Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Share

Përgjegjësitë, fushëveprimi, rregullat dhe procedurat e punës të Komisionit Qeveritar për

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është organ qeveritar në Republikën e Kosovës, i cili angazhohet në zgjidhjen dhe trajtimin e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Komisioni siguron koordinim institucional, ofron mbështetje për familjet dhe punon për realizimin e të drejtave të viktimave, me synim zbardhjen e fatit dhe vendnd

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 24/04/2026

Në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, ju ftojmë të bashkoheni në aktivitetet përkujtimore të datës 27 prill.

Pjesëmarrja juaj është mbështetje për familjet dhe përpjekjet për të zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së më të dashurve të tyre

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 23/04/2026

Vizitë dyditore në ICMP për avancimin e procesit të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur

Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona te Zhdukur dhe Institutit për Mjekësinë Ligjore, ka zhvilluar një vizitë dyditore në selinë e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), me qëllim forcimin e bashkëpunimit në procesin të zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Delegacioni është mirëpritur nga Drejtoresha e Përgjithshme dhe nga zyrtarët e ICMP-së të angazhuar në proceset e identifikimit shkencor, përkatësisht laboratorët e ADN-së, dhe në menaxhimin e të dhënave.

Gjatë takimeve janë trajtuar çështje kyçe që lidhen me metodat e avancuara shkencore në identifikim, adresimin e kërkesave dhe sfidave të përbashkëta , si dhe përmirësimin e mundshëm të procedurave dhe në përgjithësi rritjen e bashkëpunimit. Po ashtu, është diskutuar progresi në funksionalizimin e Bazës së të Dhënave, sistemit iDMS, dhe mundësitë për zgjerimin e tij përmes integrimit të të dhënave dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve, përfshirë edhe mundësinë për përdorimin e metodave të inteligjencës nga burime të hapura (OSINT).

Delegacioni i Republikës së Kosovës falënderoi ICMP për organizimin e takimit dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se procesi ndodhet në një fazë të rëndësishme që krijon hapësirë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Në këtë kuadër, u vlerësua puna dhe profesionalizmi i ekspertëve, si dhe dinamika e shtuar e institucioneve të Republikës së Kosovës, si në vlerësim të lokacioneve, po ashtu në angazhimin e trajtimit të rasteve të mbetjeve mortore të paidentifikuara.

Gjithashtu është theksuar nevoja për angazhim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Vizita përfundoi me dakordim për hapa konkretë të mëtejmë dhe përcaktimin e prioriteteve për bashkëpunim, me fokus në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së procesit të identifikimit të personave të zhdukur.

Republika e Kosovës , nga viti 2023 është shtet anëtar në Konferencën e Shteteve të ICMP-së.

17/04/2026

𝐍𝐣𝐨𝐟𝐭𝐢𝐦 -
𝐍𝐞𝐬𝐞̈𝐫 𝐫𝐢𝐯𝐚𝐫𝐫𝐨𝐬𝐞𝐭 𝐒𝐢𝐧𝐚𝐧 𝐃𝐚𝐮𝐭𝐢 (𝟏𝟕.𝟎𝟔.𝟏𝟗𝟗𝟎 – 𝟏𝟒.𝟎𝟒.𝟏𝟗𝟗𝟗)
𝐢 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫 𝐠𝐣𝐚𝐭𝐞̈ 𝐥𝐮𝐟𝐭𝐞̈𝐬

Nesër, më 18.04.2026 (e shtunë), nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj, do të organizohet ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit, i zhdukur gjatë luftës, i cili më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas ndërroi jetë në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa gjatë këtyre viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.

Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit, janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ceremonia e rivarrimit organizohet sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.

