25/05/2026
MBAHET PUNËTORIA TREDITORE PËR HARTIMIN E STRATEGJISË PËR VETËQEVERISJE LOKALE 2027–2031
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka nisur procesin e hartimit të Strategjisë së re për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031, përmes një punëtorie treditore të organizuar me mbështetjen e DEMOS.
Në këtë punëtori morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së z. Jeton Qela, përfaqësues të ministrive të linjës, institucioneve tjera relevante, organizatave të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe drejtorë të departamenteve të ministrisë.
Gjatë punimeve u diskutuan rezultatet e vlerësimit të zbatimit të Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016–2026, përmes të cilave u definuan objektivat strategjike, nënobjektivat dhe aktivitetet kryesore që do të përfshihen në Strategjinë e re për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031.
Strategjia e ardhshme do të fokusohet në avancimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore për vetëqeverisjen lokale, forcimin e zhvillimit ekonomik lokal, promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë lokale, si dhe në proceset e digjitalizimit, inovacionit dhe modernizimit të administratës komunale.
Hartimi i Strategjisë 2027–2031 synon krijimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe zhvillimore të pushtetit lokal, duke adresuar sfidat dhe prioritetet e komunave për vitet e ardhshme.
22/05/2026
Ndahen 3.24 milionë euro për gjashtë projekte të reja të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Prishtinë, 22 maj 2026
Në ceremoninë e ndarjes së granteve, të mbajtur sot në Prishtinë, u prezantuan gjashtë projekte të reja në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut, të cilat do të mbështeten me 3.24 milionë euro nga Bashkimi Evropian.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA III), ndërsa zbatohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut, të cilat koordinojnë dhe mbështesin zbatimin e projekteve në të dyja vendet.
Projektet synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në rajonin ndërkufitar përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.
Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë morën pjesë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, ministri i Vetëqeverisjes Lokale i Maqedonisë së Veriut, z. Zlatko Perinski, si dhe Alessandro Bianciardi, zëvendësshefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në Kosovë, aktivitetet e projekteve do të zbatohen kryesisht në Parkun Kombëtar të Sharrit dhe në komunat Ferizaj, Kllokot, Mamushë, Rahovec dhe Ranillug.
Në Maqedoninë e Veriut, përfitues do të jenë Parku Kombëtar Sharr, Parku Kombëtar Mavrovë, si dhe komunat Bërvenicë, Butel, Gazi Babë, Gostivar, Mavrovë dhe Rankocë.
20/05/2026
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Jeton Qela, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e UNICEF-it në Kosovë, me ç’rast u dakordua vazhdimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë takimit u diskutua për Programin e ri pesëvjeçar të UNICEF-it, si dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat e mëposhtme:
• Forcimi i mekanizmave për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në nivel lokal, përfshirë avancimin e planifikimit dhe buxhetimit për ofrimin e shërbimeve sociale cilësore;
• Rritja e investimeve për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve;
• Bashkëpunimi në hartimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale, si dhe në rishikimin e sistemit të performancës komunale.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, në funksion të avancimit të qeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm komunal.
15/05/2026
Bursa për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian
Prishtinë, 15 maj 2026
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për ofrimin e bursave për studentët nga radhët e komuniteteve egjiptian, ashkali dhe rom në Republikën e Kosovës.
Pas suksesit të programit që tash e katër vite mundëson ndarjen e bursave për studentët nga këto komunitete, ministritë vazhdojnë ta forcojnë këtë mbështetje, në mënyrë që asnjë i ri të mos detyrohet t’i ndërpresë studimet për shkak të vështirësive ekonomike.
Kjo nismë e mbështetjes financiare për studentët, është investim i drejtpërdrejtë i shtetit në arsim, për barazi dhe përgatitje të brezave të rinj të profesionistëve.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që përmes politikave konkrete dhe mbështetjes institucionale të garantojë qasje të barabartë për çdo të ri.
07/05/2026
Ministri Krasniqi u takua me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph
Prishtinë, 07 maj 2026
Ministri Elbert Krasniqi ka takuar ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin zhvilluan një bisedë të frytshme lidhur me bashkëpunimin ndërmjet komunave, si dhe punën dhe prioritetet e MAPL-së.
