Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Share

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

01/06/2026

https://kktk.rks-gov.net/wp-content/uploads/2026/05/Konkursi-Zyrtar-i-Larte-Ligjore-29.05.2026-27.06.2026-1.pdf

kktk.rks-gov.net

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 21/05/2026

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore - KKTK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor - 21 majin, përmes një aktiviteti që mblodhi së bashku komunitete të ndryshme në qytetin e Prizrenit.

Me këtë rast u theksua rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të diversitetit kulturor si vlerë e përbashkët e shoqërisë dhe vendit.

Diversiteti kulturor luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të hapur, paqësore, bashkëpunuese dhe zhvillimore. Përmes njohjes dhe respektimit të ndërsjellë në mes kulturash të ndryshme, promovohet mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve dhe krijohen baza bashkëpunimi e dialogu që forcojnë paqen dhe bashkëjetesën. Në të njëjtën kohë, vlerësimi i diversitetit kulturor kontribuon në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit, duke begatuar jetën e përditshme me vlera, tradita, gjuhë, zakone dhe praktika të ndryshme.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe traditave ndihmon në mbrojtjen e identitetit të komuniteteve, ndërsa evitimi i paragjykimeve dhe stereotipeve ndikon në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Kosova ka një trashëgimi dhe diversitet të pasur kulturor e manifestuar përmes gjuhës, letërsisë, muzikës, veshjeve tradicionale, kulturës së gatimit e ushqimit dhe rolit të saj në jetën shoqërore.

Sot, këto vlera kulturore vazhdojnë të ruhen dhe të jetojnë përmes arsimimit në gjuhë të ndryshme, shoqatave kulturore, aktiviteteve artistike, traditës së muzikës lokale dhe aktiviteteve shoqërore, duke forcuar diversitetin kulturor dhe karakterin multikulturor të vendit.

Gjatë aktivitetit u bë një prezantim mbi kulturën turke që vazhdon të jetojë në Kosovë dhe reflektimet e saj në ditët e sotme.

Po ashtu, u mbajt një prezantim për veshjet tradicionale të komunitetit serb në Kosovë dhe karakteristikat e tyre.

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 18/05/2026

🏛 18 Maji – Dita Ndërkombëtare e Muzeve

Muzetë janë hapësira ku ruhen dhe promovohen vlerat historike, kulturore dhe identiteti i një vendi. Në këtë ditë, ju ftojmë të vizitoni muzetë dhe asetet e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, për t’u njohur më nga afër me historinë, kulturën dhe kujtesën tonë kolektive.

1. Shkolla e Muzikës (ish Saraji i Mustafë Pashës)
📍 Lokacioni: Gjilan
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muze Etnologjik, duke shërbyer për ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore dhe jetës tradicionale të qytetit. Përveç vlerës së tij historike dhe arkitektonike si monument i shekullit XIX, muzeu ofron për vizitorët ekspozita me elemente etnologjike që pasqyrojnë kulturën, zanatet dhe traditat lokale.

2. Shtëpia Muze e Ukshin Hotit
📍 Lokacioni: Krushë e Madhe, Rahovec
📌 Çfarë mund të vizitoni: Dokumente arkivore, fotografi, dorëshkrime dhe objekte personale që prezantojnë jetën dhe veprimtarinë e intelektualit të njohur shqiptar Ukshin Hotit.

3. Muzeu Kombëtar i Kosovës
📍 Lokacioni: Prishtinë
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muzeu i Kosovës shërben për ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, duke përfshirë një koleksion të pasur me mbi 50 mijë eksponate nga fusha të ndryshme si arkeologjia, historia, etnokultura dhe folklori. Përmes ekspozitave muzeale, prezantimeve multimediale dhe udhërrëfimit nga ciceronët, muzeu ofron një përvojë edukative dhe informuese për vizitorët.

