05/06/2026
Stafi i IKKL-së ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Rozhajë, me fokus në dokumentimin dhe sigurimin e materialeve arkivore që lidhen me eksodin e vitit 1999 dhe trajtimin e të dëbuarve nga Kosova.
Vizita nisi në Komunën e Rozhajës, ku delegacioni u prit nga Kryetari i Kuvendit Komunal, z. Almir Avdiq. Gjatë takimit, u vlerësua puna e institutit dhe u shpreh gatishmëri e plotë për bashkëpunim institucional, me theks në identifikimin dhe sigurimin e materialeve dhe dëshmive me rëndësi për dokumentimin e kësaj periudhe. Nga ana e IKKL-së u prezantua misioni dhe aktivitetet në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Më pas, delegacioni zhvilloi takim me z. Ferid Kardoviq, drejtor i Foto DVD “Ferko”, i cili posedon mbi 100 orë incizime video që dokumentojnë të dëbuarit nga Kosova në Rozhajë gjatë periudhës mars–qershor 1999. Në këtë takim u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit të materialeve arkivore dhe u dakordua dorëzimi i tyre në Institut.
Në vijim, u zhvillua takim me z. Shemso Dedeiq, shef i stacionit policor në Njësinë e Sigurimit Shtetëror në Rozhajë, ku u vlerësua kontributi i tij në mbrojtjen dhe përkrahjen e të dëbuarve nga Kosova gjatë viteve 1998–1999.
Në Bashkësinë Islame të Rozhajës, delegacioni u prit nga kryetari z. Ernad Ramović, kryeimami Rejhan Hot dhe sekretari Ramiz Luboder. Gjatë takimit u prezantua puna e institutit dhe u shpreh gatishmëri për dorëzimin e materialeve arkivore që lidhen me eksodin e vitit 1999, duke u nënshkruar gjithashtu procesverbali i dorëzim-pranimit.
Janë zhvilluar gjithashtu takime me z. Xhevat Bralliq, një nga kontribuesit kryesorë në ndihmën dhe trajtimin e të dëbuarve gjatë eksodit të vitit 1999, i cili shprehu gatishmëri për të ndihmuar në sigurimin dhe dokumentimin e materialeve dhe dëshmive të kësaj periudhe, si dhe me ish-kryetarin e Komunës së Rozhajës, z. Nusret Kalaç, i cili gjithashtu u tregua i gatshëm për bashkëpunim në mbështetje të dokumentimit historik.
Një takim u zhvillua edhe me Kryqin e Kuq në Rozhajë, ku sekretari z. Xhemil Ademagiq shprehu gatishmëri për bashkëpunim dhe ofrimin e informacioneve dhe dokumenteve relevante.
IKKL shpreh falënderim të veçantë për z. Haxhi Lajqi për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në realizimin e kësaj vizite dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.
05/06/2026
Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, z. Atdhe Hetemi, priti në takim z. Fadil Muçollin, i cili i dhuroi Institutit librin “Revolta e Syzifit” të autorit Bardhyl Mahmuti.
Kjo vepër trajton një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë - masakrën e Poklekut të 17 prillit 1999 - duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e krimeve të luftës dhe kultivimin e ndërgjegjes kolektive për të kaluarën tonë.
Falemnderojmë z. Muçollin dhe vlerësojmë këtë dhurim si një pasurim të rëndësishëm të fondit të saj bibliotekar dhe një kontribut të çmuar në promovimin e së vërtetës historike dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
04/06/2026
Në kuadër të bashkëpunimit me Florida State University, përmes programit Center for the Advancement of Human Rights, sot i uruam mirëseardhje znj. Tessa Cannizzaro, studente e këtij unversiteti e cila do te zhvilloj punë praktike në IKKL.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe në avancimin e kërkimit në fushën e dokumentimit të krimeve të luftës dhe drejtësisë tranzicionale duke dëshmuar punën e institucionit tonë.
Falënderojmë Prof. Adelina Emini për mbështetjen në realizimin e këtij bashkëpunimi.
IKKL mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimeve ndërkombëtare që kontribuojnë në të vërtetën dhe drejtësinë e ngjarjeve të luftës.
25/05/2026
Gjatë javëve të fundit, IKKL ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në funksion të dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Qytetarë, aktivistë, veteranë dhe kontribuues nga komuna të ndryshme të Kosovës dorëzuan materiale me vlerë arkivore, dëshmi dhe dokumentacion që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe.
Z. Mentor Bushi nga Pusteniku i Hanit të Elezit dorëzoi dëshmi për dëmet materiale të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe, ndërsa z. Ahmet Bushi, drejtor i SHFMU “Ilaz Thaçi”, dorëzoi materiale për vëllain e tij, i cili gjatë shërbimit ushtarak ishte kthyer në arkivol nga Armata Jugosllave, si dhe dëshmi për dëmet materiale të shkaktuara nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.