Ministri theksoi rëndësinë e dialogut të hapur, bashkëpunimit praktik dhe fokusit në projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ambasadori Rudolph vlerësoi punën e MAPL-së, për çka ministri Krasniqi e falënderoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe partneriteti mbeten kyçe për avancimin e qeverisjes lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend.
06/05/2026
I shoqëruar nga disa të rinj e të reja të komunitetit egjiptian, profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore, ministri Elbert Krasniqi ka takuar ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur mbi sfidat kryesore që prekin komunitetet, me theks të veçantë në nënpërfaqësimin në institucionet shëndetësore.
Në këtë kuadër, ministrat Krasniqi dhe Vitia u dakorduan që, në referencë të vendimit të Qeverisë për punësimin e grupeve të nënpërfaqësuara, në konkurset për rekrutimin e stafit shëndetësor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të vendoset referenca e vendimit të Qeverisë për punësimin e grupeve të nënpërfaqësuara.
Gjithashtu, u ngritën shqetësime për punonjësit e sektorit teknik në shëndetësi, një sektor i privatizuar prej vitesh, ku punëtorët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira pune.
U diskutua nevoja që institucionet shtetërore të shqyrtojnë krijimin e ndërmarrjeve publike për ofrimin e këtyre shërbimeve, me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe dinjitetit në punë.
28/04/2026
Mbahet takimi i grupit punues për Rishikimin e Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale
Prishtinë, 28 prill 2026
Gjatë këtij takimi janë diskutuar shumë çështje përmbajtësore të cilat ndërlidhen me vlerësimin e performancës dhe grantit për performancë.
Theks i veçant në këtë takim ju kushtua metodologjisë për rishikimin e sistemit dhe strukturë së fushave, treguesve dhe të dhënave të cilat komunat i raportojnë.
Takimet e radhës do të vazhdojnë, me qëllim të analizimit të detajuar për secilin tregues dhe secilën fushë, në mënyrë që verifikimi dhe vlerësimi të bëhet në mënyrë transparente dhe korrekte.
28/04/2026
Aprovohen projekte në vlerë prej 3.2 milionë euro në kuadër të Programit të BNK-së Kosovë – Maqedoni e Veriut
Në Prishtinë u mbajt takimi i tretë i Komitetit të Përbashkët të Monitorimit për Programin IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut 2021–2027.
Gjatë këtij takimi u aprovua lista e projekteve që do të financohen nga thirrja e parë për projekt-propozime në kuadër të këtij programi, me vlerë të përgjithshme prej 3.2 milionë euro.
Projektet e aprovuara do të fillojnë zbatimin pas përfundimit të procesit të kontraktimit dhe do të realizohen në fushat e mbrojtjes së ambientit, zhvillimit të turizmit dhe mbështetjes së bizneseve në zonën kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut.
Ky program synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar, të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm lokal dhe të krijojë mundësi të reja për komunitetet në të dy anët e kufirit.
23/04/2026
Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Mitrovicës
Prishtinë, 23 prill 2026
Ministri Krasniqi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që rregullon organizimin dhe funksionimin e Bordit të Mitrovicës.
Ky Bord vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
Përmes këtij Udhëzimi Administrativ synohet që:
• të sigurohet qëndrueshmëri në menaxhimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta;
• të fuqizohet koordinimi ndërmjet nivelit qendror dhe dy komunave;
• të krijohen kushte më të favorshme për investime të reja në infrastrukturë dhe në fushën sociale.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të vazhdojë të mbështesë këtë proces me qëllim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe zhvillimit të qëndrueshëm në komunat e Mitrovicës.
22/04/2026
Bashkë me qytetarët për një mjedis më të pastër
Për Dita e Tokës, në lagjen Fidanisht në Mitrovicë kjo datë simbolike u shndërrua në një ditë konkrete veprimi në shërbim të mjedisit.
Ministri Elbert Krasniqi, së bashku me nënkryetarin Enis Osmani dhe banorët e lagjes, morën pjesë në një iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit.
Aktivitetet përfshinë pastrimin e hapësirave publike, shpërndarjen e koshave për mbeturina, si dhe ndërhyrje konkrete për largimin e ujit nga podrumet e banesave, veprime këto që kontribuojnë drejtpërdrejt në një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët.
Ministri Krasniqi shprehu mirënjohje për ekipin komunal dhe të gjithë qytetarët e angazhuar për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në këtë iniciativë të rëndësishme.