12/05/2026
Pas pranimit të informatës për rrezik potencial nga shembja e një muri në një objekt të pabanueshëm, inspektorët komunalë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të vlerësuar situatën dhe nivelin e rrezikut për qytetarët dhe pronat përreth.
Pas vlerësimit në terren dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, janë njoftuar njësitet e zjarrfikësve, të cilët kanë intervenuar për eliminimin e rrezikut duke bërë shembjen e kontrolluar të murit të dëmtuar.
Falënderojmë të gjitha institucionet për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin profesional në funksion të sigurisë publike.
30/04/2026
Sot, inspektorët në terren, pas kërkesës së investitorit për inspektimin e pllakës, kanë hasur në mosrespektim të projektit në fazën para betonimit. Si rrjedhojë, është urdhëruar që projekti të respektohet në përpikëri.
Në pikën e rishikimit, është kërkuar që punimet të vazhdojnë vetëm pas përmirësimit të vërejtjeve të dhëna nga inspektorët.
Për këtë arsye, kërkohet riinspektim pas përmirësimeve të bëra.
29/04/2026
Inspektimet në terren vazhdojnë.
Inspektorët e ndërtimit po vazhdojnë inspektimet, duke verifikuar përputhshmërinë me projektin, cilësinë e materialeve dhe zbatimin e standardeve teknike në çdo fazë të ndërtimit.
Qëllimi ynë është i qartë: ndërtim cilësor, siguri për qytetarët dhe respektim i plotë i ligjit.
Punimet që nuk përmbushin kriteret nuk do të tolerohen.
21/04/2026
Inspektorati komunal është duke vazhduar në mënyrë intensive skanimin e gjendjes në të gjitha pjesët e qytetit, me fokus identifikimin e uzurpimeve të hapësirave publike. Ky proces synon evidentimin e rasteve të shfrytëzimit të paautorizuar dhe rikthimin e rendit dhe ligjshmërisë në hapësirat e përbashkëta.
Aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me angazhim të shtuar në terren, deri në trajtimin e plotë të të gjitha rasteve të evidentuara.
20/04/2026
Procesi i inspektimeve finale për pranim teknik të objekteve, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore dhe standardeve teknike në fuqi.
Ky proces synon garantimin e sigurisë, funksionalitetit dhe përdorimit të rregullt e të sigurt të objekteve.
19/04/2026
Inspektorati kujdestar gjatë ditës së sotme ka pranuar një ankesë lidhur me zhvillimin e punimeve në një objekt ndërtimor. Pas daljes në terren dhe verifikimit të gjendjes faktike, është konstatuar se objekti në fjalë nuk posedon leje ndërtimore.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, inspektorët kanë ndërmarrë masat e nevojshme duke ndaluar menjëherë punimet në këtë objekt. Rasti do të procedohet më tej sipas dispozitave ligjore përkatëse.
17/04/2026
Sot kemi filluar aksionin në terren për evidentimin e uzurpimeve të hapësirave publike dhe hapësirave të përbashkëta në qytetin tonë.
Qëllimi i këtij aksioni është të kemi një pasqyrë të qartë të gjendjes reale në terren, të identifikojmë të gjitha rastet e zënies së hapësirave publike pa leje, ndërsa ky aksion do të vazhdojë deri në krijimin e një pasqyre të plotë dhe të saktë të gjendjes në gjithë territorin e komunës.
Ky proces shërben edhe si njoftim për të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë uzurpuar hapësira publike, se shumë shpejt do të fillojnë ndërhyrjet për lirimin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Hapësirat publike janë të qytetarëve dhe duhet të mbeten në shërbim të tyre.