Lëvizja BASHKË

Call Directions Website Contact the organization

Lëvizja BASHKË Mendjet bashkë, zemrat bashkë! E ardhmja është e të gjithëve! Shqipëria është në një krizë të trefishtë: ekonomike, shoqërore e politike. Kontribuo:
1.

Ekonomia e vendit po merr të tatëpjetën. Niveli i jetesës së qytetarëve është nga më të ulëtit në Evropë. Pagat, pensionet, ndihma ekonomike dhe të ardhurat e tjera nuk i mundësojnë shumicës dërrmuese të shoqërisë një jetë minimalisht dinjitoze. Papunësia mbetet e lartë dhe kushtet e punës të rrezikshme e tjetërsuese. Nga ana e kundërt, një grusht oligarkësh e njerëzish të pushtetshëm pasurohen në kurrizin tonë, duke na shfrytëzuar, grabitur dhe uzurpuar të përbashkëtat. Për shkak të pamundësive ekonomike, shoqëria shqiptare po përjeton një nga momentet më të këqija të historisë sonë bashkëkohore. Punëtorë e të papunë, studentë e profesionistë, të reja e të rinj po marrin arratinë nga vendi duke e kërkuar shpresën gjetiu në Perëndim. Të pushtetshmit dhe oligarkët po na e bëjnë të pajetueshëm vendin tonë, duke na shtyrë drejt gomoneve dhe punës ilegale në vendet e tjera. Në vend që të eksportonim produktet e punës dhe krijimtarisë sonë, prej tri dekadash vazhdojmë të eksportojmë njerëz. Kjo ndarje e dhunshme nga vendi e bashkëqytetarët, e shoqëruar me degradimin e shërbimeve publike dhe hapësirave komunitare, po na armiqëson me njëri-tjetrin, duke degraduar në agresivitet ndaj më të dobtëve. Kriza ekonomike e shoqërore është produkt i një krize politike permanente. Në tri dekada Shqipëria është sunduar dhunshëm, hajdutërisht e manipulativisht nga dy parti. PS dhe PD, e rreth e rrotull tyre një tufë partizash klienteliste, nuk përfaqësojnë shtresat e gjera të popullsisë. Ato janë struktura të ndryshkura burokratike, të korruptuara tejendanë, nën sundimin despotik të kryetarëve të paskrupullt, shërbyese të interesave të oligarkëve dhe pa vizion e perspektivë tjetër përpos korrupsionit sistematik. Mekanizmi kryesor përmes të cilit ato kanë arritur të mbledhin vota është klientelizmi si kompensim i vobektë për mungesën e punës dinjitoze, shërbimeve publike dhe drejtësisë shoqërore. Koha e tyre po merr fund. Vjeturinat partiake nuk vlejnë as për muze. Askush nuk beson më në to, ndërkohë që po i braktisin edhe nostalgjikët e fundit. Ato janë ngrehina pompoze nga jashtë e të ndryshkura nga brenda, që një lëvizje shoqërore serioze do t’i rrëzonte një herë e përgjithmonë. Për ta ngritur këtë lëvizje duhet të bëhemi Bashkë. Të gjithë ne, njerëzit e punës e të krijimtarisë, të vuajtjeve e nëpërkëmbjes, të ëndrrave e aspiratave, të organizuar e të bashkuar në një shumësi që mposht zullumqarët, ngadhënjen mbi vështirësitë dhe ndërton një shoqëri të drejtë e të begatë. Lëvizja BASHKË - Më shumë se parti. Antarësohu: https://bit.ly/3j9BwGS . PayPal (https://www.paypal.me/levizjabashke)

2. Llogari bankare në LEK
Banka: UNION BANK
Numër llogarie: 113688880020119
Përshkrimi i llogarisë: PARTIA LËVIZJA BASHKË
IBAN: AL03214113020113688880020119
Swift: UNALALTR

