04/06/2026
Biblioteka Kombëtare e Kosovës pati nderin të mirëpriste sot kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Akademisë, akademik Vasil Tole, akademik Anastas Angjeli dhe akademike znj. Anila Hoda. Delegacioni u mirëprit nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha, së bashku me stafin e institucionit.
Gjatë vizitës, delegacioni u shoqërua nga kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula, si dhe akademiku Bardh Rugova.
Në kuadër të kësaj vizite, mysafirët u njohën me veprimtarinë, koleksionet dhe fondet e veçanta të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ata vizituan Bibliotekën e Artit Bashkëkohor, Bibliotekën e Muzikës, Bibliotekën Personale të Esad Mekulit, si dhe Qendrën e Digjitalizimit, ku u informuan mbi proceset dhe standardet bashkëkohore të ruajtjes, konservimit dhe digjitalizimit të trashëgimisë dokumentare.
Vizita u zhvillua në një frymë të shkëlqyer bashkëpunimi akademik dhe institucional, duke shërbyer si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave profesionale ndërmjet dy institucioneve homologe.
03/06/2026
Ekspozita “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë”
Instituti i Historisë i Kosovës “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, organizoi ekspozitën dokumentare me titull “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Ekspozita paraqet një rrugëtim dokumentues përmes botimeve të fshehta që qarkulluan në Kosovë gjatë periudhës 1980–1999 – një periudhë e karakterizuar nga rezistenca politike, kulturore dhe qytetare, si dhe nga përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar, të drejtës për informim dhe lirisë së shprehjes.
Përmes materialeve të ekspozuara vizitorëve u ofrohet mundësia të njohin nga afër format e organizimit intelektual e shoqëror që zhvilloheshin jashtë kanaleve zyrtare të kohës. Këto materiale përfaqësojnë dëshmi të rëndësishme historike dhe dokumentare mbi rolin që shtypi i fshehtë pati në ruajtjen e vetëdijes kolektive dhe në artikulimin e kërkesave për liri dhe të drejta politike në Kosovë.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Historisë të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me qëllim promovimin e kujtesës historike, vlerave dokumentare dhe qasjes publike ndaj burimeve që dëshmojnë zhvillimet historike të vendit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri të premten.
Instituti i Historisë "Ali Hadri" Prishtinë
01/06/2026
Biblioteka Kombëtare e Kosovës pati kënaqësinë të mirëpresë në takim znj. Frédérique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, një mbështetëse dhe kontribuuese e çmuar e institucionit tonë, së bashku me z. Laurant Osmani, president i Qendrës.
Falë përkushtimit dhe vullnetit të znj. Duversin për të mbështetur ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore, koleksioni i Bibliotekës është pasuruar me një vepër të rrallë dhe me vlerë të veçantë bibliografike: [Bible. Nouveau Testament. 1668].
Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të sinqertë për kontributin e saj të çmuar dhe angazhimin në sigurimin e këtij botimi për fondin e bibliotekës.
Ky kontribut dëshmon se secili mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e fondit bibliotekar, duke mundësuar që burime të rralla dhe me vlera të veçanta të jenë të qasshme për studiuesit, hulumtuesit dhe brezat e ardhshëm.
Së bashku ndërtojmë një të ardhme më të pasur për librin, dijen dhe kulturën.
30/05/2026
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si institucion nominues, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Evropian për Letërsi (EUPL) 2026, ku Kosova u përfaqësua nga shkrimtari Arben Idrizi. Në ceremoni mori pjesë edhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Blerina Rogova Gaxha.
Gjatë prezantimeve të autorëve, shkrimtari Arben Idrizi, prezantoi veprën e tij duke lexuar një fragment nga libri “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera” në gjuhën shqipe.
Ceremonia u hap me fjalimet përshëndetëse të Normunds Popens (Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm), Marta Cienkowska (Ministre e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare e Republikës së Polonisë), Sonia Draga (Presidente e Federatës së Botuesve Evropianë) dhe Fabian Paagman (President i Federatës Evropiane dhe Ndërkombëtare të Librarëve).
Juria ndërkombëtare e EUPL 2026 përbëhej nga Presidentja Carmen Posadas (Spanjë) dhe anëtarët: Barbara Anderlič (Slloveni), Ákos Brunner (Hungari), Alexandra Harvanová (Sllovaki), Sinéad Mac Aodha (Irlandë), Bernhard I. Mohr (Norvegji) dhe Kostas Spatharakis (Greqi).
Fituese e çmimit EUPL 2026 u shpall Dora Kaprálová (Çeki) për veprën “Mariborská hypnóza” (Maribor Hypnosis).
