06/06/2026
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës parandalohet një rast i tentim futjes së kontrabandës
Rasti ka ndodhur dje, rreth orës 16:40, kur gjatë kontrollave rutinore në Portën 0 të institucionit, zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Njësitin K9 të SHKK-së, kanë ndaluar për kontroll një kamionetë pune e cila po kthente të burgosurit me drejtë pune jashtë institucionit.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar dy qese të kamufluara me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehura në dyshemenë e automjetit.
Bazuar në rrethanat e rastit, të dyshuar janë disa të burgosur që gëzojnë të drejtën e punës jashtë institucionit. Ndaj tyre janë ndërmarrë masat disiplinore përkatëse dhe u janë ndaluar beneficionet deri në përfundimin e procedurave hetimore.
Pas identifikimit të rastit, zyrtarët korrektues kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme procedurale, kanë iniciuar hetime të brendshme dhe kanë njoftuar Policinë e Kosovës, e cila po zhvillon hetimet përkatëse lidhur me këtë rast.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit institucional në të gjitha institucionet korrektuese.
04/06/2026
Shërbimi Korrektues i Kosovës përmbyll pjesëmarrjen në Mbledhjen e 15-të Vjetore të EuroPris në Maltë
Ka përfunduar Mbledhja e 15-të Vjetore e EuroPris, e mbajtur në Maltë, e cila mblodhi drejtues të sistemeve korrektuese nga vende të ndryshme të Evropës. Delegacioni i Republikës së Kosovës u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i shoqëruar nga U.D. Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, Trendelina Qorraj.
Gjatë zhvillimit të punimeve, delegacioni i Kosovës zhvilloi takime me drejtues të administratave korrektuese evropiane, ku u diskutua për zhvillimin e sistemeve korrektuese, avancimin e programeve rehabilituese, sigurinë institucionale, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zbatimin e standardeve evropiane në trajtimin e personave të privuar nga liria.
Në kuadër të këtyre takimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe praktikave më të mira, si dhe identifikimit të mundësive për realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Dibrani, vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në forume të tilla ndërkombëtare, duke theksuar se ato ofrojnë mundësi për prezantimin e të arriturave të sistemit korrektues të vendit, por edhe për përfitimin e përvojave dhe praktikave më të avancuara evropiane.
Pjesëmarrja e Shërbimit Korrektues të Kosovës në këtë ngjarje u shënua edhe me një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar. Në kuadër të vlerësimeve të prezantuara gjatë takimit, Kosova u përzgjodh në mesin e pesë institucioneve korrektuese më të vlerësuara në Evropë për një iniciativë inovative në fushën korrektuese, krahas përfaqësuesve nga Franca, Spanja, Portugalia dhe Greqia. Ky vlerësim paraqet një dëshmi të progresit të vazhdueshëm të sistemit korrektues të Kosovës dhe të përkushtimit për zbatimin e praktikave moderne dhe standardeve evropiane.
02/06/2026
Kosova në mesin e më të mirave të Evropës – EuroPris vlerëson Shërbimin Korrektues të Kosovës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira në EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.
Në ceremoninë e mbajtur në Maltë, në kuadër të Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris, projekti nga Kosova u përzgjodh ndër pesë finalistet më të mira. Në mesin e pesë vendeve të vlerësuara si më të mirat u renditën Franca, Spanja, Portugalia, Kosova dhe Greqia, duke e vendosur Kosovën përkrah sistemeve korrektuese më të avancuara evropiane dhe duke e promovuar atë si shembull të praktikave moderne në rehabilitim dhe risocializim.
Projekti “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”, i realizuar nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan në bashkëpunim me OJQ MONUMENTA, u vlerësua për qasjen e tij inovative në fuqizimin e grave të dënuara përmes artit, zhvillimit të aftësive kreative dhe krijimit të mundësive të reja për integrim në shoqëri.
Sipas vlerësimit të panelit të EuroPris, iniciativa është veçuar për cilësinë, ndikimin dhe qasjen bashkëkohore në punën rehabilituese. Kontribut të rëndësishëm në realizim ka dhënë OJQ MONUMENTA përmes mbështetjes së aktiviteteve artistike dhe angazhimit profesional në projekt.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka falënderuar stafin korrektues, menaxhmentin e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan dhe partnerët nga OJQ MONUMENTA për përkushtimin dhe punën e tyre.
Kjo arritje përfaqëson rezultat të punës së përbashkët dhe dëshmi të avancimit të programeve rehabilituese dhe risocializuese në sistemin korrektues të Kosovës.
Dibrani falënderoi gjithashtu EuroPris për vlerësimin dhe theksoi se pjesëmarrja dhe renditja në mesin e pesë më të mirave përbën një motiv shtesë për forcimin e mëtejmë të programeve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon edhe një herë se Shërbimi Korrektues i Kosovës po vazhdon të shënojë suksese të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, duke promovuar praktika moderne dhe qasje efektive në rehabilitim dhe risocializim.
