11/06/2026
Të nderuar,
Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se pas datës 8 korrik do të hapim Ekspozitën Verore.
Këtë vit, protagonistë do të jenë artistët tanë të vegjël, të cilët do të prezantojnë krijimet e tyre artistike plot imagjinatë.
Në ditët në vijim do t’ju ndajmë më shumë detaje rreth ekspozitës.🙏
05/06/2026
Çdo anëtarësim në Bibliotekën Linkest është më shumë se një kartelë lexuesi, është një mbështetje e drejtpërdrejtë për bibliotekën, librin dhe kulturën.
Duke u bërë anëtar, ju kontribuoni në pasurimin e fondit të librave, zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe krijimin e një hapësire ku dijet, leximi dhe kreativiteti vazhdojnë të rriten.
Bibliotekat jetojnë falë lexuesve të tyre. Prandaj, çdo anëtarësim është një investim në dije, edukim dhe në të ardhmen e komunitetit tonë.
Mbështet Bibliotekën shqipe në Manastir, bëhu anëtar dhe bëhu pjesë e historisë që ndërtohet përmes librave.
Biblioteka Linkest
Një hapësirë shqiptare e dijes, kujtesës dhe kulturës në Manastir.
03/06/2026
Me mirënjohje të veçantë falënderojmë shtëpinë botuese Logos-A nga Shkupi, e cila prej vitesh mbështet bibliotekën tonë duke e furnizuar vazhdimisht me lektyrat obligative shkollore.
Këto vepra janë të domosdoshme për realizimin e programeve mësimore në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në gjuhën shqipe botohen vetëm nga Logos-A. Falë përkushtimit dhe mbështetjes suaj, zogjtë tanë tashmë do t’i kenë në dispozicion lektyrat që u kanë munguar dhe që janë aq të nevojshme për rrugëtimin e tyre arsimor.
Ju falënderojmë për çdo ndihmë, për çdo libër të dhuruar dhe për gatishmërinë që gjithmonë të jeni pranë. Shpesh puna dhe kontributi juaj nuk bëjnë shumë zhurmë, por ndikimi që lini te fëmijët dhe te biblioteka jonë është i jashtëzakonshëm.
Mirënjohja jonë është e sinqertë. Faleminderit që po ndihmoni në kultivimin e dijes, leximit dhe edukimit të brezave të rinj.
02/06/2026
E ka punuar me plastelina🇦🇱
02/06/2026
“Matematika Mendimtare”, Botimi II i profesoreshës Teuta Iljazi
Një libër i shkëlqyer dhe frymëzues për fëmijët e moshës 8–9-10 dhe 11 vjeç, i cili zhvillon të menduarit logjik, kreativitetin dhe dashurinë për matematikën.
Libri u promovua me sukses në bibliotekën tonë dhe iu dhurua fëmijëve të Manastirit dhe të të Prespës, duke sjellë gëzim, dije dhe motivim për të mësuar.
Urime profesoreshës Teuta Iljazi për këtë kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj! 📚✨
02/06/2026
Kemi filluar punimet e ekspozitës verore☀️