04/06/2026
Mbahet trajnim për këshilltarët e punësimit të projektit SAS
Në kuadër të Projektit për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale, u realizua një trajnim për këshilltarët e punësimit dhe stafin e Help Desk-ut të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.
Trajnimi u udhëhoq nga Udhëheqësi i Zyrës së Punësimit në Mitrovicë, Besmir Salihu, dhe u fokusua në forcimin e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me reformën e sistemit të asistencës sociale.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet forcimi i kapaciteteve profesionale të stafit, me fokus mbështetjen e procesit të aktivizimit dhe integrimit në tregun e punës të personave të aftë për punë, përfitues të Skemës së re të Asistencës Sociale, duke kontribuar në rritjen e mundësive për punësim dhe përfshirje të qëndrueshme ekonomike.
02/06/2026
🤝🌸 Bashkëpunim për fuqizimin e grave në Shtime - Takim me biznesin “Butterfly” për projektin SAS
Përfaqësuesit e Zyrës së Punësimit në Shtime realizuan takim me biznesin “Butterfly” në kuadër të projektit SAS, për të diskutuar mundësitë e punësimit të përfituesve të pilotimit të asistencës sociale, me fokus të veçantë tek gratë.
“Butterfly”, i cili punëson mbi 40 gra në pozita të paketimit dhe ambalazhimit, ishte ndër bizneset në komunën e Shtimes që iu bashkua projektit SAS, duke krijuar mundësi punësimi për gratë përfituese të asistencës sociale.
Ky partneritet dëshmon rolin e rëndësishëm të sektorit privat në krijimin e mundësive për punësim dhe integrim në tregun e punës të grupeve më të cenueshme.
01/06/2026
📌 Disa informacione rreth llogarisë së pagesave me shërbime bazike
28/05/2026
Zyra e Punësimit në Pejë vazhdon bashkëpunimin me Voice of Roma, Ashkali and Egyptians
Në kuadër të angazhimit për fuqizimin dhe integrimin në tregun e punës të përfituesve të pilot projektit SAS, po vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me organizatën Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, me synim ndërmjetësimin dhe finalizimin e punësimeve për përfituesit e projektit.
Përmes këtij bashkëpunimi po krijohen mundësi konkrete për përfshirje profesionale, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbështetje drejt integrimit ekonomik e social të komuniteteve përfituese.
Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet punëkërkuesve dhe punëdhënësve, duke kontribuar në rritjen e mundësive për punësim dhe mirëqenie sociale.
18/05/2026
Në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë u organizua një takim informues me prindër përfitues të Qendra Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje (QMFF), për t’i njoftuar nga afër me Projekti për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale të Kosovës .
Mbi 45 prindër patën mundësi të marrin informacione të rëndësishme rreth mundësive, kritereve dhe mbështetjes që kjo skemë ofron për familjet në nevojë.
Ky takim u realizua në bashkëpunim me përfaqësuesit e Zyrës së Punësimit dhe këshilltarët e projektit SAS, të cilët ndanë informacione praktike dhe iu përgjigjën pyetjeve të pjesëmarrësve.📝
Në SOS, besojmë se fuqizimi i familjes fillon me informim, mbështetje dhe qasje në mundësi. Sepse kur një familje ndihet e përkrahur, edhe fëmijët rriten me më shumë siguri, kujdes dhe shpresë.🤝
Faleminderit Zyrës së Punësimit dhe këshilltarëve të projektit SAS për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në mbështetje të familjeve përfituese.🙏
14/05/2026
Përfituesit e skemës së reformuar të asistencës sociale përfshihen në tregun e punës përmes skemës "Qeveria për Familjet"
Përfaqësuesit nga Zyra e Punësimit Ferizaj / Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, me Mbikëqyrësin e ZP-së, Bekim Dernjani, dhe drejtorin e Stacionit të Autobusëve - Ferizaj, Denis Rash*ti, realizuan një vizitë monitoruese tek i angazhuari, përfitues nga projekti SAS i cili është integruar në tregun e punës përmes skemës "Qeveria për Familjet".
Gjatë vizitës u pa nga afër angazhimi i përfituesit në vendin e punës si dhe u vlerësuan kushtet e përgjithshme të ambientit të punës si pjesë e monitorimit të rregullt.
APRK mbetet e përkushtuar në zbatimin dhe avancimin e programeve që mbështesin punësimin e kategorive në nevojë dhe bashkëpunimin me bizneset për krijimin e mundësive të reja.
05/05/2026
Zyra e Punësimit në Lipjan priti në takim Drejtoren e Institucionit Parashkollor “Kopshti i Yjeve”
Këshilltarët e punësimit zhvilluan një takim me znj. Xhevahire Mehmeti-Nishori me qëllim vazhdimin e bashkëpunimit. Në të kaluarën, një përfitues është ndërmjetësuar me sukses në këtë institucion përmes masës “subvencionim në pagë”, dhe në këtë frymë, palët diskutuan mundësi të reja për ndërmjetësim të kandidatëve të tjerë.
Bashkëpunimi i deritanishëm paraqet një shembull pozitiv të integrimit dhe punësimit të qëndrueshëm. Palët u dakorduan të identifikojnë kandidatë të përshtatshëm dhe të shqyrtojnë mundësinë e angazhimit të tyre në pozita të ndryshme brenda kopshtit.
Kjo nismë dhe angazhimi i përbashkët mbeten një model i suksesshëm i bashkëpunimit institucional dhe përkrahjes së punësimit.
23/04/2026
Zyra e Punësimit në Shtime zhvillon takim me kompaninë Interex
Udhëheqësi i Zyrës së Punësimit në Shtime, së bashku me këshilltarët e projektit SAS, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e kompanisë Interex.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e punësimit të përfituesve të asistencës sociale, si dhe për skemat e subvencionimit të pagave për kompanitë që angazhojnë këtë kategori.
Palët u dakorduan për të mbajtur komunikim të vazhdueshëm me qëllim identifikimin dhe shfrytëzimin e mundësive konkrete për integrimin e përfituesve të reformës së skemës së asistencës sociale në tregun e punës.
22/04/2026
Zyra e Punësimit në Lipjan pret në takim përfaqësuesit e Akademisë Evolucion
Në Zyrën e Punësimit në Lipjan, këshilltarët e punësimit takuan përfaqësuesin e "Akademisë Evolucion", Z. Naim Llugiqin, me të cilin bashkëbiseduan lidhur me projektit SAS.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu lidhur me mundësinë për trajnime falas nga "Akademia Evolucion"- institucion i arsimit të lartë, në bashkëpunim me UNDP-në, në disa nga profilet e industrisë së modës, si: rrobaqepësi, dizajn mode dhe zhvillim koleksioni.
Palët u pajtuan që të ndajnë këtë mundësi me përfituesit e SAS të cilët kanë dëshirë të ndjekin këto trajnime.