14/10/2026
14 TETOR – DITA BOTËRORE E STANDARDEVE
Standardet: një gjuhë e përbashkët për cilësinë, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm
Çdo vit, më 14 tetor, komuniteti ndërkombëtar i standardizimit kremton Ditën Botërore të Standardeve, duke vlerësuar kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe organizatave që punojnë për hartimin dhe zbatimin e standardeve, të cilat mbështesin zhvillimin ekonomik, përparimin teknologjik dhe mirëqenien e shoqërisë.
Standardet krijojnë një gjuhë të përbashkët ndërmjet bizneseve, konsumatorëve, institucioneve dhe tregjeve. Ato ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, rritjen e sigurisë, përdorimin më efikas të burimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e besimit në marrëdhëniet tregtare. Në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur dhe dixhitale, standardet janë gjithashtu një instrument i rëndësishëm për inovacionin, transformimin dixhital dhe konkurrueshmërinë.
Standardet në shërbim të biznesit dhe zhvillimit të vendit
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS), si organi kombëtar i standardizimit në Shqipëri, punon për adoptimin e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare si Standarde Shqiptare (SSH), duke kontribuar në përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në mbështetjen e integrimit evropian të vendit.
Për biznesin shqiptar, standardet përbëjnë mjete praktike për përmirësimin e proceseve, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve, përmbushjen e kërkesave të tregut dhe zgjerimin e mundësive për tregti. Ato u japin ndërmarrjeve, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mundësinë të përmirësojnë performancën dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre.
Duke synuar t'i bëjë standardet më të aksesueshme dhe më pranë nevojave të përdoruesve, DPS po punon për modernizimin dhe dixhitalizimin e databazës së standardeve. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe përkthimi i plotë në gjuhën shqipe i standardeve të përzgjedhura, duke lehtësuar kuptimin dhe zbatimin e kërkesave të tyre nga bizneset dhe profesionistët shqiptarë.
Nëpërmjet mbështetjes së projektit GQSP të UNIDO-s dhe përdorimit të modulit të përkthimit TRADOS, DPS ka mundësuar përkthimin e standardeve të rëndësishme në fusha të tilla si inspektimi dhe certifikimi, siguria e informacionit, barazia gjinore, menaxhimi i energjisë, mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i cilësisë. Kjo mbështetje kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale të DPS-së dhe në përmirësimin e aksesit të biznesit shqiptar në standardet evropiane dhe ndërkombëtare në gjuhën shqipe.
Për më tepër rreth artikullit klikoni në linkun e mëposhtëm:
https://dps.gov.al/sq/14-tetor-dita-boterore-e-standardeve_p10815.html