13/06/2026
📣
Një lajm tejet i mirëpritur dhe një cak i arritur në marrëdhëniet tona dypalëshe:
Fillimi i punimeve në autostradën 🛣️ Bllacë-Shkup tani më ka marr drejtim. Ky segment do të lidhet me autostradën ekzistuese Prishtinë-Hani i Elezit, duke lidhur Kosovën me qarkoren e Shkupit dhe Korridorin 8-të në ndërtim, duke afruar kësisoji dy kryeqytetet 🇽🇰&🇲🇰 dhe jo vetëm. Autostrada pritet të lehtësoj edhe më tutje qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, në funksion të ndërlidhjes e ndërveprimit akoma më të madh.
11/06/2026
Isha në Vjenë kur mora lajmin e trishtë se Arsim Zekolli ka vdekur. Dje vizituam familjen e tij në Bllacë të Suharekës për ngushëllime dhe ende nuk më besohet që nuk do ta shohim e dëgjojmë më. I kam mbresat e pashlyeshme nga një njeri me dije të gjerë që mendonte e rimendonte rishtas dhe thellë teksa fliste.
Kur një punëtor i inteligjencës politike qytetare dhe i ndjeshmërisë së lartë kulturore si Arsim Zekolli largohet nga kjo botë, humbja nuk mbetet vetëm brenda familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve. Ajo ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, aty ku fjala, mendimi dhe guximi lënë gjurmë.
Pikëllimi për ndarjen nga jeta të Arsim Zekollit, diplomatit e intelektualit të njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, do të mbetet gjatë me ne.
Do të na mungojnë tekstet e tij, sepse nuk zëvendësohen kollaj qëmtimet dhe përsiatjet e tij. Arsimi shkruante sepse mendonte dhe mendonte sepse të menduarit ishte tipari i tij kryesor. Ishte prej atyre njerëzve që mendimin nuk e përdorte për t’u rehatuar. Shqyrtimi i tij shqetësonte atë vetë dhe të tjerët. Kur shkruante, nuk e bënte për të ndjekur opinionin, por për ta sfiduar atë. Fjala e tij kishte peshën e karakterit të pavarur.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes Zekolli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan.
U prehtë në paqe!
11/06/2026
Dje në Ambasadë u mbajt Edicioni i Trembëdhjetë i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, i organizuar nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” nga Tetova në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Shkup.
Aktiviteti u organizua me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, duke promovuar vlerat kulturore dhe historike të popullit shqiptar. Në kuadër të manifestimit u nderua gjithashtu edhe albanologu i shquar Robert Elsie për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet shqiptare.
Me këtë rast, Shoqata ndau Çmimin Kombëtar “Ali Vishko” për Prof. Dr. Ejup Ajdinin, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në arsim, shkencë, histori dhe kulturën shqiptare.
Po ashtu, Ambasadori Qehaja dorëzoi Çmimin “Selim Ramadani” për Teatrin e Tetovës dhe i përcolli urimet e tij drejtorit të teatrit për këtë vlerësim.
08/06/2026
Me pikëllim të thellë pranuam lajmin për humbjen e intelektualit Arsim Zekolli. Përvoja e tij institucionale e shoqërore e bëri atë një zë kritik me mendje të mbrehtë. Do ti mungoj shoqërisë!
Ambasada i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit Arsim Zekolli. Prehu i qetë!
04/06/2026
Nën patronatin e Komunës së Çairit, në Shkup fillloi Panairi i Librit Shqip. Ky panair ngërthen një numër të shtepive botuese nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut të cilët i ofrojnë lexuesit shqip në Shkup një spektër të gjerë të publikimeve. Ambasadori Qehaja ishte pjesë e këtij manifestimi me ç’rast pati rastin të bashkëbisedoj me përfaqësues institucional dhe qytetarë të shumte.
03/06/2026
Në takimin e rregulltë të Ambasadorit Qehaja me Zëvendës Kryeministrin e Parë Bekim Sali, u diskutua lidhur me aktualitetin politik si dhe për fushat konkrete të bashkëpunimit dypalësh. Njëri ndër projektet kapitale, ai i nisjes së punimeve në autostradën Shkup-Bllacë, pritet të merr epilog së shpejti e i cili do të jetë në funksion të afrimit akoma më të madh në mes qytetarëve dhe shteteve.