06/11/2026
🎼 06.11.2026 ↘️ e premte 🇦🇱
🎶 ORË MËSIMORE & AKTIVITETE MUZIKORE DHE KRIJUESE NË LËNDËN E EDUKATËS MUZIKORE
MËSUESJA E MUZIKËS: 🎼 ENKELA KRASNIQI🧑🏼🏫
Niveli fillor
Përmbledhja e paraqitjes së orëve mësimore përmes fotografive të bashkëngjitura më poshtë:
🎵 🎶 EDUKATË MUZIKORE & ARTET DHE MUZIKA
Gjatë kësaj jave, në kuadër të lëndëve Edukatë Muzikore dhe Artet dhe Muzika, nxënësit e klasave 2–5 janë përfshirë në një sërë aktivitetesh kreative, hulumtuese dhe interpretuese, përmes të cilave muzika është ndërthurur me artin figurativ, punëdoren, historinë, gjuhën shqipe, edukimin qytetar dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Përmes dëgjimit aktiv, krijimit artistik, interpretimit muzikor, vëzhgimit, krahasimit dhe bashkëpunimit, nxënësit kanë pasur mundësi që njohuritë t'i zbatojnë në situata konkrete mësimore, duke zhvilluar kreativitetin, të menduarit kritik, shkathtësitë artistike dhe vetëdijen për vlerat tona kulturore.
🎹 Klasa 2/3 – Artet dhe Muzika
Tema: Njohja me pianon përmes dëgjimit dhe krijimit artistik
Nxënësit janë njohur me pianon si një nga instrumentet më të rëndësishme muzikore, duke vëzhguar karakteristikat e saj, ndërtimin dhe tastierën, si dhe duke dëgjuar tingujt karakteristikë të këtij instrumenti.
Nën shoqërimin e tingujve të pianos, ata kanë realizuar një punim kreativ artistik, duke prerë, formësuar dhe ngjyrosur materiale të ndryshme për të krijuar figurën e instrumentit. Kështu, përmes dëgjimit muzikor, nxënësit kanë shndërruar përjetimin e tingullit në një krijim konkret figurativ.
Aktiviteti ka ndërthurur muzikën me artin figurativ dhe punëdoren, duke zhvilluar imagjinatën, kreativitetin dhe aftësinë për të lidhur botën e tingujve me shprehjen vizuale. 🎨
❤️ Klasat e 3-ta – Artet dhe Muzika
Tema: Simbolet kombëtare përmes artit dhe muzikës
Në prag të festës së 28 Nëntorit, nxënësit kanë realizuar një aktivitet kreativ artistik, duke ndërthurur simbolet kombëtare me muzikën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Duke përdorur ngjyrat kuq e zi, ata kanë krijuar gjurmët e duarve mbi fletë, njërën dorë me ngjyrë të kuqe dhe tjetrën me të zezë. Mbi këtë kompozim artistik kanë vizatuar një instrument muzikor me tela, duke e lidhur simbolikën e flamurit me pasurinë e traditës sonë muzikore.
Përmes këtij aktiviteti, nxënësit kanë zhvilluar shkathtësitë motorike, imagjinatën dhe kreativitetin, ndërsa kanë reflektuar mbi rëndësinë e simboleve kombëtare dhe lidhjen e tyre me identitetin, kulturën dhe muzikën shqiptare. 🖤❤️
🪕 Klasat e 4-ta – Artet dhe Muzika
Tema: Lahuta – tingulli i trashëgimisë sonë kulturore
Nxënësit janë njohur me instrumentet tradicionale shqiptare, duke u përqendruar veçanërisht te lahuta, si një nga simbolet e rëndësishme të trashëgimisë sonë muzikore dhe kulturore. Përmes materialeve audiovizuale, ata janë njohur me ndërtimin, karakteristikat tingullore dhe mënyrën e interpretimit të këtij instrumenti, duke dëgjuar gjithashtu rolin e tij në shoqërimin e këngëve kreshnike dhe epike, përmes të cilave janë përcjellë histori, ngjarje dhe rrëfime nga brezi në brez.
Një pjesë e veçantë e aktivitetit i është kushtuar edhe statusit të lahutës në UNESCO. Nxënësit janë informuar se në vitin 2025, tradita e punimit, interpretimit dhe këndimit me lahutë është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente të UNESCO-s. Përmes këtij diskutimi, ata kanë kuptuar se trashëgimia kulturore nuk përbëhet vetëm nga objektet dhe monumentet, por edhe nga traditat, njohuritë dhe mjeshtëritë që përcillen ndërmjet brezave.
Për ta thelluar më tej të nxënit, nxënësit kanë realizuar një aktivitet krahasues përmes Diagramit të Venit, duke e krahasuar lahutën me instrumente të ngjashme me tela nga kultura të ndryshme botërore. Në këtë mënyrë kanë identifikuar veçoritë e përbashkëta dhe dallimet në ndërtim, formë, tingull dhe mënyrën e interpretimit.