4. Kompleksi i Banimi “Emin Gjiku”
📍 Lokacioni: Prishtinë
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muze Etnologjik, duke shërbyer për ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore, jetës tradicionale dhe zakoneve të Kosovës ndër shekuj. I vendosur në një kompleks historik të shekujve XVIII–XIX, muzeu ekspozon elemente etnografike, veshje tradicionale dhe elemente të kulturës materiale që ofrojnë një pasqyrë autentike të mënyrës së jetesës së dikurshme.

5. Muzeu Arkeologjik dhe Sahat Kulla
📍 Lokacioni: Prizren
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muze Arkeologjik i Rajonit të Prizrenit, ku ekspozohen artefakte arkeologjike të prezantuara kronologjikisht nga periudha e Neolitit deri në shekullin XIX. Vizitorët kanë mundësi të njihen njëkohësisht me vlerat arkitektonike të objektit dhe me eksponate me rëndësi të lartë historike dhe shkencore të rajonit të Prizrenit.

6. Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
📍 Lokacioni: Prizren
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përfshin sektorin historik me dokumente, armë të vjetra dhe paraqitje të figurave kryesore të Lidhjes, si dhe sektorin etnografik me veshje tradicionale nga trojet shqiptare. Në kuadër të muzeut funksionon edhe Galeria e Arteve, ku ekspozohen piktura kushtuar personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

7. Shtëpia e Musa Shehzades
📍 Lokacioni: Prizren
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muze Etnografik që shërbyen si hapësirë për ruajtjen, prezantimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të Prizrenit.

8. Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë
📍 Lokacioni: Prizren
📌 Çfarë mund të vizitoni: Muzeu i Elektroekonomisë së Kosovës shërben si një hapësirë unike për ruajtjen dhe prezantimin e historisë së zhvillimit të energjisë elektrike në Kosovë. Në muze ekspozohen makineritë origjinale të hidroelektranës, pajisje teknike dhe materiale dokumentare që dëshmojnë funksionimin e hidrocentralit, duke u ofruar vizitorëve një përvojë edukative mbi trashëgiminë industriale dhe teknologjike të Prizrenit.

9.Konaku i Tahir Beut
📍 Lokacioni: Pejë
📌 Çfarë përmban: Muze etnologjik i vendosur në një shtëpi tradicionale të shek. XIX, me koleksione të veshjeve tradicionale, vegla pune, enë shtëpiake, objekte artizanale dhe elemente origjinale të arkitekturës qytetare.

✨ Vizitoni muzetë sot dhe përjetoni trashëgiminë kulturore nga afër.

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 18/04/2026

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore shënoi Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve - 18 prillin

Me rastin e shënimit të Ditës së Monumenteve dhe Lokaliteteve, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) organizoi një aktivitet edukativ me nxënësit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me qëllim të ndërgjegjësimit dhe promovimit të rëndësisë së trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit u njohën drejtpërdrejt me rolin e KKTK-së, si dhe me vlerat e trashëgimisë kulturore përmes prezantimeve tematike dhe materialeve vizuale, me ç’rast u paraqitën asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.

Gjatë aktivitetit që shërbeu si një platformë informuese dhe edukative, nxënësit patën mundësinë jo vetëm të thellonin njohuritë e tyre, por edhe të bashkëbisedonin lidhur me kuptimin dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore të vendit.

Nxënësit demonstruan interesim të lartë dhe angazhim aktiv gjatë diskutimeve, duke reflektuar një vetëdije në rritje për rolin e tyre në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore mbetet i përkushtuar në zhvillimin e aktiviteteve që synojnë fuqizimin e rolit të gjeneratave të reja në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të Republikës së Kosovës.

