25/08/2026
Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kryetarit z. Eqrem Kryeziu!
Kryetari i LDK-së, Dega në Prizren, Driton Selmanaj, dërgon telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të z. Eqrem Kryeziut, një prej figurave të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të jetës politike e institucionale të Prizrenit dhe Kosovës.
Me pikëllim të thellë, LDK, Dega në Prizren shpreh dhimbjen për humbjen e një personaliteti të çmuar, një intelektuali të shquar, një atdhetari të vërtetë, njeriu me guxim, përkushtim dhe besnikëri ndaj idealeve të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Z. Eqrem Kryeziu ishte i angazhuar në çështjen kombëtare dhe në veprimtarinë politike shumë përpara luftës. Në periudha të vështira për popullin shqiptar të Kosovës, ai dëshmoi guxim dhe vendosmëri, duke qenë pjesë e përpjekjeve politike e shoqërore për liri, demokraci dhe të drejta kombëtare.
Gjatë viteve të luftës, ai vazhdoi angazhimin e tij në rrethana të jashtëzakonshme, duke qëndruar pranë qytetarëve dhe kauzës së Kosovës. Përkushtimi dhe guximi i tij në ato kohë të vështira janë pjesë e rrugëtimit të tij jetësor dhe politik.
Pas luftës, z. Eqrem Kryeziu iu përkushtua ndërtimit të institucioneve të Kosovës dhe rimëkëmbjes së Prizrenit. Ai shërbeu si Kryetar i Komunës së Prizrenit, duke dhënë kontribut në zhvillimin dhe organizimin institucional të qytetit. Njëkohësisht, ai ishte Kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, duke udhëhequr strukturat e degës në një periudhë të rëndësishme të konsolidimit të jetës politike në Kosovën e pasluftës.
Kontributi i tij vazhdoi edhe në nivel qendror, si Nënkryetar i LDK-së, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës në disa mandate, ku përfaqësoi me dinjitet qytetarët dhe dha kontributin e tij në jetën parlamentare dhe institucionale të vendit.
Z. Eqrem Kryeziu ishte një njeri i guximit dhe parimeve, i cili në momente të rëndësishme të historisë sonë nuk u tërhoq nga përgjegjësia dhe angazhimi. Për shumë breza të veprimtarëve të LDK-së, ai mbetet një figurë që mishëroi qëndrueshmërinë politike, atdhedashurinë dhe përkushtimin ndaj Prizrenit e Kosovës.
Humbja e tij është e madhe për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, LDK-në dhe mbarë qytetin e Prizrenit. Por vepra dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Në emër të LDK-së, Dega në Prizren dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.
I lehtë i qoftë dheu i Dardanisë.
U prehtë në paqe shqiptari i madh Eqrem Kryeziu!