29/05/2026
Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit A.P.
Prishtinë, 29 Maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit A.P, për veprën penale Vrasje e rëndë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengoj në rrjedhën normale të procedurës penale.
Gjykata gjithashtu konsideron se nëse i pandehuri lihen në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikojë provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
29/05/2026
Përfaqësues të Organizatës CSHRD vizituan Dhomën e Sigurisë në Gjykatën Themelore
Prishtinë, 29 Maj 2026 - Administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z.Shaban Gërxhaliu, ka pritur në ambientet e Gjykatës, përfaqësues të organizatës Coalition of Somali Human Rights Defenders (CSHRD) nga Somalia.
Në kuadër të kësaj vizite, përfaqësuesit e kësaj organizate Ilyas Adam Hasan dhe Liban Abdirashid Qaybdid Yurub, të shoqëruar nga përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, kanë zhvilluar një vizitë në Dhomën e Sigurt, e cila funksionon në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim njohjen më të afërt me kushtet dhe mekanizmat e krijuar për sigurimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë takimit, administratori Gërxhaliu i ka informuar të pranishmit lidhur me punën dhe aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Gjykatës Themelore, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e funksionimit të Dhomës së Sigurt në trajtimin e rasteve të ndjeshme, përfshirë rastet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ndër të tjera, Gërxhaliu theksoi se “edhe pse Dhoma e Sigurt në pamje duket e vogël, rëndësia dhe siguria e saj janë shumë të mëdha, duke marrë parasysh funksionin që kryen.”
Vizita e përfaqësuesve të CSHRD-së vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe qasjes në drejtësi.
25/05/2026
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë mban takim me Gjyqtarët Mbikëqyrës dhe Ndihmës Administratorët e degëve
Prishtinë 25 Maj 2026 - Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z.Ngadhnjim Arrni, ka pritur në takim Gjyqtarët Mbikëqyrës të degëve të gjykatës, si dhe Ndihmës Administratorët e degëve, me qëllim të vlerësimit të performancës institucionale dhe koordinimit të aktiviteteve për periudhën e ardhshme.
Në këtë takim morën pjesë Gjyqtarët Mbikëqyrës të degëve znj.Suzana Çerkini, z.Minir Hoti, z.Zenel Tasholli, z.Shefqet Baleci dhe z.Sinisha Borisavljeviç, Administratori i Gjykatës, z.Shaban Gërxhaliu si dhe Ndihmës Administratorët e degëve z.Flamur Pireva, znj.Elmije Troshupa, z.Boban Zhiviç, z.Bajram Rama dhe z.Skender Hyseni.
Gjatë takimit është diskutuar lidhur me raportin e punës për tremujorin e parë të vitit 2026, me ç’rast janë analizuar rezultatet e arritura, dinamika e trajtimit të lëndëve, çështja e procedimit të lëndëve sipas Planit të Veprimit të KGJK-së nga Gjykata Themelore në Prishtinë me degët e saj në Gjykatën Administrative të Republikës së Kosovës, si dhe sfidat e evidentuara gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave institucionale. Në vijim, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi masat dhe veprimet konkrete për avancimin e performancës dhe përmirësimin e menaxhimit të lëndëve gjyqësore.
Po ashtu, janë përcaktuar prioritetet strategjike dhe objektivat institucionale për tremujorin e ardhshëm, me fokus të veçantë në rritjen e efikasitetit, forcimin e koordinimit ndërmjet degëve dhe gjykatës, respektimin e afateve ligjore dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve gjyqësore.
Kryetari i Gjykatës, z.Arrni, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe angazhimit profesional, me qëllim të forcimit të integritetit institucional, rritjes së performancës dhe avancimit të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
21/05/2026
Është caktuar masa e paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve për veprën penale Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve
Prishtinë, 21 Maj 2026 - Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M., për veprën penale Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve nga neni 210 të KPRK-së.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale.
Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të përsërisin veprat penale, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
21/05/2026
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë z.Ngadhnjim Arrni priti në takim Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë në detyrë, znj.Donika Gërvalla-Schwarz
Prishtinë, 21 Maj 2026 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z.Ngadhnjim Arrni, mirëpriti sot në takim Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë të Republikës së Kosovës në detyrë, znj.Donika Gërvalla-Schwarz, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj. Në takim ishin prezent edhe gjyqtarët nga Divizioni Civil, z.Argzon Muçaj dhe znj.Ilire Vitija Bajraktari, si dhe administratori i gjykatës, z.Shaban Gërxhaliu.
Kryetari Arrni e njoftoi Ministren lidhur me organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, strukturën e saj organizative, punën e departamenteve dhe degëve të gjykatës, si dhe aktivitetet dhe angazhimet e vazhdueshme në funksion të rritjes së efikasitetit dhe ofrimit të drejtësisë për qytetarët.
Gjatë takimit u diskutua për çështje që ndërlidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe sfidat me të cilat përballen institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Fokus i veçantë iu kushtua efikasitetit në trajtimin e lëndëve, avancimit të kushteve të punës dhe forcimit të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Ministrja Gërvalla-Schwarz shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve gjyqësore, në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të reformave në drejtësi.