Me këtë rast, në këtë moment të rëndë për familjen, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dauti.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur dhe për të garantuar të drejtën e familjeve për të vërtetën.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 10/04/2026

Vazhdon koordinimi institucional për kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se është mbajtur takimi i radhës konsultativ me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës - Sektorin për Persona të Zhdukur, në kuadër të koordinimit të aktiviteteve në procesin e kërkimit dhe identifikimit, me synim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Gjatë takimit u diskutuan aktivitetet në terren dhe hapat e mëtejmë. U dakordua që lokacioni në Rahovec, si lokacioni i katërt i adresuar gjatë këtij viti në kuadër të gërmimeve vlerësuese, të mbetet në fokus edhe në ditët në vijim, me vazhdimin e gërmimeve deri në vlerësimin e plotë të tij. Po ashtu, u theksua se aktualisht janë gjithsej edhe shtatë lokacione për të cilat tashmë janë siguruar urdhëresat për zhvarrim nga gjykata kompetente, si dhe katër lokacione të tjera që janë në proces të sigurimit të urdhëresave përkatëse.

Krahas gërmimeve vlerësuese në terren, në periudhën në vijim prioritet i veçantë do t’i kushtohet njoftimit të familjeve të viktimave të identifikuara, të cilat kanë qenë në Listën e Personave të Zhdukur, si pjesë e angazhimeve për trajtimin sa më të kujdesshëm të procesit. Përderisa u theksua se gjatë tre muajve të fundit, janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore të nëntë viktimave të luftës, të identifikuara përmes analizës së ADN-së.
Aktualisht, zyrtarët e IML-së dhe Komisionit janë në komunikim me familjet për dy identifikime të reja, si dhe me familjet e viktimave për konfirmimin e identitetit.

Komisioni Qeveritar mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 23/03/2026

Dorëzimi i materialeve (dokumente, fotografi, video-incizime) nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me shoqatat familjare, sot nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës janë pranuar materiale dokumentare që kontribuojnë në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës.

Materialet e dorëzuara, që përfshijnë dokumente, fotografi dhe video-incizime, do të trajtohen nga Njësia e Komisionit dhe do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse të verifikimit, analizës dhe administrimit të mëtejmë.

Këto materiale do të kontribuojnë në:

• zhvillimin e aktiviteteve kërkimore dhe vlerësuese në terren;

• verifikimin dhe analizën e të dhënave;

• plotësimin dhe përditësimin e Regjistrit Qendror të Personave të Zhdukur;

• ndërgjegjësimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë prezantimet e përbashkëta me shoqatat familjare.

Materialet e pranuara janë digjitalizuar në kuadër të projektit të implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me përkrahjen e Ambasadës Britanike.

Komisioni mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me familjet, shoqatat familjare dhe partnerët institucionalë, për të mundësuar trajtimin dhe shfrytëzimin efektiv të çdo informacioni që mund të kontribuojnë në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

10/03/2026

𝐏𝐞̈𝐫𝐝𝐢𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐦 𝐧𝐠𝐚 𝐠𝐞̈𝐫𝐦𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐥𝐨𝐤𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 “𝐏𝐞̈𝐫𝐳𝐡𝐢𝐧𝐚”, 𝐑𝐚𝐡𝐨𝐯𝐞𝐜

Në vijim të rifillimit të gërmimeve vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec, aktivitetet në terren kanë vazhduar edhe gjatë dy ditëve të fundit (dje dhe sot).

Në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e gërmimeve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës - Sektori për Persona të Zhdukur, edhe në prani të përfaqësuesve të institucioneve lokale të Komunës së Rahovecit, në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë vazhduar aktivitetet në këtë lokacion.

Me rastin e rifillimit të punimeve, të enjten më 4 mars 2026, janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu, gjatë punimeve të zhvilluara dje janë evidentuar gjetje të mbetjeve mortore, të cilat, sipas vlerësimit fillestar, i përkasin së paku një individi. Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së.

Gërmimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në vlerësimin e tërësishëm të lokacionit të shënjuar, përkatësisht zonës me interes.