Me përmendje të veçanta (Special Mentions) u nderuan Hélène Frédérick (Francë) për veprën “Lézardes” (Rivers of White) dhe Vladimir Vujović (Mali i Zi) për veprën “Slobodni udarci” (Free Kicks).
Urime të përzemërta fitueses dhe të gjithë autorëve të përzgjedhur për këtë arritje të rëndësishme letrare.
Një falënderim i veçantë për shkrimtarin Arben Idrizi, i cili përfaqësoi me dinjitet letërsinë shqipe dhe Kosovën në një nga skenat më prestigjioze të letërsisë evropiane.
Falënderojmë dhe jurinë kombëtare me përbërje nga Nysret Krasniqi (AShAK), Nerimane Kamberi (MKT), Anton Berishaj (UP), Meliza Krasniqi (IA), dhe Blerina Rogova Gaxha (BKK) për përzgjedhjen e autorit Arben Idrizi për këtë çmim.
29/05/2026
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës takon drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Polonisë, me qëllim bashkëpunimin në fushën e bibliotekarisë
Të enjten, më 28 maj 2026, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerinë Rogova Gaxha, bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Poloni, z. Drilon Gashi, si dhe shkrimtarin Arben Idrizi, kandidat për Çmimin Evropian për Letërsi (EUPL) 2026, zhvilluan një takim në Bibliotekën Kombëtare të Polonisë me drejtorin e institucionit, dr. Tomasz Makowski, dhe përfaqësuesin e tij, dr. Maciej Szablewski.
Dr. Maciej Szablewski, përfaqësues i drejtorit për çështje ndërkombëtare dhe udhëheqës i Departamentit të Shërbimeve për Shfrytëzimin e Koleksioneve, e shoqëroi delegacionin nga Kosova nëpër sallat e leximit, duke prezantuar organizimin e punës, mënyrën e funksionimit të bibliotekës dhe rregullat e përdorimit të koleksioneve.
Ai prezantoi gjithashtu historinë e Bibliotekës Kombëtare të Polonisë dhe projektet kryesore që po zhvillohen aktualisht nga ky institucion.
Më pas, delegacioni u takua me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Polonisë, dr. Tomasz Makowski. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bibliotekave kombëtare të Kosovës dhe Polonisë, si dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e shërbimeve moderne bibliotekare, digjitalizimit dhe katalogimit të koleksioneve, si dhe për rolin e bibliotekave kombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, promovimin e leximit dhe shkëmbimin ndërkombëtar të përvojave.
📷 Fotografitë nga Pawel Morawiec, Biblioteka Kombëtare e Polonisë.
28/05/2026
Sot para jurisë së çmimit të Bashkimit Evropian për Letersi (EUPL) u prezantua vepra “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera” e autorit Arben Idrizi, ku drejtoresha e BKK-së, Dr. Blerina Rogova Gaxha, paraqiti arsyet pse kjo vepër meriton vlerësimin e EUPL-së.
Në takim përpos përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, mori pjesë edhe botuesi Ataol Kaso nga shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe, botues e librit të Idrizit, i cili po ashtu prezantoi veprën dhe u përfshi në një diskutim të gjerë rreth tematikës, stilit letrar dhe rëndësisë së saj në kontekstin bashkëkohor evropian.
Gjatë prezantimit, drejtoresha e BKK-së e cilësoi Arben Idrizin si një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare:
“Arben Idrizi qëndron si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare, një poet që u jep gjuhë realiteteve të copëtuara të një shoqërie të formësuar nga lufta, tranzicioni dhe paqja e brishtë.
Shkrimi i tij buron nga thellësia e përvojës së jetuar, duke lëvizur në terrenin kompleks mes kujtesës dhe traumës, pafajësisë dhe humbjes, heshtjes dhe rezistencës. Me një zë të përmbajtur, por thellësisht prekës, Idrizi i shndërron historitë personale dhe kolektive në meditime të fuqishme poetike mbi atë çfarë do të thotë të qëndrosh, të kujtosh dhe të ekzistosh.”
“Si poet i pasluftës, Idrizi ndërton një rezistencë lirike të heshtur, por të thellë, një revoltë të qetë kundër padrejtësisë, zhdukjes dhe fateve të imponuara. Poezia e tij flet butë, por mbart peshën e historive të pathëna dhe plagëve ende të pashëruara.”
Në prezantim u veçua edhe përvoja e Idrizit në gazetari, e cila, sipas drejtoreshës, e ka mprehur ndjeshmërinë e tij ndaj së vërtetës, gjuhës dhe realitetit shoqëror, duke i dhënë veprës një forcë të veçantë reflektuese dhe kritike.