Në kuadër të takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe kompetencat kushtetuese të institucioneve të drejtësisë.
21/05/2026
Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve A.H., H.A., A.G. dhe T.A.
Prishtinë, 21 Maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.H., H.A., A.G. dhe T.A., për veprën penale Rrëmbimi në bashkëkryerje, ndaj të pandehurit A.H. për veprën penale Lëndimi i lehtë trupor, ndaj të pandehurit A.G. për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve dhe për veprën penale Posedimi i paautorizuar i narkotikëve substancave psikotrope ose analoge.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.H., H.A., A.G. dhe T.A., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës në këtë fazë të procedurës penale.
Gjykata gjithashtu konsideron se nëse të pandehurit lihen në liri ekziston rreziku që të njëjtit do të përsërisin veprat penale, duke pas parasysh se të njëjtit janë përsëritës të veprave penale, andaj masa e paraburgimit është masë adekuate duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Linku:
https://prishtine.gjyqesori-rks.org/2026/05/21/departamenti-per-krime-te-renda-ka-caktuar-masen-e-paraburgimit-ndaj-te-pandehurve-a-h-h-a-a-g-dhe-t-a/
19/05/2026
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit B.J., për shkak të veprave penale Spiunazhi të kryer në vazhdimësi dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjykata pas mbajtjes së seancës dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet të akuzuarit B.J. dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të cilën marrëveshje gjykata e ka miratuar, ka shpallur Aktgjykimin dhe të akuzuarit B.J. i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) viteve për veprën penale Spiunazhi të kryer në vazhdimësi dhe dënim me gjobë në vlerë prej 2.000 euro për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga data 17.07.2025, i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim, ndërsa masa e paraburgimit i është vazhduar deri në përfundimin e mbajtjes së dënimit.
Po ashtu, ndaj të akuzuarit B.J. është shqiptuar edhe dënimi plotësues Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 5 vitesh, i cili do të zbatohet pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Lidhur me shpenzimet e procedurës penale i akuzuari B.J. urdhërohet që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësorë të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 100€ (njëqind euro), ndërsa për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100.00€ (njëqind euro), e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata ka vendosur edhe për konfiskimin e armëve, sendeve të sekuestruara dhe pasurisë së sekuestruar, përkatësisht shumës prej 2 milionë dinarë serbë, 500 franga zvicerane dhe 10,220 euro, me përjashtim të shumës prej 3,217 euro, e cila i është kthyer të akuzuarit, pasi është arsyetuar si pasuri e ligjshme.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit.
09/05/2026
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, njofton opinionin publik se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.48/25, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.59/2022 të datës 15.08.2025, kundër të pandehurve ZLATOMIR PEŠIĆ, MLADEN CIRKOVIĆ, RADOMIR MARKOVIĆ, DUŠKO ADAMOVIĆ, OBRAD STEVANOVIĆ, ŽIVKO TRAJKOVIĆ, GORAN RADOSAVLJEVIĆ, BOGOLJUB JANIČEVIĆ, SLAVIŠA IVANOVIĆBOŠKO VUKIĆEVIĆ, SRETEN POPOVIĆ, NIKOLLA PETROVIĆ, KRSMAN JELIĆ, LJUBIŠA STOJIMIROVIĆ, BOŽIDAR DELIĆ, RADOJKO STEFANOVIĆ, DRAGAN ŽIVANOVIĆ, MILOS ÐOŠAN, LJUBINKO CVETIĆ, BOŽIDAR FILIĆ, MILOVAN KOVAČEVIĆ, për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e inkriminuar tani sipas nenit 144,145,146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.
Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohen te pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do te mbahet ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, Kati I, salla nr.17, me datë 01.07.2026, në ora 09:00 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Medie Bytyqi.
Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.
09/05/2026
Prishtinë, 09 Maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.S. për shkak të veprave penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Keqpërdorimi i informatës zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit, ndaj të pandehurit L.R. për shkak të veprave penale Mashtrimi dhe Falsifikimi i dokumentit si dhe ndaj të pandehurit N.S. për shkak të veprave penale Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtës së rrem dhe veprës penale Deklarim i rrem nën betim.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S. ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026.
Obligohen tre të pandehurit që në largësinë prej 200 (dyqind) metra, të mos i ofrohen
Komunës së Prishtinës si dhe Agjensionit Kadastral të Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve, do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.
Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
08/05/2026
Prishtinë, 08 Maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.I., A.Sh. dhe B.B., për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Shkelja e fshehtësisë së procedurës dhe Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve A.I., A.Sh., dhe B.B ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datën 07.06.2026.
Obligohen tre të pandehurit që në largësinë prej 100 (njëqind) metra, të mos i ofrohen vendit të punës si dhe institucioneve të tjera shtetërore të cilat kanë të bëjnë me pronën - Agjensionin Kadatral të Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.
Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve A.I., A.Sh., dhe B.B., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.