Në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë ligjore, procesi po zhvillohet në koordinim ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës - Sektorit për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë, me përkushtim të plotë institucional, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar në këtë proces dhe do të vazhdojë angazhimin deri në përmbylljen e kësaj faze të gërmimeve, duke informuar opinionin publik në mënyrë të rregullt dhe transparente, me ndjeshmëri të veçantë ndaj familjeve.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 06/03/2026

𝐏𝐚𝐬 𝟐𝟕 𝐯𝐢𝐭𝐞𝐬𝐡 𝐩𝐫𝐢𝐭𝐣𝐞, 𝐫𝐢𝐯𝐚𝐫𝐫𝐨𝐬𝐞𝐭 𝐌𝐲𝐫𝐭𝐞𝐳𝐚 𝐃𝐲𝐥𝐡𝐚𝐬𝐢

Sot në Gjakovë bë rivarrimi me nderime i Myrteza Dylhasit, i zhdukur më 27 mars 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Për 27 vite Myrteza Dylhasi ishte në Listën e Personave të Zhdukur, si pjesë e grupit prej 11 qytetarësh të rrëmbyer dhe zhdukur nga forcat serbe, në rastin e njohur si rasti i 'Shtëpisë së Familjes Qerkezi'.

Mbetjet mortore të tij u gjetën në lokalitetet përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore e angazhimit të vazhdueshëm të ekspertëve dhe analizave të ADN-së, u bë i mundur identifikimi dhe rivarrimi i tij me dinjitet.

Nga i njëjti grup, gjashtë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa familja Dylhasi mbetet në pritje edhe për zbardhjen e fatit të Skender Dylhasit, babai i Myrteza Dylhasit.

Ky rast dëshmon se procesi i kërkimit vazhdon dhe se përkushtimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i palëkundur deri në ndriçimin e fatit të çdo personi të zhdukur.

Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dylhasi dhe nderimin më të thellë për qëndresën e tyre 27 vjeçare në kërkim të së vërtetës.

04/03/2026

𝐑𝐢𝐟𝐢𝐥𝐥𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐠𝐞̈𝐫𝐦𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐯𝐥𝐞𝐫𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐥𝐨𝐤𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐧𝐞̈ 𝐑𝐚𝐡𝐨𝐯𝐞𝐜

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se kanë rifilluar gërmimet vlerësuese në Rahovec, më saktësisht në lokacionin e njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si “Përzhina”, në vijim të punimeve të realizuara gjatë vitit të kaluar në këtë zonë.

Gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore.
Për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht.

Në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e aktiviteteve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës- Sektori për Persona të Zhdukur , në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë rikthyer në këtë lokacion për të vazhduar gërmimet dhe verifikimet në terren.

Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike.

Ky proces po realizohet sipas planifikimeve dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës , Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë ligjore të secilit institucion.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë me përkushtim të plotë edhe aktivitetet kërkimore dhe vlerësuese në terren, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, duke informuar opinionin publik në mënyrë të rregullt dhe transparente, me ndjeshmëri të veçantë ndaj familjeve të personave të zhdukur.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 01/03/2026

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐊𝐫𝐨𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐭𝐡𝐞𝐥𝐥𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐞̈𝐩𝐮𝐧𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐬𝐢𝐧 𝐞 𝐧𝐝𝐫𝐢𝐜̧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐟𝐚𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞𝐫𝐬𝐨𝐧𝐚𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫

Një delegacion i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, i përbërë edhe nga përfaqësues të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore ka qëndruar për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, ku zhvilloi takim me delegacionin kroat të Drejtorisë për të Burgosurit dhe të Zhdukurit nga Lufta Atdhetare në Kroaci, të kryesuar nga Ana Filko.

Takimi u mbajt në Vukovar dhe u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi të ndërsjellë, me fokus në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në procesin e kërkimit, gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur nga lufta, si dhe në adresimin e sfidave të përbashkëta.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, falënderoi palën kroate për mikpritjen dhe organizimin e takimit, duke theksuar simbolikën e Vukovarit si qytet i sakrificës dhe qëndresës gjatë Luftës Atdhetare, si dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë.