“Në fund, ajo që e bën zërin e Idrizit vërtet të veçantë është aftësia e tij për të tejkaluar lokalen dhe për të folur në mënyrë universale. Në poezinë e tij, personalja bëhet kolektive, ndërsa përvoja shqiptare shndërrohet në një reflektim të fuqishëm të gjendjes njerëzore.”
Prezantimi u përqendrua te romani Njeriu që habitej, ku dhuna trajtohet jo vetëm si pasojë e luftës së Kosovës, por si një fenomen universal që prek vetë qenien njerëzore.
Në qendër të narrativës qëndron Isak Kodra, një i mbijetuar masakre, i cili nuk arrin të çlirohet nga përvoja e mbijetesës, por shndërrohet në viktimë të një mekanizmi më të gjerë shoqëror dhe kulturor. Përmes tij, romani ngre pyetjen thelbësore:
“A mundet një njeri, edhe nëse nuk ka bërë asnjë të keqe dhe vetëm ka vuajtur, të vazhdojë të mbetet njeri pas një përvoje të tillë?”
Në përmbyllje, drejtoresha e BKK-së theksoi se Njeriu që habitej është një vepër që sfidon lexuesin të rishqyrtojë natyrën e dhunës, kujtesës dhe vetë kuptimin e të qenit njeri.
Përfaqësuesit e secilit shtet pjesëmarrës kishin në dispozicion nga 30 minuta për të paraqitur autorin dhe veprën konkurruese.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet nesër duke filluar nga ora 18:30.
26/05/2026
Sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u mbajt kursi filologjik mbi veprën “Scanderbeide” (1623) — poema e parë epike evropiane e shkruar nga një grua, Margherita Sarrocchi, kushtuar figurës së Skënderbeut.
Kursi për studentët u mbajt në gjuhën angleze nga Prof. Olimpia Gargano (Université Côte d’Azur), studiuese e specializuar në imagjinarin e Shqipërisë në letërsinë evropiane.
Ky masterclass solli një qasje unike ndërdisiplinore mbi letërsinë, historinë dhe figurën e Skënderbeut në kulturën evropiane, duke krijuar një hapësirë akademike për dialog dhe studim të avancuar.
Në përfundim, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për ndjekjen dhe përfundimin me sukses të programit.
25/05/2026
“La Scanderbeide” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Poema epike “La Scanderbeide” (1623), e autores italiane Margherita Sarrocchi, e njohur si vepra e parë epike e shkruar nga një grua, u prezantua sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Hapjen e aktivitetit e bëri Prof.Dr.Majlinda Bregasi, ndërsa me një fjalë rasti të pranishmit i nderuan edhe Ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Maurizio Antonini, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha.
Botimi i parë i plotë i veprës “La Scanderbeide”, I përgatitur nga studiuesja italiane Prof.Dr.Olimpia Gargano u prezantua nga vetë studiuesja për të pranishmit. Prof.Dr. Olimpia Gargano është hulumtuese në Université Côte d’Azur, e njohur për studimet e saj mbi imazhin e Shqipërisë në kulturën evropiane nga shekulli XVI deri në shekullin XX.
Ndërkohë, historiani i njohur italian Prof.Dr.Giuseppe Gargano prezantoi projektin “Itineraret Kastriotiane” në Amalfi. Gargano është studiues i historisë mesjetare dhe autor i shumë botimeve mbi historinë politike, ekonomike, detare dhe urbanistike të Amalfit, si dhe bashkëpunëtor i universiteteve italiane dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje u inaugurua edhe ekspozita “Këndo, o muzë, trimërinë” – Shqipëria, Italia dhe Perandoria Osmane në poemën e parë epike femërore evropiane, duke sjellë para publikut një urë të rëndësishme kulturore dhe historike ndërmjet dy vendeve.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim mes Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Italiane të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Kosovë.
Biblioteka Kombëtare falënderon të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Prof.Dr. Majlinda Bregasi nga Instituti i Gjuhës dhe i Kulturës Italiane, falë angazhimit dhe bashkëpunimit të së cilës ky organizim u bë i mundur.
22/05/2026
Kishim kënaqësinë të mirëpresim rreth 250 nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno” nga Fushë Kosova.
Gjatë vizitës, nxënësit shfaqën shumë kuriozitet dhe parashtruan një sërë pyetjesh interesante, duke treguar interes të madh për rëndësinë, historikun dhe funksionimin e bibliotekës.
Znj. Hyrije Thaçi, punonjëse e Bibliotekës Kombëtare pas interesimit të jashtëzakonshëm të nxënësve ndau me ta informacione dhe njohuri të ndryshme rreth bibliotekës.