Versitas Kosovo
01/06/2026
Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit organizoi një takim të përbashkët me fëmijë nga grupe dhe komunitete të ndryshme nga e gjithë Kosova. Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e veçantë për të dëgjuar drejtpërdrejt zërin e fëmijëve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tyre aktive në proceset që lidhen me të drejtat dhe mirëqenien e tyre.
Gjatë takimit u prezantua Draft-Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë, një dokument i rëndësishëm strategjik që synon forcimin e mbrojtjes, promovimit dhe realizimit të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë. Në këtë rast, fëmijët ndanë mendimet, përvojat dhe rekomandimet e tyre, duke ofruar kontribute të vlefshme, por edhe kritika konstruktive që do të ndihmojnë në përmirësimin dhe finalizimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Sot dëgjuam zërin e fëmijëve dhe riafirmuam përkushtimin tonë për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku secili fëmijë ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i përfshirë në proceset vendimmarrëse. Fëmijët nuk janë vetëm përfitues të politikave publike; ata janë partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë sonë dhe bartës të së ardhmes së Kosovës.
Ishte veçanërisht inkurajuese të shihnim gatishmërinë dhe angazhimin e secilit fëmijë për të kontribuar jo vetëm në hartimin e Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve, por edhe në monitorimin e zbatimit të saj dhe të punës së institucioneve përgjegjëse. Kontributet e tyre dëshmuan edhe një herë se fëmijët kanë ide, vizion dhe rekomandime të qarta për çështjet që ndikojnë në jetën e tyre.
Si koordinator i këtij procesi të rëndësishëm, i sigurova fëmijët se do të vazhdojmë me një proces të gjerë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke punuar ngushtë me ta dhe me të gjithë akterët relevantë për finalizimin e Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve. Po ashtu, mbetemi të përkushtuar që të forcojmë më tej mekanizmat e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të promovojmë në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e tyre në Kosovë.
Ndërtimi i politikave për fëmijët nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e vetë fëmijëve. Për këtë arsye, mbetemi të përkushtuar që zëri i tyre të jetë pjesë integrale e çdo politike dhe vendimi që ndikon në jetën e tyre. Vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit dhe respektimit të mendimeve të fëmijëve mund të ndërtojmë një Kosovë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më miqësore për çdo fëmijë.
Ky aktivitet u mbështet nga UNICEF në Kosovë dhe Save the Children, partnerë të rëndësishëm në avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në shoqëri.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
Unicef Kosovo Programme
Save the Children Kosova/o
29/05/2026
Në fjalën time hyrëse gjatë publikimit të Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut 2025, theksova rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të raportit, si dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë mekanizmave institucionalë dhe organizatave të shoqërisë civile në promovimin, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Raporti paraqet një pasqyrë të zhvillimeve kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2025, nga perspektiva e organizatave të shoqërisë civile, duke identifikuar sfidat, progresin e arritur dhe rekomandimet për avancimin e mëtejshëm të të drejtave dhe lirive themelore.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
26/05/2026
Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësitë e Barabarta dhe Jo-Diskriminim – Zyra e Kryeministrit, publikoi raportin vjetor për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025.
Raporti paraqet të dhënat lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjatë vitit 2025, duke identifikuar sfidat, progresin e arritur, mundësitë dhe hapat e ardhshëm për përmirësimin e zbatimit të këtij ligji nga mekanizmat shtetërorë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
Publikimi i raporteve të tilla rrit transparencën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien institucionale, ndërsa në të njëjtën kohë forcon hallkën zinxhirore institucionale për parandalimin, luftimin dhe raportimin e diskriminimit.
Parandalimi dhe luftimi i diskriminimit kërkon angazhim të vazhdueshëm të të gjitha institucioneve në Kosovë, si dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të garantohet mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim.
Platforma Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për raportimin e rasteve të diskriminimit, veçanërisht për grupet më të cenueshme në shoqërinë kosovare.
Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të raportojnë rastet e diskriminimit përmes platformës: www.raportodiskriminimin.org
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
Ky aktivitet u mbështet nga Advancing Together.
25/05/2026
Në vazhdën e procesit të hartimit të Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve 2026–2031 dhe Planit të Veprimit 2026–2028, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, organizoi takim pune me institucionet dhe shoqërinë civile.
Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi dhe diskutimi i Draft-Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve 2026–2031 dhe Draft-Planit të Veprimit 2026–2028, dokument ky që synon avancimin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë, forcimin e mekanizmave institucionalë për mirëqenien dhe përfshirjen e fëmijëve, si dhe garantimin e qasjes së barabartë të çdo fëmije në shërbime cilësore, mbrojtje efektive dhe pjesëmarrje në proceset që ndikojnë në jetën e tyre.
Gjithashtu, punëtoria shërbeu si platformë për diskutim ndërinstitucional dhe ofrim të komenteve profesionale, me qëllim finalizimin e një dokumenti strategjik gjithëpërfshirës, të zbatueshëm dhe me ndikim afatgjatë për fëmijët në Kosovë.
Si kryesues i këtij procesi të rëndësishëm, u zotova që procesi i hartimit të Strategjisë do të jetë gjithëpërfshirës, në konsultim të vazhdueshëm me fëmijët, institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile, me qëllim që nevojat dhe interesat e çdo fëmije të adresohen në mënyrë të drejtë dhe efektive.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
Unicef Kosovo Programme
22/05/2026
Zyra për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit organizoi punëtorinë dyditore të Ekipit të Punës për hartimin e Programit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (2026–2031) dhe Planit të Veprimit (2026–2028), e mbajtur më 15–16 maj 2026 në Vërmicë.
Punëtoria mblodhi përfaqësues institucionalë për të diskutuar prioritetet strategjike dhe hapat e ardhshëm në procesin e hartimit të Programit dhe Planit të Veprimit.
Në kuadër të këtij procesi, në cilësinë e kryesuesit të grupit të punës, sigurova një proces gjithëpërfshirës të hartimit të këtij dokumenti të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, përmes angazhimit të përbashkët të institucioneve dhe shoqërisë civile.
Ky aktivitet u mbështet nga Advancing Together.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
22/05/2026
Më 7–8 maj 2026, Zyra për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit dhe Terre des hommes Kosovo organizuan punëtorinë dyditore të Grupit Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Republika e Kosovës.
Gjatë punëtorisë u prezantua draft-raporti i progresit, si dhe u diskutuan sfidat në adresimin e martesave të hershme që nga themelimi i Grupit Ndërinstitucional. Po ashtu, u hartua Plani i Veprimit 2026–2027, i cili synon avancimin e koordinimit ndërinstitucional, reagimin e hershëm dhe forcimin e qasjes së përbashkët për identifikimin, raportimin dhe parandalimin e rasteve të martesave të hershme.
Punëtoria riafirmoi rëndësinë e reagimit të koordinuar institucional dhe komunitar për identifikimin në kohë të rasteve, fuqizimin e mekanizmave të raportimit, si dhe garantimin e mbrojtjes së fëmijëve nga praktikat e dëmshme, siç janë martesat e hershme.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo