02/06/2026
Në kuadër të programit “Arti në shkolla”, Filharmonia e Kosovës prezanton veprën e njohur “Pjetri dhe Ujku” të Sergei Prokofievit, të aranzhuar për kuintet frymor nga David Sale.
Përmes muzikës, fëmijët do të ndjekin aventurën e Pjetrit dhe personazheve të tjerë të përrallës, ku secili përfaqësohet nga një instrument i ndryshëm.
Interpretojnë anëtarët e Kuintetit Frymor të Filharmonisë së Kosovës: Zanë Abazi (flaut), Xhovana Marku (obo), Shkumbin Bajraktari (klarinetë), Meriton Ferizi (f***t) dhe Ilir Kodhima (korno).
Koncerti mbahet më 4 qershor 2026, në ora 13:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
02/06/2026
Në Mitrovicën e Veriut është përuruar Muzeu i Masakrës në Lagjen e Boshnjakëve, kushtuar 23 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në pranverën e vitit 1999.
I ngritur në vendin ku ndodhi krimi, muzeu shërben si dëshmi e përhershme e një prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë, duke u kthyer në hapësirë kujtese, reflektimi dhe edukimi për brezat e ardhshëm.
Ruajtja e kujtesës për krimet e luftës mbetet obligim institucional dhe shoqëror. Kujtesa është dëshmi e së vërtetës, nderim për viktimat dhe thirrje e vazhdueshme për drejtësi.
Në përurim morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci dhe zyrtarë e përfaqësues të tjerë të institucioneve.
30/05/2026
Në ambientet e Kalasë së Qytetit në Vushtrri, këtë javë u prezantua koncept-dizajni dhe modeli i menaxhimit për rijetësimin e ndërtesës së ish-Gjykatës në Vushtrri.
Takimi publik mblodhi përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe komunitetit lokal, duke krijuar një hapësirë diskutimi mbi të ardhmen e këtij aseti të trashëgimisë kulturore dhe mënyrën se si ai mund t’i shërbejë komunitetit lokal.
Koncepti i prezantuar është zhvilluar mbi bazën e një procesi gjithëpërfshirës të vizionimit, përmes konsultimeve, intervistave, punëtorive dhe diskutimeve me akterë të ndryshëm lokal e institucional.
Propozimi synon transformimin e ndërtesës në një hapësirë shumëfunksionale, që promovon edukimin, kulturën, inovacionin, aktivitetet komunitare dhe interpretimin e historikut të ndërtesës dhe qytetit.
Gjatë takimit u diskutua edhe modeli potencial i menaxhimit të ndërtesës, i zhvilluar mbi praktikat më të mira të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, me fokus në krijimin e një hapësire të qasshme, aktive dhe të qëndrueshme për komunitetin lokal.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë, në kuadër të Programit për Integrimin e Trashëgimisë Kulturore në Planifikim Hapësinor, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe UN-Habitat.
30/05/2026
Njoftim
Ministria e Kulturës dhe Turizmit njofton opinionin publik që mbështetja për sektorin e kulturës vazhdon të jetë e lartë. Pretendimet se kemi ulur shumën e mbështetjes trevjeçare për organizatat kulturore janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të mbështetjes për sektorin e kulturës.
Në Thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2026 nuk është zvogëluar mbështetja financiare për organizatat kulturore krahasuar me vitin paraprak.
Kategoria “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” vazhdon të mbështetet me të njëjtën vlerë si në vitin 2025, respektivisht deri në 40,000 euro për projekt.
Keqinterpretimi duket të ketë ardhur nga fakti se kategoria “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës” nuk është përfshirë në këtë thirrje, pasi gjatë vitit 2026 do të shpallet një thirrje e veçantë për këtë kategori. Në kuadër të saj, vlera maksimale e mbështetjes financiare do të jetë deri në 100,000 euro.
Po ashtu, bazuar në rezultatet e thirrjeve publike të viteve 2024 dhe 2025, Ministria tashmë ka nënshkruar kontratat dhe ka ekzekutuar pagesat për shumicën e organizatave përfituese në kuadër të mbështetjes trevjeçare për vitin 2026. 35 organizatat kryesore kulturore në vend, përfituese nga mbështetja institucionale e Ministrisë, tashmë janë në proces të zbatimit të programeve të tyre.
Për thirrjen publike të vitit 2026 për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore janë planifikuar 1 milion euro.
Ndërkaq, nga thirrjet publike të viteve 2024 dhe 2025 janë nënshkruar kontrata në vlerë prej 1,703,000 eurosh me:
• 16 organizata kulturore në kategorinë “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës”;
• 19 projekte në kategorinë “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”.
Në total, 35 organizata kulturore përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2026 në bazë të kontratave të lidhura nga thirrjet e viteve paraprake.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, mbështetjes së qëndrueshme të sektorit kulturor dhe informimit të drejtë e të saktë të qytetarëve.
26/05/2026
Poeti Ymer Elshani, i cili u vra së bashku me familjen e tij dhe 46 civilë të tjerë në Masakrën e Poklekut nga forcat paramilitare serbe, tashmë do të kujtohet dhe nderohet përmes shtëpisë së tij të kthyer në muze në Korroticën e Poshtme të Drenasit.
Dje u përurua shtëpia-muze e Ymer Elshanit, e cila do të ruajë kujtesën historike dhe do të prezantojë jetën, veprën dhe trashëgiminë letrare të tij, si dhe dëshminë e një periudhe të dhimbshme të historisë sonë.
Në përurim morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, si dhe zyrtarë të tjerë institucionalë.
Ky institucion i kujtesës shndërrohet në një pikë të rëndësishme referimi për ruajtjen e së vërtetës historike dhe edukimin e brezave të ardhshëm.
26/05/2026
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, priti në takim ekipin e filmit “Dua”, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Festivalin e Kanës, ku filmi u vlerësua me çmimin “SACD” në kuadër të “Semaine de la Critique”.
Në takim u përgëzua regjisorja Blerta Basholli dhe gjithë ekipi për këtë arritje të rëndësishme për kinemanë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa bashkë diskutuan për rrugëtimin e tyre dhe për filimin.
Ky sukses është një tjetër dëshmi të nivelit të lartë artistik të filmbërësve tanë dhe pranisë gjithnjë e më të fuqishme të kinemasë sonë në festivalet më prestigjioze botërore.
25/05/2026
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, priti në takim Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
Diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushat e kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, me fokus në projektet e përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave.
U vlerësua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe vazhdimi i partneritetit ndërmjet dy vendeve.
25/05/2026
Mësoni më tepër për dy thirrjet e hapura në MKT, në kulturë dhe trashëgimi kulturore nga intervista e zëvendësminstres Nora Arapi Krasniqi.
Thirrje pë OJQ e individë, Përkrahen propozimet në fushën e trashëgimisë kulturore
| KTV© KOHA. All rights reserved.