29/09/2026
Buxheti i vitit 2027 – buxhet i përmbaruesve!
Asambleistët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit sot, në seancë, paraqitën qëndrimet e LDK-së lidhur me temat e rendit të ditës.
Në pikën e buxhetit, Grupi i LDK-së theksoi se buxheti i vitit 2027 është vetëm përsëritje e projekteve të mëparshme, të cilat kanë mbetur të parealizuara si pasojë e keqmenaxhimit të parasë publike nga pushteti i AAK-së. Dëmi u faturohet qytetarëve të Deçanit, me mungesë të projekteve jetike, si uji i pijës, kanalizimi, asfaltimi i rrugëve, ndriçimi publik, renovimi i shkollave e shumë projekte të tjera, të cilat janë të vendosura vetëm në letër, por zbatimi i tyre në praktikë është i pamundur.
Grupi i LDK-së diskutoi edhe për pikat e tjera, ndër to edhe për sektorin e arsimit: fillimin e vitit shkollor, mbarëvajtjen e procesit mësimor, investimet në shkolla, rekrutimin e stafit, pastërtinë në objektet shkollore dhe tema të tjera me rëndësi për fushën e arsimit.
Me kërkesën e Grupit të LDK-së u diskutua edhe për gjendjen në Ndërmarrjen “Higjiena”, me theks të veçantë te deponia ilegale e mbeturinave në fshatin Hulaj. LDK-ja kërkoi që sa më parë të gjenden zgjidhje për largimin e mbeturinave nga ajo zonë, të cilat aktualisht përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Grupi i LDK-së ngriti edhe tema të tjera me rëndësi, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Këto diskutime shfaqën nervozën e pushtetit të AAK-së përballë argumenteve tona.
(Foto nga arkivi)