23/09/2026
Sulm ndaj rojës së pyllit në Shtime – rasti i dytë ndaj stafit të APK-së në Regjionin e Ferizajt
Më 18.09.2026, në territorin e Komunës së Shtimes, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, një roje pylli i Departamentit Regjional të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ferizaj është penguar dhe sulmuar fizikisht gjatë ndërhyrjes ndaj një rasti të prerjes së kundërligjshme në pyll pronë shtetërore.
Gjatë kontrollit në terren, roja e pyllit ka hasur një person të dyshuar duke kryer prerje të kundërligjshme të masës drusore. Gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndërmarrjes së veprimeve sipas kompetencës, roja është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar lëndime të dukshme.
Rasti është raportuar menjëherë te Policia e Kosovës, e cila ka intervenuar dhe e ka marrë çështjen në trajtim. Personi i dyshuar është identifikuar dhe proceduar nga organet kompetente, ndërsa nga roja e pyllit është përpiluar edhe fletëparaqitje për dëmin pyjor.
Ngjarja është dokumentuar me fotografi nga vendi i ngjarjes, përfshirë dëmin e shkaktuar në pyll, masën drusore të prerë dhe lëndimet e pësuara nga roja gjatë kryerjes së detyrës.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër në Regjionin e Ferizajt ku rojet e pyllit janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Më herët një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Komunën e Ferizajt, ku zyrtarët e APK-së ishin sulmuar gjatë ushtrimit të detyrave për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve.
Departamenti Regjional – Ferizaj dënon çdo formë të pengimit dhe sulmit ndaj rojeve të pyllit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Sulmet ndaj zyrtarëve në terren nuk do ta ndalin angazhimin për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
Departamenti do të vazhdojë me rritjen e prezencës në terren, patrullimet, kontrollet dhe bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kompetente, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë pyjore dhe krijimit të kushteve më të sigurta për zyrtarët që ushtrojnë detyrat e tyre.
Mbrojtja e pyjeve dhe siguria e zyrtarëve në terren mbeten prioritet i Departamentit Regjional – Ferizaj.