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 06/04/2026

Përfaqësues të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore zhvilluan vizitë zyrtare në Stamboll, Republikën e Turqisë.
Me këtë rast, KKTK pati mundësinë të marrë pjesë në Panairin e trashëgimisë kulturore, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi profesionistë, studiues dhe institucione nga vende të ndryshme, të cilët prezantuan qasje, modele, ekspertizë dhe teknikat më të fundit në shërbim të mbrojtjes, ruajtjes, konservimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Kjo vizitë shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në restaurim, promovim dhe menaxhimi të trashëgimisë kulturore.
Me këtë rast, KKTK realizoi gjithashtu vizita në disa institucione kyçe të fushës së trashëgimisë dhe turizmit, ku u njoh nga afër dhe u diskutuan politikat, proceset, projektet dhe qasjet inovative që aplikohen në Turqi.
Takimet dhe vizitat u zhvilluan në disa institucione relevante akademike dhe profesionale në Stamboll, si në Departamentin e Restaurimit në Universitetin e Arteve të Bukura ‘Mimar Sinan’ dhe në laboratorin e restaurimit të këtij universiteti, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me praktikat dhe teknologjitë bashkëkohore të konservimit.
Më tej, përfaqësuesit e Këshillit zhvilluan vizita edhe në Odën e Arkitektëve në Bakırkoy si dhe në Këshillin Rajonal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore së Stambollit nr.3, ku u diskutuan çështje që lidhen me mbrojtjen, konservimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Këto aktivitete kontribuan në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e konservimit, restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 18/02/2026

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore organizoi tryezën me temë: “Trashëgimia kulturore, shtyllë e identitetit shtetëror: Reflektime në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.”
Tryeza mblodhi akterë të ndryshem dhe të rëndësishëm nga fusha e trashëgimisë kulturore. Kryetari i Këshillit, Artan Krasniqi tha se ky aktivitet është në vazhdën e aktiviteteve për nxitjen e diskutimit dhe veprimit tek të gjitha institucionet përgjegjëse që të rritet numri i aseteve dhe elementeve të trashëgimisë kulturore me status të mbrojtjes së përhershme.
Anëtari i Këshillit, Arianit Buqinca, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të pasurisë kulturore të vendit, duke bërë të ditur se Kosova ka aktualisht 93 asete në mbrojtje të përhershme. Sipas të dhënave të prezantuara, Prizreni ka mbi njëzet monumente në mbrojtje të përhershme, përfshirë edhe Zonën Historike, ndërsa Prishtina mbi pesëmbëdhjetë. Parku Arkeologjik Ulpiana, objekti administrativ i Lidhjes së Prizrenit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, dëshmojnë që trashëgimia institucionale është jo vetëm kujtesë historike, por edhe shtyllë e identitetit shtetëror.
Shefi i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik, Nuridin Ahmeti, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së shkruar, e cila shpesh nuk ka marrë vëmendjen e duhur institucionale dhe publike. Ai përmendi dy shembuj historikë: Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), e ruajtur vetëm në fotografi, dhe Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), e ruajtur falë kujdesit institucional.Ahmeti shtoi se sot është detyrë institucionale të mbrohet dhe vlerësohet trashëgimia jonë e shkruar, si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (2008), e cila përfaqëson sakrificën dhe përpjekjet e brezave për liri. Ky dokument meriton vëmendje të vazhdueshme dhe shpallje si trashëgimi kulturore e mbrojtur përherë. Ai propozoi gjithashtu që Deklarata të prezantohet edhe në formë monumentale, si pllaka të skalitura në oborrin e Kuvendit të Kosovës ose në ndonjë shesh të madh të kryeqytetit, për ta bërë atë të qasshme dhe në një vend të nderuar për publikun.

17/02/2026

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ju fton në tryezën me temë:
“Trashëgimia kulturore, shtyllë e identitetit shtetëror: Reflektime në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, që organizohet më 18.02.2026, në ora 11:00, në sallën e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Prishtinë.

17/02/2026

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore uron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për Ditën e Pavarësisë.

Urime 18 vjetori Kosovë! 🇽🇰

24/12/2025

Gëzuar Festat!
Srećni praznici!
Happy Holidays!

Photos from Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore's post 17/12/2025

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore si për çdo vit, organizoi konferencën e fundvitit me temën “Trashëgimia Kulturore dhe Turizmi – potencialet dhe sfidat”, që kësaj radhe u mbajt në qytetin e Gjakovës.

