18/02/2026
NJOFTIM
Për rezultatet e testit me shkrim dhe njoftimi për intervistë me gojë
Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë njofton të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkurset për lëndët: Gjeografi, Edukatë Qytetare, Edukatë Muzikore dhe për pozitën Mësimdhënës klasor, se janë publikuar rezultatet e testit me shkrim.
Kandidatët që kanë arritur pragun e përcaktuar sipas konkursit ftohen të paraqiten në intervistën me gojë, sipas orarit dhe listës së publikuar në njoftimin zyrtar.
Për më shumë informacione, detaje rreth datës, orarit dhe vendit të mbajtjes së intervistës, ju lutemi të ndiqni faqet zyrtare të Komunës së Fushë Kosovës si dhe t’i referoheni fotografive të bashkëngjitura në këtë postim.
Drejtoria Komunale e Arsimit
Fushë Kosovë
16/02/2026
DKA Fushë Kosovë pjesë e festimeve të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, z. Adriatik Zeqiri, së bashku me stafin e DKA-së, mori pjesë në aktivitetet festive të organizuara nga ShFMU “Mihal Grameno” dhe ShFMU “Mihal Grameno” – Aneksi 2.
Programet kulturo-artistike të përgatitura nga nxënësit dhe mësimdhënësit reflektuan frymën e patriotizmit, përkushtimit dhe edukimit mbi vlerat e shtetësisë, duke e shndërruar këtë përvjetor në një moment krenarie dhe bashkimi për komunitetin shkollor.
DKA Fushë Kosovë mbetet e përkushtuar që përmes arsimit të kultivojë tek gjeneratat e reja dashurinë për atdheun, përgjegjësinë qytetare dhe respektin për sakrificën që solli lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
07/02/2026
Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e saj për Hamilton House – Kosovë për bashkëpunimin e shkëlqyer në organizimin e garës Spelling Bee 2026, e cila u mbajt më 6 shkurt.
Ky aktivitet, i realizuar për herë të parë në bashkëpunim ndërmjet DKA-së në Fushë Kosovë dhe PEMA & Hamilton, krijoi një hapësirë frymëzuese për nxënësit, duke u mundësuar atyre të shfaqin njohuritë, kreativitetin dhe aftësitë e tyre gjuhësore në gjuhën angleze.
DKA në Fushë Kosovë vlerëson lart këtë partneritet dhe mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunime të tilla në funksion të avancimit të cilësisë në arsim.
Shprehim mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë për bashkëpunimin e shkëlqyer në organizimin e garës Spelling Bee 2026, e cila u mbajt më 6 shkurt me pjesëmarrjen e rreth 180 nxënësve.
Kjo garë u realizua për herë të parë si bashkëpunim ndërmjet Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë dhe PEMA & Hamilton, duke krijuar një hapësirë frymëzuese ku nxënësit patën mundësinë të shfaqin njohuritë, kreativitetin dhe aftësitë e tyre gjuhësore të përvetësuara gjatë mësimit të gjuhës angleze.
02/02/2026
Njoftim për Konkurs – Drejtoria e Arsimit
Komuna e Fushë Kosovës - Drejtoria për Arsim shpall Konkurs për pozita me kohë të caktuar.
Të gjithë të interesuarit që plotësojnë kushtet ligjore dhe profesionale mund të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar në konkurs.
Dokumentacioni dhe kriteret janë të specifikuara në njoftimin zyrtar.
Linku:https://fushekosove.rks-gov.net/wp-content/uploads/2026/02/Konkurs-Drejtoria-e-Arsimit-ne-Fushe-Kosove.pdf
20/01/2026
🏆 Nxënësit fitues të Garave Komunale të Fizikës – Fushë Kosovë 2026
Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë shpreh urimet më të përzemërta për nxënësit që kanë arritur rezultate të shkëlqyera në Garat Komunale të Fizikës 2026, duke u renditur në tre vendet e para në nivel komune. Këto arritje dëshmojnë përkushtimin e nxënësve, punën profesionale të mësimdhënësve dhe cilësinë e arsimit në shkollat tona.
