01/06/2026
Nxënësit e Shtimes pjesë e aktivitetit dyditor të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave
Shtime 1 qershot 2026- Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Shtimes dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila synon ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve civile përmes shkëmbimit të përvojave, trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta në fushën e menaxhimit të emergjencave, sot janë nisur drejt Zubin Potokut 27 nxënës të klasave VIII dhe IX nga shkollat e komunës sonë.
Nxënësit, të shoqëruar nga mësimdhënësit Enver Dugolli dhe Vehbi Hysenaj, do të marrin pjesë në një aktivitet dyditor të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, i cili do të zhvillohet më 1 dhe 2 qershor në hapësirat e Qendrës për Kërkim-Shpëtim të kësaj agjencie në Zubin Potok.
Para nisjes, nxënësit u përshëndetën nga shefi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, i cili u uroi suksese gjatë pjesëmarrjes në këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë e përfitimit të njohurive dhe përvojave të reja në fushën e menaxhimit të emergjencave.
Ky aktivitet është i dedikuar për përgatitjen e nxënësve për rastet e emergjencave, duke u ofruar atyre njohuri praktike dhe teorike për reagim, siguri dhe menaxhim të situatave emergjente.
Përmes ushtrimeve dhe trajnimeve të ndryshme, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë përvoja të vlefshme dhe të zhvillojnë aftësi të rëndësishme që kontribuojnë në rritjen e vetëdijes dhe gatishmërisë civile.
01/06/2026
🎓✨ Ftesë ✨🎓
Nesër, nga ora 12:00, në Stadiumin e Qytetit në Shtime, na pret një festë e veçantë, Ceremonia e Diplomimit të Maturantëve të Komunës sonë!
Ju mirëpresim të festojmë së bashku suksesin e gjeneratës së re! 🎓🌟
01/06/2026
1 Qershori shënohet me aktivitete festive për më të vegjlit tanë
Shtime, 1 qershor 2026- Me shumë ngjyra, buzëqeshje dhe energji, Komuna e Shtimes, në bashkëpunim me OJQ Art Stars Union, organizoi një festë të veçantë në Stadiumin e Qytetit për të shënuar 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Qindra fëmijë iu bashkuan aktiviteteve festive, duke mbushur stadiumin me hare, lojëra dhe emocione të bukura.
Maskotat, muzika, pikturimi i fytyrave, vallëzimet dhe aktivitetet e shumta argëtuese krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, ku secili fëmijë pati mundësinë ta festojë ditën e tij në mënyrën më të bukur.
Për të ndarë nga afër gëzimin e më të vegjëlve, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, i cili uroi fëmijët me rastin e festës së tyre, duke thënë se lumturia, edukimi dhe mirëqenia e tyre mbeten ndër prioritetet kryesore.
“Fëmijët janë pasuria jonë më e çmuar dhe garancia më e mirë për të ardhmen. Buzëqeshjet e tyre janë motivimi ynë për të vazhduar të krijojmë kushte sa më të mira për zhvillimin, edukimin dhe lumturinë e secilit fëmijë”, tha kryetari Aliu.
01/06/2026
NJOFTIM
Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë maturantët se ka filluar aplikimi për Provimin e Maturës Shtetërore.
Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur nga 1 qershor deri më 12 qershor 2026.
Ftohet të gjithë maturantët që të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar dhe të sigurohen që gjatë procesit të aplikimit të verifikojnë me kujdes saktësinë e të dhënave të tyre personale dhe shkollore.
Për informata shtesë:
https://mash.rks-gov.net/alldocuments/udhezues-per-kandidatet-maturantet-per-paraqitje-e-provimit-shteteror-te-matures-ne-platformen-ekosova/
01/06/2026
VOTIMI ME ASISTENCË
Votimi me asistencë lejohet vetëm për:
✔️ votuesit që, për shkak të aftësisë së kufizuar, nuk mund ta shënojnë fletëvotimin ose ta hedhin atë në kuti
✔️ votuesit e verbër që nuk dinë ta përdorin alfabetin Braille
📌 Informohu kush mund të votojë me asistencë, si realizohet ky lloj votimi, cilat janë kriteret për asistuesin dhe cilat forma të tjera të mbështetjes ofrohen në vendvotim për votuesit që kanë nevojë për ndihmë gjatë procesit të votimit.
