08/05/2026
Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, sot bashkë me kolegët e tij mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit të lirisë, Bekim Shaban Zenuni.
Në këtë ditë me dhimbje të madhe për familjen Zenuni, të pranishëm ishin shumë qytetarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe shenjave të UÇK-së, deputetë, si dhe shumë figura të respektuara, për ta përcjellë dëshmorin në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Bletaj të Vushtrrisë.
Kjo ceremoni u organizua nga Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në nderim dhe respekt të sakrificës së dëshmorëve për lirinë e vendit.
Përballë kësaj dhimbjeje të madhe, lusim që familja Zenuni të gjejë forcën dhe krenarinë për ta përballuar këtë ditë të shënuar në histori, si kujtesë dhe nderim për rivarrimin e dëshmorit Bekim Shaban Zenuni.
Lavdi dëshmorit Bekim Shaban Zenuni.
Lavdi dëshmorëve Ramadan Fazliu, Adem Ademi, Ekrem Isufi dhe gjithë dëshmorëve të Komunës së Vushtrrisë dhe të gjithë Kosovës, kudo që prehen, për të mos vdekur kurrë në kujtesën dhe historinë tonë.
Me përulje dhe mirënjohjen më të lartë, ju nderojmë përjetësisht.
30/04/2026
Sot, drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, së bashku me stafin e tij, priti në takim kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, z. Valon Prebeza, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim pune u diskutua mundësia e mbështetjes së një projekti kapital për ndërtimin e një kompleksi memorial për martirët e Komunës së Fushë Kosovës, të rënë për liri.
Me rëndësi të veçantë ishte edhe diskutimi dhe inicimi i një projekti unik për hapat që duhet të ndërmerren në koordinim për përcaktimin e një lokacioni të përbashkët për dëshmorët e Fushë Kosovës, si dhe bashkëpunimi me agjencinë përkatëse për hartimin dhe zbatimin e tij në kohë sa më të shpejtë, në koordinim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Qëllimi i këtij projekti është që dëshmorët të prehen në një kompleks memorial dinjitoz, në përputhje me sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të veçanta lidhur me shënjëzimin e vendeve me rëndësi historike dhe trashëgimi nga lufta e UÇK-së.
Z. Hakaj, në cilësinë e drejtorit, u zotua se të gjitha propozimet do të procedohen për mbështetje në organet e brendshme në agjenci dhe do të realizohen gjithmonë në bashkëpunim dhe koordinim me Ministren e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci.
Mbështetja nga Ministria nuk ka munguar dhe pritet të vazhdojë edhe për iniciativat e Komunës së Fushë Kosovës.
30/04/2026
Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, me rastin e 27 vjetorit të rënies së Heroit Milazim Mavraj Çeçeni, vendosi lule pranë lapidarit të tij, duke nderuar jetën dhe veprën në shërbim të atdheut.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të invalidëve të Luftës Çlirimtare, z. Eshref Osmanaj dhe qytetarë.
Lavdi Heroit Milazim Mavraj dhe të gjithë dëshmorëve!
17/04/2026
Sot, drejtori i AMMKM-së z. Imer Hakaj së bashku me stafin e AMMKM-së, si dhe me shumë qytetarë dhe përfaqësues institucionesh, ishin në Komunën e Drenasit për të shënuar 27-vjetorin e dy prej masakrave që dëshmojnë gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë: Masakrën e Poklekut të Vjetër dhe atë të Çikatovës së Vjetër.
Në këto dy lokalitete, para 27 vitesh, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen ndër krimet më të rënda dhe më çnjerëzore në Kosovë, duke vrarë 77 civilë shqiptarë të paarmatosur.
Në Poklekun e Vjetër u vranë 53 civilë të pafajshëm, prej të cilëve 23 ishin fëmijë të moshës nga 6 muaj deri në 14 vjeç. Ndërkaq, në Çikatovën e Vjetër u vranë edhe 24 civilë të tjerë.
Në Poklekun e Vjetër, familjet Muqolli, Elshani, Çaraku dhe Hoxha, pasi u detyruan me forcë të mbylleshin brenda një shtëpie, u ekzekutuan brutalisht me bomba dore dhe armë automatike. Më pas, trupat e tyre u dogjën disa herë radhazi. Djegia e përsëritur e trupave nuk kishte vetëm për qëllim fshehjen e krimit, por dëshmonte qartë synimin për shfarosje të plotë.
Në Çikatovën e Vjetër, civilët e vrarë u transportuan dhe trupat e tyre u zhdukën në mënyrë të organizuar, duke u groposur në varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Ky veprim përbënte një përpjekje të qëllimshme për të zhdukur gjurmët e krimit dhe për të fshehur të vërtetën.
Këto ngjarje përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare në të gjithë territorin e Kosovës.
Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
02/04/2026
Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, shpreh nderin e veçantë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme për pritjen në zyrën e agjencisë së Kryetarit, z. Shefik Sadiku, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politikë në Prishtinë.
Respekti i përhershëm për sakrificën, qëndresën dhe idealin e tyre mbetet udhërrëfyesi ynë në kryerjen e detyrës. Rruga e tij dhe e shokëve të tij, shumë prej të cilëve sot janë dëshmorë të lirisë, vazhdon të jetë përjetësisht model dhe udhërrëfyes për angazhimin tonë në shërbim të ndershëm ndaj qytetarëve, veçanërisht atyre që kanë dhënë më së shumti për lirinë tonë.