🔹 Klasa VII
🥇 Drin Tasholli – ShFMU “Mihal Grameno”
🥈 Suela Lupçi – ShFMU “Mihal Grameno”
🥉 Dion Qorri – ShFMU “Mihal Grameno”
🔹 Klasa VIII
🥇 Rina Grajqevci – ShFMU “Mihal Grameno”
🥈 Rejana Raci – ShFMU “Selman Riza”
🥉 Leart Shabani – ShFMU “Mihal Grameno”
🔹 Klasa IX
🥇 Buna Smajli – ShFMU “Mihal Grameno”
🥈 Sibora Hoxhaj – ShFMU “Selman Riza”
🥉 Eda Gruda – ShFMU “Mihal Grameno”
🔹 Klasa X
🥇 Suela Halimi – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥈 Argjira Belaj – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥉 Lirika Racaj – ShML “Hivzi Sulejmani”
🔹 Klasa XI
🥇 Diellza Godeni – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥈 Aldin Bajrami – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥉 Oltion Selimi – ShML “Hivzi Sulejmani”
🔹 Klasa XII
🥇 Altin Rash*ti – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥈 Dion Svarça – ShML “Hivzi Sulejmani”
🥉 Harith Blakaj – ShML “Hivzi Sulejmani”
Drejtoria Komunale e Arsimit i uron të gjithë nxënësit për suksesin e arritur dhe i inkurajon ata që të vazhdojnë rrugën e dijes dhe ekselencës shkencore, duke përfaqësuar denjësisht shkollat dhe Komunën e Fushë Kosovës në garat e ardhshme.
20/01/2026
Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në Komunën e Fushë Kosovës
Pas një vendimi paraprak për shtyrjen e përkohshme të procesit mësimor, për shkak të problemeve të trashëguara me ngrohjen qendrore, nga data 19 janar mësimi ka nisur në ambiente të ngrohta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë kësaj periudhe janë instaluar dhe riparuar sisteme të reja të ngrohjes në shkollat “Mihal Grameno”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Lismiri”, “Daut Bogujevci” dhe “Vëllezërit Frashëri”, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në videon më poshtë po ndajmë disa sekuenca nga këto ambiente, ku tashmë nxënësit po mësojnë në kushte më të mira dhe më të sigurta.
Komuna e Fushë Kosovës mbetet e përkushtuar që arsimi të trajtohet gjithmonë si prioritet.
20 janar 2026
Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në Komunën e Fushë-Kosovës
Pas një vendimi paraprak për shtyrjen e përkohshme të procesit mësimor, për shkak të problemeve të trashëguara me ngrohjen qendrore, nga data 19 janar mësimi ka nisur në ambiente të ngrohta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë kësaj periudhe janë instaluar dhe riparuar sisteme të reja të ngrohjes në shkollat “Mihal Grameno”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Lismiri”, “Daut Bogujevci” dhe “Vëllezërit Frashëri”, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në videon më poshtë po ndajmë disa sekuenca nga këto ambiente, ku tashmë nxënësit po mësojnë në kushte më të mira dhe më të sigurta.
Komuna e Fushë-Kosovës mbetet e përkushtuar që arsimi të trajtohet gjithmonë si prioritet.
19/01/2026
Nxënësit e komunës së Fushë Kosovës në Olimpiadën XVIII Matematike të Kosovës
Nxënësit e Komunës së Fushë Kosovës nga klasat VII–XIII morën pjesë në Olimpiadën XVIII Matematike të Kosovës, e cila u mbajt në ambientet e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë nivel të garave janë paraqitur fituesit e tri vendeve të para nga garat komunale për klasat përkatëse, duke përfaqësuar me sukses shkollat e komunës sonë. Para zhvillimit të kësaj gare, nxënësit kanë kaluar nëpër përgatitje të vazhdueshme dhe të strukturuara së bashku me mësimdhënësit e tyre në shkollat përkatëse, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në përformancën e tyre të lartë.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë, së bashku me Drejtorin e saj, z. Adriatik Zeqiri, shprehin mirënjohje të veçantë për mësimdhënësit që janë angazhuar me përkushtim dhe po demonstrojnë rol aktiv në mbështetjen e nxënësve, me qëllim që ata të arrijnë suksese maksimale në nivele të ndryshme të garave akademike.