Gjatë diskutimeve, u prezantua metodologjia që Ministria e Veteranëve Kroatë aplikon në zbulimin e varrezave masive dhe individuale, përfshirë përdorimin e gjeoradarëve, qenve të trajnuar për kërkimin e kufomave, dronëve dhe pajisjeve të tjera bashkëkohore teknike. U diskutua gjithashtu mundësia e bashkëpunimit konkret dhe e ofrimit të mbështetjes profesionale në hulumtimin e lokacioneve të mundshme. Po ashtu me theks të veçantë u potencua edhe dimensioni ligjor i procesit, në garantimin dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur.

Delegacioni kosovar realizoi gjithashtu një vizitë në lokacionin e varrezës masive “Petrovaçka Dola” në Vukovar, një nga lokacionet më komplekse dhe më afatgjata të hulumtuara nga autoritetet kroate, ku u prezantuan praktikat dhe përvojat konkrete në procesin e kërkimeve dhe identifikimeve.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Komisionit vizituan edhe Qendrën Memoriale të Luftës Atdhetare në Vukovar, Shtëpinë Përkujtimore në Ovçara, Memorialin e Varrit Masiv në Ovçara, si dhe Kompleksin Memorial të Varrezave të Viktimave nga Lufta Atdhetare, ku u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe e nderimit e respektimit të dinjitetit të viktimave.

Përvoja e Kroacisë përbën një model të rëndësishëm në hulumtimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, përderisa në përmbyllje të vizitës u diskutua mundësia e formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe domosdoshmëria e intensifikimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 26/02/2026

Njoftim

Mbetjet mortore (eshtrat) e tre viktimave të luftës Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur dhe u identifikuan së fundmi përmes analizës shkencore të ADN-së, do të rivarrosen të premten, më 27 shkurt 2026, në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve.

Mbetjet e tyre mortore janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin.

Ceremonia e rivarrimit organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Agjenda e ceremonisë:

11:30 - 12:30 Homazhe në Shtëpinë e Kulturës "Jehona e Dukagjinit", Klinë ;

13:00 - Akademi Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës "Jehona e Dukagjinit" ;

14:00 - Rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, Kodra e Kuqe - Zajm, Klinë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u shpreh ngushëllime familjeve dhe riafirmon përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Photos from Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur's post 21/02/2026

𝐌𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐢𝐦𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐥𝐚𝐫𝐭𝐚 𝐮𝐬𝐡𝐭𝐚𝐫𝐚𝐤𝐞, 𝐮 𝐫𝐢𝐯𝐚𝐫𝐫𝐨𝐬 𝐃𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐨𝐫𝐢 𝐀𝐠𝐫𝐨𝐧 𝐆𝐣𝐨𝐜𝐚𝐣, 𝐪𝐞̈ 𝐢𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐋𝐢𝐬𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐬𝐨𝐧𝐚𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐙𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫

Sot në Varrezat e Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit, me nderime ushtarake, u rivarros dëshmori i kombit Agron Gjocaj, i rënë më 18.08.1998, që ishte në Listën e Personave të Zhdukur deri në identifikimin e eshtrave të tij.

Pas gjetjes dhe identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesës së familjes, u rivarrosën mbetjet mortore të tij, të cilat u gjetën gjatë vitit 2025.
Ceremonia e rivarrimit u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.

Pas më shumë se 27 viteve ankthi, shprese dhe qëndrese dinjitoze, me peshën më të madhe të mbajtur nga familja e tij, Dëshmori Agron Gjocaj u rivarros me nderimin më të lartë në tokën e Kosovës së lirë që e deshi dhe për të cilin dha gjithçka.

Ky rivarrim, dhe çdo rivarrim, është një rikujtim i fuqishëm se drejtësia nuk është përmbushur plotësisht dhe se ka ende familje që presin me ankth një përgjigje.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur riafirmon përkushtimin e palëkundur për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur me forcë, si dhe për mbrojtjen e të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Lavdi dhe nderim i përjetshëm dëshmorit të kombit Agron Gjocaj.

Want your business to be the top-listed Government Service in Pristina?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Address


Sheshi Skenderbeu Pn. Qeveria E Kosoves
Pristina
10000