30/05/2026
Në kuadër të aktiviteteve edukativo-rehabilituese dhe angazhimit praktik të të miturve, në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan është realizuar aktiviteti i mbjelljes së fidaneve të reja në serrë dhe në bahçen e institucionit, si dhe mirëmbajtja e kopshtit institucional.
Gjatë këtij aktiviteti, të miturit kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e tokës, mbjelljen dhe kujdesin për kultura të ndryshme bujqësore, me qëllim të zhvillimit të shkathtësive praktike, ngritjes së përgjegjësisë dhe kultivimit të frymës së punës dhe bashkëpunimit.
Në kuadër të mbjelljeve janë kultivuar kultura të ndryshme, si: speca, domate, pjepër, qepë dhe tranguj. Produktet e kultivuara do të përdoren për nevojat e institucionit.
Po ashtu, është realizuar edhe mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara dhe e kopshtit të institucionit, duke kontribuar në ruajtjen dhe përmirësimin e ambientit institucional.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i aftësive praktike të të miturve, socializimi i tyre, si dhe përgatitja për riintegrim të suksesshëm në shoqëri.
29/05/2026
Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, në kuadër të aktiviteteve të punës dhe rehabilitimit, të dënuarat kanë realizuar mbjelljen e drunjve dekorativë brenda hapësirave të institucionit.
Ky aktivitet është zhvilluar me qëllim të përmirësimit të ambientit institucional, ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e mjedisit, si dhe promovimit të angazhimit pozitiv dhe aktiviteteve rehabilituese për personat e dënuar.
Përmes aktiviteteve të tilla, SHKK synon të ndikojë në zhvillimin e përgjegjësisë, socializimit dhe krijimit të një ambienti më të përshtatshëm brenda institucionit.
28/05/2026
Drejtori Dibrani takon Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë, Adriatik Kupi
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Kupi, si dhe përfaqësuesit e ICITAP-it për Inteligjencën Korrektuese në Ballkan.
Pjesë e delegacionit ishin Frank Karam, Këshilltar i ICITAP për Inteligjencë Korrektuese për Kosovë dhe Shqipëri, si dhe Jeffery Woodworth, Këshilltar i ICITAP për Inteligjencë Korrektuese për Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, Drejtori Dibrani e uroi Adriatik Kupin për detyrën e re në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Republikës së Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit të tij, si dhe i ofroi bashkëpunim dhe mbështetje të plotë në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve institucionale.
Gjatë takimit, Drejtori Dibrani prezantoi të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke vënë theks të veçantë në rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar, ngritjen e nivelit të sigurisë, si dhe forcimin e burimeve njerëzore.
Në përfundim të takimit u ritheksua vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në fushën korrektuese, e veçanërisht atë të inteligjencës korrektuese ndërmjet të të dyja vendeve.
27/05/2026
Reagim ndaj lajmit “Granit Plava telefonon në një emision të mëngjesit”
Shërbimi Korrektues i Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, reagon ndaj lajmit të publikuar me titull “Granit Plava telefonon në një emision të mëngjesit”.
Ju njoftojmë se institucionet korrektuese zbatojnë standarde të larta sigurie dhe kontrolli, ndërsa çdo posedim apo përdorim i mjeteve të ndaluara nga personat e dënuar është i ndaluar rreptësisht dhe trajtohet me seriozitet të plotë.
Lidhur me pretendimin për telefonatën në emisionin në fjalë, theksojmë se koha e transmetimit nuk përkon me orarin e lejuar për realizimin e telefonatave nga personat e burgosur. Telefonatat lejohen vetëm sipas procedurave dhe orareve të përcaktuara nga institucioni korrektues.
Gjithashtu, njoftojmë se hapësirat brenda institucioneve korrektuese monitorohen vazhdimisht nga stafi korrektues dhe përmes sistemit të kamerave të sigurisë.
Po ashtu, sipas verifikimeve të kryera nga SHKK, zëri në telefonatën e transmetuar nuk i përket personit në fjalë.
Njëkohësisht, lusim mediat që para publikimit të lajmeve të tilla të marrin konfirmime zyrtare nga SHKK, në mënyrë që informimi i publikut të jetë i saktë, profesional dhe i verifikuar.
26/05/2026
Parandalohet tentim futja e substancave të dyshuara narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës gjatë kontrollit rutinor të vizitorëve është parandaluar tentimi i futjes së substancave të dyshuara narkotike në Pavionin D.
Gjatë bastisjes nga stafi korrektues, në pampersin e një femiju të mitur janë zbuluar dy qese të bardha transparente me substancë të dyshuar narkotike.
Menjëherë pas zbulimit, vizita është anuluar dhe është njoftuar Policia, përkatësisht njësia përkatëse hetimore në Pejë.
Ndaj të burgosurit që dyshohet se ndërlidhet me rastin janë ndërmarrë masa disiplinore dhe i njëjti është transferuar në tretman themelor deri në përfundim të hetimeve.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit institucional në të gjitha institucionet korrektuese.