14/10/2026
Shërbimet Publike të Punësimit nga Ballkani Perëndimor shkëmbejnë përvoja dhe praktika të mira në Prizren
Më 8 dhe 9 tetor 2026, në Prizren u mbajt punëtoria e dytë rajonale e rishikimit mes kolegëve për ciklin e vitit 2026 të vlerësimit krahasues të shërbimeve publike të punësimit (PES Benchlearning), në kuadër të projektit ESAP 3 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të Shërbimeve Publike të Punësimit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me ekspertë evropianë dhe rajonalë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, identifikimit të praktikave të mira dhe shqyrtimit të mundësive për përmirësimin e shërbimeve të punësimit.
Gjatë punëtorisë u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional, ofrimin e shërbimeve për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, zhvillimin profesional të stafit, si dhe përdorimin e mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale në përmirësimin e shërbimeve.
U.D.Drejtori Ekzekutiv i APRK-së Z.Blerim Hasani, mirëpriti delegacionet pjesëmarrëse në Prizren, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe të mësimit nga institucionet që përballen me sfida të ngjashme në tregun e punës.
Në ditën e dytë, pjesëmarrësit vizituan Zyrën e Punësimit në Prizren, ku u njohën me organizimin e punës, regjistrimin dhe këshillimin e punëkërkuesve, shërbimet për punëdhënësit dhe përdorimin e mjeteve digjitale.
Po ashtu, delegacioni vizitoi Qendrën e Aftësimit Profesional në Prizren, ku u prezantua puna e qendrës dhe rëndësia e aftësimit profesional në zhvillimin e shkathtësive dhe rritjen e mundësive të punëkërkuesve për punësim. Pjesëmarrësit patën mundësi të shohin nga afër trajnimet praktike në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, administratë, rrobaqepësi, kuzhinë, parukeri dhe grim.
Punëtoria përfundoi me identifikimin e praktikave të mira që mund të zbatohen më gjerësisht, si dhe me rekomandime paraprake për përmirësimin e organizimit dhe efektivitetit të shërbimeve publike të punësimit.
Përmes projektit ESAP 3, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal vazhdon të mbështesë shërbimet publike të punësimit në Ballkanin Perëndimor në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e performancës dhe përafrimin e shërbimeve me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian.