30/10/2026
⚖️Kryetari Rexhepi dhe ekspertët gjermanë të IRZ-së diskutojnë avancimin e profesionalizmit dhe pavarësisë gjyqësore
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka pritur sot në takim një delegacion të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), të kryesuar nga ekspertët gjermanë të fushës juridike, Prof. Dr. Michaela Wittinger, profesoreshë universitare dhe eksperte e lartë juridike, si dhe Dr. Thomas Dickert, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë Rajonale të Nurembergut.
Gjatë vizitës, ekspertët gjermanë vizituan ambientet e Gjykatës Supreme, përfshirë Muzeun e Gjyqësorit dhe zyrën e një gjyqtari, dhe u informuan nga afër për rolin, kompetencat dhe funksionimin e instancës më të lartë gjyqësore në vend.
Kryetari Rexhepi vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që IRZ i ka ofruar sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe kontributin e ekspertëve gjermanë në shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e njohurive profesionale të gjyqtarëve.
Vizita në Gjykatën Supreme u realizua pas përfundimit të punëtorisë dyditore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të organizuar në bashkëpunim me IRZ-në, me temën “Zhvillimi dhe zbatimi i mekanizmave efektivë për vetëqeverisjen dhe mbikëqyrjen e sistemit të drejtësisë”.
Çështjet e trajtuara gjatë punëtorisë ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve ndërmjet kryetarit Rexhepi dhe ekspertëve gjermanë. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e garantimit të pavarësisë gjyqësore, proceseve të emërimit, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve, zhvillimit të tyre të vazhdueshëm profesional, mbikëqyrjes gjyqësore, si dhe forcimit të etikës dhe integritetit profesional dhe parandalimit të konflikteve të interesit.
Takimi shërbeu si mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e praktikave të mira në funksion të forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit të sistemit gjyqësor.
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/10/30/kryetari-rexhepi-dhe-ekspertet-gjermane-te-irz-se-diskutojne-avancimin-e-profesionalizmit-dhe-pavaresise-gjyqesore/