Konferenca mblodhi akterë të rëndësishëm nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, të cilët ndanë përvoja, ide dhe perspektiva mbi mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të shndërrohet në një forcë shtytëse të zhvillimit të qëndrueshëm turistik, pa humbur autenticitetin dhe vlerat e saj thelbësore.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, z. Artan Krasniqi, i cili theksoi se sot është momenti i duhur për të folur, jo vetëm për potencialin e jashtëzakonshëm që trashëgimia kulturore ofron për turizmin, por edhe për sfidat reale që kërkojnë përkushtim, vizion dhe bashkëpunim. Ai nënvizoi rëndësinë e ripotencimit të vlerave tona kulturore, si dhe domosdoshmërinë e një reflektimi të sinqertë dhe vetëkritik, si bazë për përparim. Në vijim, Kryetari ngriti një pyetje thelbësore për temën: Sa arrijmë t’i ofrojmë sot një turisti që viziton Kosovën nga i gjithë ky potencial i pasur që kemi? Ai vuri në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Kosovës – nga sitet arkeologjike dhe qytetet historike me qendrat e tyre të moçme, te kullat e shpërndara gjithandej vendit, trashëgimia fetare dhe toleranca që na karakterizon, peizazhet natyrore, muzetë, traditat, ritualet dhe festivalet, artizanatet dhe gastronomia – duke theksuar se këto vlera përbëjnë një bazë të fortë dhe inspiruese për zhvillimin e turizmit kulturor.

Folesja kryesore e konferencës ishte znj. Celia Martínez Yánez, Zëvendëspresidente e ICOMOS ICTC, e cila prezantoi Kartën Ndërkombëtare të ICOMOS-it për ndikimet e Turizmit në Trashëgiminë Kulturore 2022. Ajo u ndal në konceptet e reja dhe në mundësitë konkrete për zbatim, duke ofruar një vizion bashkëkohor dhe praktik për menaxhimin e turizmit të trashëgimisë kulturore në harmoni me ruajtjen e vlerave.

Në panelin e parë, Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, z. Visar Haxhibeqiri, prezantoi temën “Trashëgimia Kulturore dhe Turizmi në Gjakovë – një reflektim i shkurtër”, duke nxjerrë në pah potencialet dhe sfidat lokale. Ndërsa, prof. Arbnora Dushi, me prezantimin “Kur trashëgimia frymon, turizmi lulëzon: një rrëfim motivues për Gjakovën”, theksoi fuqinë transformuese të trashëgimisë kulturore kur ajo lidhet ngushtë me zhvillimin turistik dhe komunitetin lokal.

Në sesionin e pasdites, në panelin e dytë, përfaqësueset e ChWB-së znj.Arbenita Gashi Kurti dhe znj.Erza Shala, prezantuan “Planin Master për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut”, si një shembull konkret i planifikimit vizionar dhe mbrojtjes së trashëgimisë për brezat e ardhshëm.
Tema “Turizmi si promotor i rëndësishëm i Kosovës dhe sfidat” u prezantua nga Drejtori i GuideKS, z. Muamer Hasani, ndërsa për ndërlidhjen e trashëgimisë kulturore me sektorin e turizmit, me fokus në rajonin e Gjakovës, foli z.Endrit Temaj. Prezantimi mbi shtëpitë tradicionale si bujtina, i realizuar nga znj.Shqipe Mula, solli shembuj frymëzues të ruajtjes së identitetit kulturor përmes turizmit familjar dhe autentik.

Konferenca u përmbyll me diskutime konstruktive dhe rekomandime konkrete, duke riafirmuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve lokale, me synimin që trashëgimia kulturore e Kosovës të promovohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shndërrohet në një burim krenarie, zhvillimi dhe frymëzimi për të ardhmen.

Want your business to be the top-listed Government Service in Pristina?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Telephone

Address


Sheshi "Nënë Tereza"
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:00
Tuesday 08:00 - 16:00
Wednesday 08:00 - 16:00
Thursday 08:00 - 16:00
Friday 08:00 - 16:00