05/11/2026
Dhjetë vjet pa Astritin
Dhjetë vjet në kërkim të drejtësisë për të.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me familjen Dehari, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministrin, Glauk Konjufca, ministra dhe shumë deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta te varri i Astrit Deharit.
Astrit Dehari është aktivisti i Lëvizjes i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bën që ne t’ia përkujtojmë vetes rrugën që kemi ndjekur për të ardhur këtu por edhe drejtimin që duhet të vazhdojmë ta mbajmë për të shkuar atje ku duhet për të mirën e shtetit, popullit, shoqërisë e të kombit tonë.
Kryeministri Kurti në prononcimin e tij për media tha se 10 vjet pa Astritin janë shumë, janë tepër shumë për familjen, për VETËVENDOSJE!-n, për të gjithë ne që e njohëm e bashkëpunuam me të, por janë edhe shumë për Republikën e Kosovës dhe mbarë shqiptarët, sepse mungon edhe e vërteta e mbytjes së tij edhe drejtësia për të.
“10 vjet më vonë nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit. Pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse të sigurisë e drejtësisë asokohe që të japin konstatime para hetimeve. Kjo e rëndoi shumë situatën dhe kjo situatë e rënduar vazhdon edhe sot e kësaj dite, përderisa askush nuk është akuzuar, nuk është arrestuar, nuk është gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit që e la familjen, Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Republikën e Kosovës pa këtë djalë të jashtëzakonshëm”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë.
“Rruga që ai zgjodhi, rruga e drejtësisë dhe e dinjitetit për popullin tonë, është rruga që vazhdojmë ta ndjekim edhe sot. Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit”.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca tha se asnjë vonesë nuk do të na bëjë të heqim dorë nga kërkesa që drejtësia të vihet në vend.
“Vrasja e tij në burgun e Prizrenit rëndon mbi autoritetet që kishin për detyrë t’ia mbronin jetën, ndërsa moszbardhja e këtij krimi vazhdon ta cenojë besimin te drejtësia. Një dekadë pa drejtësi është tepër e gjatë për familjen Dehari dhe për të gjithë bashkaktivistët që e njohën e e deshën Astritin, e që bashkë me dhimbjen për humbjen e tij, kanë mbajtur edhe barrën e kësaj pritjeje.
Lavdi!