Ky aktivitet ka krijuar ndërlidhje të natyrshme ndërmjet muzikës, historisë, gjeografisë dhe edukimit kulturor, duke zhvilluar te nxënësit aftësitë e hulumtimit, krahasimit, analizës dhe të menduarit kritik, por mbi të gjitha duke kultivuar respektin për trashëgiminë muzikore dhe përgjegjësinë për ruajtjen e saj.
🗺️ Klasat e 5-ta – Edukatë Muzikore
Projekti: “Harta e Thesarit Muzikor Shqiptar”
Në kuadër të aktiviteteve për nder të 28 Nëntorit, nxënësit e klasave të pesta kanë filluar një mision ndërveprues me titull “Harta e Thesarit Muzikor Shqiptar”.
Projekti është konceptuar si një udhëtim muzikor me pesë stacione ose misione, nëpër të cilat nxënësit do të kalojnë gjatë gjithë muajit nëntor. Secili stacion përfaqëson një fushë të rëndësishme të muzikës dhe kulturës shqiptare, duke përfshirë muzikën patriotike, himnin, ritmet tradicionale, këngët dhe instrumentet popullore.
Misioni i parë – Çfarë është himni?
Gjatë kësaj jave, nxënësit kanë realizuar misionin e parë, duke u njohur me kuptimin, karakteristikat dhe rëndësinë e himnit si simbol i identitetit dhe përfaqësimit shtetëror.
Përmes dëgjimit të Himnit të Flamurit dhe Himnit të Kosovës, ata kanë analizuar karakterin muzikor, përmbajtjen dhe mesazhin që përcjell secili himn. Aktiviteti është shoqëruar me bashkëbisedim dhe diskutim mbi rolin e himneve në historinë, kulturën dhe jetën shoqërore.
Kjo veprimtari ka ndërthurur edukimin muzikor me historinë, edukimin qytetar dhe gjuhën shqipe, duke zhvilluar aftësitë e dëgjimit analitik, të menduarit kritik dhe të shprehjes së mendimeve personale. Përmes këtij projekti, nxënësit po e përjetojnë muzikën si një formë njohjeje, hulumtimi dhe zbulimi të identitetit kulturor. 🇦🇱
🎤 Klasa 5/3 – Artet dhe Muzika
Tema: Rrjedhë në këngë e ligjërime
Nxënësit kanë interpretuar një këngë kushtuar Shqipërisë, nën shoqërimin e pianos, duke realizuar këndimin në grupe dhe individualisht.
Gjatë interpretimit i është kushtuar rëndësi intonacionit, ritmit, shqiptimit të saktë të tekstit dhe shprehjes emocionale. Përmes këndimit individual, nxënësit kanë pasur mundësi të shfaqin aftësitë e tyre vokale dhe sigurinë në interpretim, ndërsa këndimi në grup ka nxitur bashkëpunimin, dëgjimin e ndërsjellë dhe harmonizimin e zërave.
Aktiviteti ka krijuar ndërlidhje ndërmjet muzikës dhe gjuhës shqipe përmes trajtimit të tekstit dhe mesazhit të këngës, si dhe me historinë dhe edukimin kulturor përmes tematikës patriotike.
Në kuadër të aktiviteteve ekstrakurrikulare të arteve, nxënësit kanë realizuar një punim kreativ duke ndërthurur edukatën muzikore me artin figurativ. Përmes ngjyrosjes së majave të gishtërinjve dhe vendosjes së gjurmëve në letër, vajzat kanë formuar çelësin e solit, ndërsa djemtë çelësin e basit, duke i shndërruar gjurmët e gishtërinjve në simbole muzikore.
Ky aktivitet ka sjellë një mënyrë origjinale të njohjes dhe përvetësimit të simboleve muzikore, duke i dhënë hapësirë imagjinatës, eksperimentimit dhe krijimit përmes ngjyrave. Përveç zhvillimit të kreativitetit dhe shkathtësive motorike, nxënësit kanë ushtruar përqendrimin, durimin, saktësinë dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të punimit.
Ndërthurja e dy fushave artistike ka dëshmuar se muzika mund të mësohet dhe të shprehet edhe përmes artit pamor, duke krijuar lidhje ndërmjet tingullit, simbolit dhe krijimtarisë personale.
Përmes këtyre aktiviteteve, muzika dhe arti janë shndërruar në hapësira aktive të eksplorimit, bashkëpunimit dhe krijimtarisë, ku nxënësit jo vetëm kanë përvetësuar njohuri, por edhe kanë zhvilluar vetëbesimin, mendimin kritik, shprehjen artistike dhe kënaqësinë e të nxënit përmes praktikës.
Drejtori i shkollës ztr. Liridon S. Maliqi, përgëzon mësuesen e shkëlqyer të muzikës - Enkelën, për angazhimin dhe përkushtimin e shkëlqyer të saj si dhe nxënësit për disiplinën, interesimin, përkushtimin dhe performancën e tyre!
Suksese tutje!