DKA mbetet e përkushtuar që gara të tilla të jenë pjesë e praktikave të rregullta shkollore, në mënyrë që nxënësit tanë të ekspozohen ndaj sfidave dhe vështirësive matematikore, të zhvillojnë mendimin kritik, logjikën dhe aftësitë konkurruese, si dhe të përgatiten për nivele edhe më të avancuara të dijes.
17/01/2026
📚⚛️ Garat Komunale të Fizikës - Fushë Kosovë
Në ambientet e Gjimnazi Hivzi Sulejmani në Fushë Kosovë, u mbajtën garat në nivel komunal për Fizikë për nxënësit e klasave VII, VIII, IX, X, XI dhe XII.
Këto gara u organizuan nga Drejtoria Komunale për Arsim, përmes komisionit komunal për organizimin e garës dhe vlerësimin profesional të punimeve nga kjo fushë.
Drejtori Adriatik Zeqiri vlerësoi lart angazhimin, përkushtimin dhe kreativitetin e treguar nga nxënësit pjesëmarrës, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për stafin e mësimdhënësve në nivel komunal që janë angazhuar në përgatitjen e nxënësve dhe projekteve të tyre për këtë garë.
Gara të tilla, ku në fokus vendoset kreativiteti, mendimi kritik dhe zbatimi praktik i dijes, mbeten një synim i vazhdueshëm i DKA-së, në funksion të nxitjes së talentit, inovacionit dhe avancimit të arsimit cilësor në komunën tonë.
17/01/2026
NJOFTIM
Të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë në Komunën e Fushë Kosovës
Njoftojmë opinionin publik se të hënën, më 19 janar, rifillon procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore të Komunës së Fushë Kosovës.
Pas stabilizimit të situatës së krijuar nga vërshimet dhe sanimit të plotë të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin normal dhe të rregullt të procesit mësimor.
Me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, z. Adriatik Zeqiri, u ka përcjellë një mesazh urimi nxënësve dhe mësimdhënësve:
“Nxënës të dashur, ju urojmë mbarësi dhe suksese në mësime gjatë gjysmëvjetorit të dytë. Mësimdhënësve u shprehim mirënjohje të veçantë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.”
Drejtoria për Arsim mbetet e përkushtuar në garantimin e kushteve të sigurta dhe cilësore për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
11/01/2026
Njoftim për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë
Duke u bazuar në gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, si pasojë e kushteve tejet të rënda atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë lagje dhe fshatra të komunës, si dhe duke marrë parasysh vështirësitë serioze në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore dhe temperaturat e ulëta, është vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në këtë kontekst, merret vendim që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet për një (1) javë, dhe se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më datë 19 janar në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Komunën e Fushë Kosovës.
Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor.
Luten drejtuesit e institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim.
Për çdo informatë shtesë, publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.
DKA – Fushë Kosovë - 11 Janar 2026
06/01/2026
NJOFTIM ZYRTAR
Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë njofton opinionin publik se, bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe situatës së rënduar në disa zona të vendit, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet.
Pushimi dimëror vazhdon edhe për datat 8 dhe 9 janar 2026, ndërsa procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Komunën e Fushë Kosovës do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026.
Orët mësimore të humbura gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor, në përputhje me udhëzimet e MAShTI-së.
Drejtoria Komunale e Arsimit do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet arsimore dhe palët relevante, duke garantuar zbatimin e vendimit dhe sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.
Drejtoria Komunale e Arsimit
Fushë Kosovë