09/06/2026
🏆 ❤️🖤 KAMPIONËT E KOSOVËS! ❤️🖤🏆
Me krenari dhe emocion të veçantë, FC Drenica Futsal është shpallur kampione, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm me punë, përkushtim dhe sakrificë.
Ky sukses i takon futbollistëve, stafit, drejtuesve të klubit, tifozëve të mrekullueshëm dhe gjithë qytetarëve që qëndruan pranë ekipit në çdo moment.
Urime FC Drenica Futsal për këtë arritje historike që e bën krenar Skenderajn dhe gjithë Drenicën!
🏆 Titulli kampion vjen në Drenicë!
Urime dhe suksese të mëtejshme në sfidat që na presin!
08/06/2026
❤️🖤 Të gjithë drejt Prishtinës për Drenicën!
Të martën nga ora 20:00, FC Drenica Futsal zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj FC Prishtina 01.
Ekipi ynë është vetëm një hap larg realizimit të objektivit madhor dhe ka nevojë për mbështetjen e secilit prej nesh. Prania juaj në tribuna mund të jetë forca shtesë që e shtyn Drenicën drejt suksesit.
Ftojmë qytetarët e Skenderajt dhe gjithë sportdashësit që të bashkohen në këtë sfidë dhe të jenë zëri i Drenicës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
🚌 Për tifozët është organizuar transporti:
📍 Tubimi në ora 17:30
📍 Nisja në ora 18:00
📍 Vendtakimi: Te Palestra “ Ilaz Kodra”.
🏆 Bashkë për fitoren, bashkë për titullin!
05/06/2026
Sot në Qendrën e Kulturës ”Hasan Prishtina” në Skenderaj është mbajtur Festivali Gjithëkombëtar i Teatrove Shkollore “Drenushat” 2026, edicioni i 19-të me radhë, i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Pas paraqitjeve të shfaqjeve teatrale, juria profesionale ka vlerësuar dhe përzgjedhur shfaqjet më të mira, duke i shpërblyer me çmime dhe mirënjohje. Shfaqjet u vlerësuan në ketë menyrë:
1. Drama më e mirë “Bllaca” nga shkolla “Shotë Galica“-Runik.
2. Regjia më e mirë shfaqja “Pritja” nga shkolla “Abedin Rexha“-Turiçec.
3. Skenografia më e mirë shfaqja “Beteja për mendjen” nga shkolla “Malush Ahmeti”-Rezallë
4. Çmimi i publikut shfaqja ”Borgjezi fisnik“-shkolla “Ismet Uka“-Ticë.
5. Aktori më i mirë - Orges Veliu me shfaqjen “Lypësi memec“ nga Qendra Rinore Publike - Skenderaj.
6. Aktorja më e mirë - Vlera Fazliu me shfaqjen “Ëndrrat e fëmijeve“ nga shkolla “Ahmet Delia”-Skenderaj.
Shfaqjet u vlerësuan nga juria profesionale që e kishte këtë përbërje: Avni Hoti - Aktor, Mujë Xhekaj- aktor dhe Fiza Ramadani - aktore dhe regjisore.
Moderatore : Diona Haziraj.
Falendërojmë të gjitha shkollat pjesmarrëse për angazhimin dhe punën e tyre!
DKRS- Komuna Skenderaj.
04/06/2026
Për të ruajtur pamjen e denjë të Shesh*t “Adem Jashari” dhe respektin ndaj figurave tona kombëtare, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka bërë zëvendësimin e banerëve me portretet e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit.
Banerët e mëparshëm, të cilët me kalimin e kohës ishin dëmtuar nga kushtet atmosferike, janë zëvendësuar me të rinj, duke i kthyer këtij sheshi pamjen që meriton.
Heronjtë nuk zbehen kurrë në kujtesën tonë. Ne kujdesemi që edhe simbolika e tyre të ruhet me dinjitet në hapësirat publike të qytetit tonë.
03/06/2026
🎭 Njoftim për Teatrot Shkollore “ Drenushat “ 2026.
Njoftohen të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe dashamirët e artit skenik se aktivitetet e teatrove shkollore do të mbahen të premten, më 5 qershor në Qendrën e Kulturës “ Hasan Prishtina “ në Skenderaj
Gjatë këtij aktiviteti do të prezantohen shfaqje të përgatitura nga nxënësit, me qëllim promovimin e kulturës dhe talentit artistik tek të rinjtë.
📅 Data: E premte, 5 qershor 2026
🎭 Aktiviteti: Shfaqjet e teatrove shkollore
👥 Pjesëmarrës: Nxënësit e shkollave fillore
Ftohen prindërit, mësimdhënësit dhe publiku i interesuar qe të marrin pjesë dhe të mbështesin talentet e rinjë në skenë.
Mirë se vini!