Aktivisti Ragip Shala dorëzoi në IKKL anketa, dëshmi dhe materiale dokumentuese për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në Shqipëri gjatë luftës 1998–1999, duke kontribuar në dokumentimin e krimeve të luftës dhe pasurimin e arkivit institucional.
Po ashtu, z. Nazim Hoxha nga fshati Crnicë i Komunës së Gjilanit dorëzoi materiale me vlerë arkivore dhe nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit, ndërsa z. Musa Berisha nga Hani i Elezit dorëzoi dëshmi për vëllain e tij, Isa Berisha, i cili u vra nga ushtria serbe derisa ishte nxënës i klasës së tretë fillore.
Veterani i UÇK-së, z. Remzi Krraba nga Stagova e Kaçanikut, dorëzoi materiale dhe dëshmi të rëndësishme lidhur me krimet e kryera nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, z. Rrustem Gudaqi nga Stagova e Kaçanikut, veteran-invalid i UÇK-së, dorëzoi dëshmi të rëndësishme për Masakrën e Stagovës. Ai ndau rrëfime dhe materiale që dëshmojnë për krimet e kryera ndaj civilëve, ku ndër viktimat ishin edhe djali dhe nëna e tij, si dhe vëllai i tij dëshmor i kombit.
Në ambientet e Institutit u pritën z. Uran Tuda, themelues i “Art Kanal”, dhe regjisori nga Struga, z. Agim Coma, kontribuues në dokumentimin e dëbimit të shqiptarëve gjatë luftës 1998–1999. Gjatë vizitës u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit dhe u diskutua për bashkëpunim të mëtejmë në ruajtjen e materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e luftës.
Instituti mirëpriti gjithashtu znj. Rudina Xhaferi, mbesën e veprimtarit dhe politikanit shqiptar Arben Xhaferi. Gjatë vizitës, ajo u njoh nga afër me punën dhe misionin e Institutit, si dhe vizitoi arkivin ku ruhen dhe administrohen dokumente e materiale me rëndësi për dokumentimin e krimeve të luftës.
Në IKKL u mirëprit edhe znj. Orgesa Arifi. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e dokumentimit, hulumtimit, grumbullimit dhe publikimit të materialeve që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe për rolin e ruajtjes së kujtesës kolektive në ndërtimin e së vërtetës historike.
Po ashtu, në IKKL u prit në takim Dr. Hajzer Dobra nga Verboci i Drenasit. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me punën dhe misionin e Institutit, vizitoi arkivin e IKKL-së, nënshkroi procesverbalin e dorëzimit dhe dorëzoi materiale dhe dokumente në posedim të tij.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, përfaqësues të IKKL-së bënë homazhe në Stagovë dhe Gjurgjedell të Kaçanikut për dëshmorët dhe martirët e kombit, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tyre për lirinë e vendit.
Në Stagovë u përkujtua Masakra e Stagovës, ku u vranë 13 civilë të pafajshëm dhe dëshmori Ekrem Gudaqi. Në mesin e viktimave ishte edhe Fitim Rrustem Gudaqi, vetëm 7 vjeç.
IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një kontribut në dokumentimin e së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.
21/05/2026
IKKL organizoi punëtori dyditore kushtuar listës së viktimave të luftës, e cila do të shërbejë si bazë për platformën e detajuar të viktimave të luftës që pritet të lansohet gjatë këtij viti. Në këtë punëtori morën pjesë institucione, ekspertë dhe personalitete që kanë kontribuar ndër vite në dokumentimin, verifikimin dhe harmonizimin e të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë.
Gjatë punëtorisë u prezantua metodologjia dhe platforma e databazës së IKKL-së, ndërsa u zhvillua edhe një proces i detajuar i krahasimit dhe harmonizimit të të dhënave me listat dhe evidencat e institucioneve pjesëmarrëse. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e mospërputhjeve, trajtimin e rasteve konkrete dhe përcaktimin e hapave të përbashkët për verifikime të mëtejme.
IKKL falënderon përzemërsisht z. Ibrahim Makolli, z. Bekim Blakaj, Prof. Jusuf Osmanin, z. Kushtrim Gara, z. Vlerson Haliti, z. Valon Hyseni, z. Ylli Shala, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin profesional në këtë proces të rëndësishëm institucional.
14/05/2026
IKKL realizoi vizitë zyrtare në Shkup, me qëllim të grumbullimit të materialeve dhe dëshmive që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë dhe dëbimin e shqiptarëve gjatë viteve 1998–1999.
Gjatë qëndrimit në Shkup, ekipi i IKKL-së zhvilloi takime me institucione, organizata, studiues dhe përfaqësues të mediave, të cilët kontribuuan me materiale me vlerë të veçantë historike dhe dokumentare për arkivin e Institutit.
Vizita nisi në Shkollën Fillore “Liria” në Komunën e Çairit, ku delegacioni u prit nga drejtoresha znj. Teuta Idrizi dhe stafi i saj. Në këtë takim u diskutua për rolin që kishte shkolla gjatë krizës humanitare të vitit 1999, në pranimin dhe integrimin e nxënësve të ardhur nga Kosova. Me këtë rast, IKKL pranoi materiale të rëndësishme që dokumentojnë ngjarjet e asaj periudhe.
