02/06/2026
TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR FAMILJEN GJAKA
Me tronditje të thellë dhe me pikëllim që nuk gjen fjalë, komuniteti i shkollës sonë, sot mori lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-nxënësit tonë, Ahmedin Gjaka.
Humbja e një jete kaq të re, në lulen e rinisë, është një tragjedi që na ka prekur pa masë të gjithëve. Ahmedini la pas vetes kujtimin e një djaloshi shembullor, të urtë e plot shpresë, duke lënë një zbrazëti të madhe jo vetëm në familjen tuaj, por edhe në kujtesën e mësimdhënësve dhe shokëve të gjeneratës që patën fatin ta njihnin. Shkolla jonë sot ndan të njëjtën dhimbje të madhe me ju.
Në emër të Drejtorisë, stafit arsimor dhe gjithë nxënësve të shkollës " Mustafë Shyti", ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta juve si familje, të afërmve, miqve dhe bashkëmoshatarëve të tij.
Në këto momente të rënda, lutemi që të gjeni forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Kujtimi për Ahmedinin do të mbetet gjithmonë i gjallë dhe i nderuar në analet e shkollës sonë.
Pushofsh në paqe të përjetshme, Ahmedin!
01/06/2026
Gëzuar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve! 🎈
Sot në shkollën tonë organizuam aktivitete të ndryshme argëtuese me nxënësit e klasave 1–5. Përmes lojërave, garave dhe lojërave të shumta, fëmijët kaluan momente të bukura plot gëzim, buzëqeshje dhe energji pozitive.
Qëllimi i këtyre organizimeve ishte që fëmijët të argëtoheshin, të bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe ta festonin këtë ditë të veçantë në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
Urime të gjithë fëmijëve 1 Qershorin!
Ju urojmë fëmijëri të lumtur, shëndet, suksese dhe shumë çaste të bukura në jetë! 🌸🎉🎈
18/05/2026
Mësojmë duke u argëtuar:
Nxënësit e klasës së dytë përvetësojnë tabelën e shumëzimit
Sot, më datë 18.05.2025, në lëndën e Matematikës, nxënësit e klasës së dytë, nën udhëheqjen e mësueses Besarta Gjaka, realizuan një orë mësimore mjaft kreative. Ata përvetësuan tabelën e shumëzimit (1–10) përmes aktiviteteve të ndryshme interaktive dhe lojërave edukative.
Për ta bërë mësimin sa më të thjeshtë dhe argëtues, u përdorën metoda të ndryshme si:
Fletë të përziera dhe rrota matematikore;
Lojëra me zare, gota, kube dhe figura;
Aktivitete lëvizore (kërcime) dhe loja "Gjej numrin".
Përmes kësaj metode, nxënësit jo vetëm që mësuan, por edhe u argëtuan pafund, duke treguar një interesim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm!
17/05/2026
Njoftim i rëndësishëm për prindërit:
Fillon regjistrimi i nxënësve në klasën parafillore dhe në klasën e parë
Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032 (Neni 9, pikat 1.1, 1.2, 1.3, 1.4, 1.5, 1.6, 2, 3, 4, 5, 6; Neni 10, pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6), si dhe në Udhëzimin Administrativ MASHTI Nr. 09/2023 (Neni 3; Neni 4; Neni 5; Neni 6, pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6; si dhe Neni 7, pikat 1, 2, 3, 3.1, 3.2, 3.3, 3.4, 3.5, 3.6, 3.7 dhe 3.8), ju njoftojmë se nga nesër, 18 maj 2026, fillon procesi i regjistrimit të nxënësve në klasën parafillore dhe në klasën e parë, për vitin shkollor 2026/2027.
Kriteret e moshës për regjistrim:
Klasa Parafillore: Regjistrohen fëmijët që kanë mbushur 5 vjeç ose që i mbushin deri në fillim të vitit të ri shkollor 2026/2027.
Klasa e Parë: Regjistrohen fëmijët që kanë mbushur 6 vjeç ose që i mbushin deri në fillim të vitit të ri shkollor 2026/2027.
Procedura dhe vendi i regjistrimit:
Regjistrimi bëhet çdo ditë pune, gjatë orarit të mësimit, në prani të njërit prind ose kujdestarit ligjor.
Klasa parafillore: Regjistrimi bëhet te edukatorja Selvete Rexha.
Klasa e parë: Regjistrimi bëhet te mësuesja Erjonitë Osmani-Brahimi.
Shënim i rëndësishëm: Fëmijët që kanë ndjekur procesin parafillor në shkollën tonë dhe dokumentet e tyre gjenden tek edukatorja, regjistrohen automatikisht. Prindërit e këtyre fëmijëve nuk kanë nevojë të paraqiten në shkollë.
Dokumentet e nevojshme (për fëmijët që regjistrohen për herë të parë):
Çertifikata e lindjes së fëmijës.
Çertifikata e vaksinimit të fëmijës.
Procesi i regjistrimit do të jetë i hapur deri më 12 qershor 2026.
Ju mirëpresim!
Me respekt dhe konsideratë:
Drejtoria e Shkollës
08/05/2026
NJOFTIM PËR PUSHIM
Të dashur nxënës, të nderuar prindër dhe të respektuar mësimdhënës!
Ju njoftojmë se, bazuar në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës, shkolla jonë të hënën do të mbajë pushim për nder të Ditës së Evropës.
Data e pushimit: E hënë, 11 maj 2026.
Rifillimi i mësimit: Procesi mësimor rifillon normalisht të martën, më 12 maj 2026.
Dita e Evropës (zyrtarisht më 9 maj) është një moment reflektimi mbi vlerat e përbashkëta të paqes, bashkëpunimit dhe diversitetit, vlera këto të cilat ne synojmë t'i kultivojmë çdo ditë te nxënësit tanë. Kjo festë simbolizon aspiratat tona për një ardhme më të mirë dhe gjithëpërfshirëse.
Urojmë që këtë ditë pushimi ta kaloni këndshëm pranë familjeve tuaja!
Me respekt dhe konsideratë
Drejtoria e Shkollës
06/05/2026
Sot, më 06.05.2026, nxënësit e klasës së pestë, në bashkëpunim me mësuesen e tyre Erjonita Osmani-Brahimi, zhvilluan një aktivitet të veçantë gjatë orës së Gjuhës shqipe. Në kuadër të njësisë mësimore “Të shkruajmë: Letra”, nxënësit e kthyen anën teorike në praktikë.
Qëllimi i orës ishte që nxënësit të bënin dallimin mes letrës vetjake dhe asaj zyrtare. Gjatë mësimit, u praktikua komunikimi përmes letrave në formë fizike dhe elektronike:
Letra vetjake: Fillimisht u shpjeguan rregullat e shkrimit, e më pas secili nxënës shkroi një letër vetjake, të cilën e vendosi në kutinë postare të klasës.
Letra elektronike: Pas këtij aktiviteti, nxënësit zbatuan njohuritë e tyre edhe në shkrimin e një letre në mënyrë elektronike.
Një falënderim i veçantë shkon për prindin Hajdar Bahtiri, i cili punoi kutinë postare prej druri për nevojat e klasës sonë.