31/10/2026
Lansimi i pullës postare kushtuar rikthimit të festivalit “Akordet e Kosovës” përbën një kontribut të veçantë të Postës së Kosovës në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kulturore e muzikore.
Përmes këtij emetimi të veçantë filatelik, Posta e Kosovës i jep rikthimit të festivalit një dimension të ri simbolik, duke e shndërruar atë në një kujtim të përhershëm të traditës sonë muzikore dhe të artistëve që i kanë dhënë vlerë kulturës shqiptare.
Në këtë ngjarje, moderatorët e festivalit shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për Postën e Kosovës për këtë dedikim të çmuar, që tejkalon funksionin e një pulle postare dhe merr kuptimin e një dëshmie të respektit për trashëgiminë tonë kulturore, e cila përcillet me krenari ndër breza dhe përtej kufijve.
Kryeshefja Ekzekutive dhe ekipi i Postës së Kosovës patën kënaqësinë të jenë pjesë e këtij organizimi dhe të kontribuojnë në përjetësimin e një ngjarjeje me rëndësi të veçantë për kulturën tonë.
Falënderojmë RTK-në dhe organizatorët e festivalit “Akordet e Kosovës” për bashkëpunimin dhe mundësinë që kjo traditë muzikore të marrë një simbol të veçantë edhe në historinë filatelike të Kosovës.