Takimet vazhduan në Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), ku delegacioni u prit nga drejtori ekzekutiv z. Aleksandar Krzhalovski. Gjatë bisedës u trajtua kontributi i MCMS-së në mbështetjen e refugjatëve nga Kosova, ndërsa Institutit iu dorëzuan materiale digjitale me rëndësi arkivore.
Në kuadër të vizitës, IKKL zhvilloi takime edhe me prof. Fati Iseni dhe studiuesin z. Qerim Lita, të cilët dorëzuan materiale me rëndësi të veçantë për pasurimin e fondit arkivor të Institutit.
Vizita përfundoi me z. Uran Tuda, pronar i televizionit Art Channel, i cili shprehu gatishmërinë për të kontribuar me materiale që ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe dokumentimin e së vërtetës.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe institucionet që kontribuojnë në dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
13/05/2026
Mbrëmë, në Universitetin Duisburg-Essen në Gjermani, Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Nordrhein-Westfalen dhe Këshillin e Studentëve të Universitetit Duisburg-Essen, hapën ekspozitën “Helmimet në Kosovë (1990–1992)”.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe personalitete të jetës institucionale dhe politike në Gjermani, përfshirë Hartmut Ganzke dhe Frank Müller, deputetë në Parlamentin e Nordrhein-Westfalenit, si dhe Julia Jacob, kryetarja e parë e qytetit të Essenit. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues diplomatikë, profesorë universitarë, studentë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme.
Ekspozita paraqet dokumente origjinale, fotografi, raporte të organizatave ndërkombëtare dhe dëshmi autentike mbi helmimet masive të nxënësve shqiptarë në Kosovë gjatë viteve 1990–1992 — një prej ngjarjeve më të rënda dhe më tronditëse të asaj kohe në Evropë.
Përmes kësaj ekspozite synohet ruajtja e kujtesës historike, dokumentimi i krimeve dhe promovimi i së vërtetës për opinionin ndërkombëtar dhe brezat e rinj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Universitetin Duisburg-Essen deri më 15 maj 2026, ndërsa më 16 maj do të prezantohet edhe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf.
11/05/2026
Gjatë javës së fundit, IKKL ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në funksion të dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Përfaqësues të IKKL-së morën pjesë në aktivitetet përkujtimore kushtuar dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares: Afrim Krasniqi, Ramush Shatrolli, Florin Maliqi dhe Liman Reka, duke nderuar sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e vendit.
Stafi i IKKL-së realizoi takim me z. Aziz Bici, i cili dorëzoi materiale që lidhen me babanë e tij të vrarë gjatë luftës dhe nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit. Gjatë vizitës, ai pati mundësinë të njihet nga afër me organizimin dhe punën e arkivit të Institutit.
Po ashtu, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së zhvilloi takim me prof. Sylë Ukshini nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, me ç’rast u nënshkrua procesverbali për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që lidhen me luftën e Kosovës 1998–1999.
Ndërkaq, z. Ismet Kurteshi dorëzoi dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë krimet ekonomike të kryera gjatë luftës nga regjimi serb, ndërsa gjatë vizitës tek ish-kryetari i Këshillit të Emergjencave për rajonin e Gjilanit, z. Ismajl Kurteshi, Instituti pranoi materiale dhe lista të ndryshme nga periudha e luftës në këtë rajon.
Gjatë javës, veterani i UÇK-së, z. Bashkim Fazliu “Mixheni”, dorëzoi dëshmi të rëndësishme që lidhen me masakrën e Reçakut, duke kontribuar në ruajtjen e së vërtetës dhe kujtesës historike për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një kontribut në dokumentimin e së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.
09/05/2026
Përfaqësues të IKKL-së morën pjesë në punëtorinë profesionale të organizuar nga The National Library of Israel dhe The World Holocaust Remembrance Center, e fokusuar në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës, si dhe në ruajtjen e memories kolektive.
Gjatë seminarit u trajtuan tema që lidhen me metodat e hulumtimit dhe analizimit të krimeve të luftës, mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve arkivore dhe dëshmive, sfidat e arkivimit digjital, si dhe përdorimin e teknologjisë dhe metodologjive bashkëkohore në proceset e dokumentimit dhe ruajtjes së të dhënave.
Seminari shërbeu si mundësi për shkëmbim profesional të përvojave dhe praktikave ndërkombëtare ndërmjet institucioneve dhe ekspertëve të fushës, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e kapaciteteve profesionale në dokumentim, hulumtim dhe ruajtje arkivore.
Pjesëmarrja në këtë seminar dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të IKKL-së për dokumentim profesional, ruajtje të memories kolektive dhe zhvillim të praktikave të qëndrueshme në fushën e hulumtimit dhe arkivimit të krimeve të luftës.
IKKL falënderon Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Izrael, znj. Ines Demiri, për mikpritjen, mbështetjen dhe kontributin në organizimin e seminarit.