27/03/2026
Drejtori z. Imer Hakaj dhe stafi i AMMKM-së përkujtuan me nderim dëshmorët e lirisë, He**in e Kosovës Mustafë Qorraj, Ajet Beqiri, Shukri Qorri, Jusuf Sadikaj, 19 anëtarët e familjes Imeraj, si dhe të rënët e familjeve Hoti dhe Beqiraj, dhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
Në 27 vjetorin e rënies së Heroit Mustafë Qorraj, u bë zbulimi i bustit dhe lapidarit të tij në Pika Qarri, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore të organizuara nga Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Komunën e Istogut.
Në fshatin Padalishtë u mbajtën homazhe pranë lapidarit të familjes Imeraj dhe të varri i Heroit Mustafë Qorraj, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
13/03/2026
Drejtori i AMMKM-së z. Imer Hakaj së bashku me stafin pritën në takim nënkryetarin e Komunës së Podujevës, z. Fahri Restelica, i shoqëruar nga drejtoresha për Kulturë, znj. Valbona Ibishi. Në këtë takim u diskutuan tema të rëndësishme që lidhen me prioritetet e AMMKM-së në fushën e intervenimeve të nevojshme për vitin 2026 dhe më tutje, në monumente dhe komplekse memoriale.
Gjithashtu u diskutua për nevojën e shtimit të prioriteteve tona për një përfshirje më të gjerë në mirëmbajtjen e lapidarëve dhe varrezave të të rënëve për liri.
Në këtë takim, drejtori Hakaj dhe stafi i agjencisë i njoftuan përfaqësuesit e komunës për punët që janë realizuar ndër vite në Komunën e Podujevës, si dhe për projektet që kanë prioritet për fillimin e punimeve. Ndër to janë ndërhyrja emergjente në kompleksin memorial në Orllan, në nderim të Heroit të Kombit Zahir Pajaziti, si dhe vazhdimi i punimeve për muzealizimin e kompleksit memorial në Penuh të Podujevës.
Si agjenci, do të vazhdojmë punën gjithmonë në bashkëveprim dhe koordinim me komunat dhe shoqatat e dala nga lufta e shenjtë e UÇK-së, për të bërë atë që është e domosdoshme për nderimin dhe kujdesin ndaj të rënëve për liri.
05/03/2026
Me 5, 6 dhe 7 mars shënojmë datat e rëndësishme të historisë së UÇK-së, të cilat simbolizojnë kurajon, unitetin dhe flijimin për lirinë e Kosovës. Këto ditë janë një thirrje për të kujtuar dhe për të nderuar të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e atdheut.
Si Agjenci për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, ne jemi të përkushtuar për ruajtjen, menaxhimin dhe ndërtimin e komplekseve memoriale që mbajnë gjallë kujtimin e kësaj periudhe të lavdishme. Monumentet dhe komplekset që nderojnë UÇK-në janë jo vetëm dëshmi e një periudhe të luftës për liri, por edhe një thirrje për të mbajtur gjallë kujtimin dhe sakrificat që sollën Pavarësinë e Kosovës.
04/03/2026
Sot, drejtori i AMMKM-së z. Imer Hakaj së bashku me stafin, me mbikëqyrësin e projektit z. Enver Dreshaj dhe projektuesin e projektit z. Arton Qorri, vizituan vendin ku ndodhi Masakra e Poklekut, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë.
Në këtë vend dhimbjeje dhe kujtese, si gjithmonë me përulje, nderuan sakrificën e tyre dhe ritheksuan përkushtimin institucional që e kaluara të mos harrohet kurrë. Pokleku mbetet amanet për drejtësi dhe kujtesë të përhershme.
Lavdi e përjetshme 53 martirëve të Poklekut dhe të gjithë të rënëve për liri!
16/02/2026
Sot, më 16.02.2026, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, pranë familjes së dëshmorit, mori pjesë drejtori i AMMKM-së z.Imer Hakaj dhe stafi i AMMKM-së në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha.
Nga sot, ai do të prehet pranë bashkëluftëtarëve të idealit në Shqiponjë të Dushkajës, trevë e shumë luftëtarëve që i dhanë kahje dhe forcë luftës për liri. Ky është misioni dhe përgjegjësia e AMMKM-së në drejtimin tonë: të ndihmojmë dhe të bashkëveprojmë me komunat dhe shoqatat e dala nga lufta e shenjtë e UÇK-së, që dëshmorët e lirisë të jenë përgjithmonë të bashkuar në komplekse memoriale si asete të shtetit tonë, të mbikëqyrura nga institucionet shtetërore, ashtu siç kanë qenë të bashkuar si luftëtarë në frontet e luftës për liri e pavarësi.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë edhe komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, pjesëtarë të Forca e Sigurisë së Kosovës, të Policia e Kosovës, si dhe me mbështetjen e duhur të Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Sakrifica e dëshmorit Jeton Hoxha dhe e shumë dëshmorëve të tjerë na obligon sot dhe gjithmonë të bashkëpunojmë me zemër për dëshmorët, që të forcojmë shtetin tonë dhe të ruajmë me nder lirinë.
Përgjithmonë krenar me dëshmorët, heronjtë tanë.
Lavdi dëshmorit, Jeton Hoxha.
Familjes i shtoftë krenaria përballë dhimbjes që bart.