ℹ️ KQZ fton votuesit që kanë nevojë për asistencë gjatë procesit të votimit të informohen paraprakisht për procedurat dhe kriteret përkatëse, me qëllim që votimi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të papenguar.
📞 0800 55 555
📱 WhatsApp/Viber: +383 46 13 00 13
31/05/2026
Ftesë për të gjithë fëmijët! 🎈
Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komuna e Shtimes ju fton të bëheni pjesë e festës së organizuar për ju!
📅 1 Qershor
🕐 Ora 13:00
📍 Stadiumi i Qytetit
Ju presin shumë surpriza, maskota argëtuese, aktivitete të ngjyrosjes, muzikë dhe plot lojëra e buzëqeshje!
Ejani të festojmë së bashku me plot gëzim dhe momente të paharrueshme për më të vegjlit tanë!
29/05/2026
Mbahet mbledhja e IV e rregullt e Kuvendit të Komunës së Shtimes
Shtime, 29 maj 2026- Është mbajtur sot mbledhja e IV e rregullt e Kuvendit të Komunës së Shtimes, e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Rrahman Jakupi.
Në fillim të seancës, rendit të ditës iu shtua pika për plotësimin e Komitetit për Politikë dhe Financa me një anëtar të ri, ndërsa u largua pika që kishte të bënte me propozim-vendimin për ndarjen e të hyrave të bartura nga viti 2025 në vitin 2026.
Më pas, anëtarët e Kuvendit vazhduan me pikën pyetje-përgjigje, ku u diskutuan çështje të ndryshme.
Një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte Draft-Korniza Afatmesme Buxhetore Komunale 2027-2029, e cila me vota unanime u miratua për të kaluar në diskutim publik.
Për të gjitha pikat që kishin të bënin me buxhetin komunal, sqarime dha drejtori për Financa, Besnik Ahmeti, i cili po ashtu raportoi edhe për Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të vitit 2025 për Komunën e Shtimes nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Ndërkaq, lidhur me pikën për shqyrtimin e kërkesës për ndërhyrje nga KEDS në rrjetin e energjisë elektrike në fshatin Pjetërshticë, asamblistët rekomanduan që në mbledhjen e radhës të ftohet një përfaqësues i KEDS-it, në mënyrë që kjo çështje të trajtohet më gjerësisht për tërë territorin e Shtimes dhe fshatrat e saj.
Ndërsa pika shtesë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Komitetit për Politikë dhe Financa, e propozuar në fillim të seancës, u shty për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit.
29/05/2026
MBLEDHJA E -IV- të E RREGULLT E KUVENDIT TË KOMUNËS SË SHTIMES 29.05.2026
MBLEDHJA E -IV- të E RREGULLT E KUVENDIT TË KOMUNËS SË SHTIMES 29.05.2026
28/05/2026
Nderim i përhershëm për dëshmorët Përparim Boshnjaku dhe Sokol Dauti
Shtime, 28 maj 2026- Komuna e Shtimes përkujton me nderim dhe respekt të thellë dëshmorët Përparim Boshnjaku dhe Sokol Dauti, të cilët 27 vite më parë ranë në altarin e lirisë, duke u bërë simbol i guximit, sakrificës dhe dashurisë së pafund për atdheun.
Të frymëzuar nga ideali për liri dhe çlirim kombëtar, ata iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar me trimëri e vendosmëri në mbrojtje të popullit dhe të ardhmes së vendit tonë.
Në kohët më të vështira për Kosovën, Përparim Boshnjaku dhe Sokol Dauti nuk kursyen as jetën e tyre për idealin e lirisë. Teksa dje u shënua 27 vjetori i rënies së tyre heroike, kujtojmë me mirënjohje të thellë veprën dhe sakrificën e dy dëshmorëve tanë, të cilët me heroizmin e tyre shkruan faqet më të lavdishme të historisë sonë.
Sakrifica e tyre, së bashku me sakrificën e të gjithë dëshmorëve të kombit, mbetet themel i lirisë që gëzojmë sot dhe frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve Përparim Boshnjaku dhe Sokol Dauti!