30/10/2026
Dogana e Kosovës po merr pjesë në ngjarjen globale të Projektit “Smart Customs 2026”,
Bruksel 20 tetor 2026 Dogana e Kosovës po merr pjese në ngjarjen globale ne kuader te projektit “Smart Customs” që po mbahet në selinë e Organizatës Botërore të Doganave në Bruksel, Belgjikë.
Ky aktivitet ndërkombëtar mbledh përfaqësues të administratave doganore dhe ekspertë nga e gjithë bota, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve dhe perspektivave të së ardhmes në fushën doganore.
Vëmendje e veçantë i kushtohet inteligjencës artificiale (AI), mësimit makinerik (Machine Learning), teknologjisë Blockchain, analizës së të dhënave dhe aplikimit të teknologjive inovative në proceset doganore.
Pjesëmarrja e Doganës së Kosovës në këtë ngjarje dëshmon përkushtimin institucional për modernizim të vazhdueshëm, avancim të transformimit digjital dhe integrim të zgjidhjeve bashkëkohore teknologjike, me synim rritjen e efikasitetit operacional, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut, forcimin e transparencës dhe lehtësimin e tregtisë legjitime.
Projektet dhe iniciativat e Organizatës Botërore të Doganave përbëjnë një mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës, si dhe përfitim nga praktikat më të mira globale, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale të Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një administrate moderne, efikase, transparente dhe të orientuar drejt teknologjisë, në funksion të një shërbimi doganor bashkëkohor dhe të gatshëm për sfidat e së ardhmes.