3. Llogari bankare në EURO
Banka: UNION BANK
Numër llogarie: 113688880020128
Përshkrimi i llogarisë: PARTIA LËVIZJA BASHKË
IBAN: AL51214113020113688880020128
Swift: UNALALTR

DEMOKRATIZIM I SHTETIT – PROGRES I SHOQËRISËPlatforma e Lëvizjes BASHKË për daljen nga krizaMomenti historik në të cilin...
30/10/2026

DEMOKRATIZIM I SHTETIT – PROGRES I SHOQËRISË

Platforma e Lëvizjes BASHKË për daljen nga kriza

Momenti historik në të cilin po jetojmë kërkon ndryshime të thella të strukturimit të institucioneve publike dhe të raportit të tyre me qytetarët. Shqipëria ka nevojë të demokratizohet thellësisht, duke rritur ndjeshëm fuqinë e qytetarit dhe organizmave shoqërorë.

Lëvizja BASHKË e sheh krizën e thellë politike si mundësi për të rindërtuar kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit me synim demokratizimin substancial të tij. Për ne, dorëheqja e menjëhershme dhe e parevokueshme e Edi Ramës dhe krijimi i përkohshëm i një qeverie apartiake, duhet të pasohet nga nisja e një procesi kuvendimi me ndërmjetësim ndërkombëtar midis partive politike, organizatave shoqërore dhe qytetarëve të angazhuar me synim ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore të cilat, në krye të pak muajve, do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve të parakohshme tërësisht të lira dhe të ndershme.

Platforma e ndryshimeve të mëposhtme mirëpret sugjerime dhe kritika nga çdo qytetar:

DEMOKRACIA PJESËMARRËSE

Sot qytetarët i kanë tejet të kufizuara mundësitë për iniciativa ligjore dhe për të pasur ndikim në procesin e ligjvënies. Pengesat më të rëndësishme i vendos kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, sidomos për sa u përket kritereve dhe shtrirjes së thirrjes për referendum.

Lëvizja BASHKË propozon ndryshimin e nenit 177 të Kushtetutës, duke u lënë mundësi qytetarëve të marrin iniciativa, së paku abrogative, për ndryshimin e Kushtetutës.

Propozojmë gjithashtu ndryshime në nenin 150, duke u mundësuar qytetarëve thirrjen e referendumeve jo vetëm për shfuqizimin, por edhe për miratimin e një ligji. Po ashtu, numri i nevojshëm i firmave të qytetarëve që e mbështesin një nismë referendare duhet të përcaktohet si përqindje e shtetasve rezidentë. P.sh. jo 50,000 qytetarë siç është në Kushtetutën aktuale, por 1% e shtetasve rezidentë sipas censusit të fundit të popullsisë. Kësisoj, nëse do të nisej sot procedura e thirrjes së një referendumi, do të duheshin firmat e rreth 24,000 qytetarëve. Në këtë kuadër, nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet që e bën të realizueshme iniciativën qytetare.

Duke marrë në konsideratë faktin se një pjesë shumë e rëndësishme e trupës zgjedhore jeton jashtë Shqipërisë dhe për të penguar sabotimin e iniciativës referendare nga partia/të në pushtet (p.sh. thirrja për bojkot), nevojitet që pragu i pjesëmarrjes për vlefshmërinë e referendumit ligjvënës të jetë i ulët. Marrim një shembull. Në zgjedhjet e vitit 2025 kanë marrë pjesë rreth 42% e qytetarëve me të drejtë vote. Në parim, një parti mund të qeverisë duke marrë një votë më shumë se gjysma e këtij 42%, pra 21% + 1 votë krahasuar me tërësinë e qytetarëve me të drejtë vote. Nëse përfaqësuesit politikë kanë të drejtë të vendosin në emër të 21% të qytetarëve, atëherë nuk ka pse të mos vlejë kjo edhe për iniciativat nga qytetarët. Kësisoj, një prag i arsyeshëm i vlefshmërisë së një referendumi ligjvënës do të duhej të ishte pjesëmarrja e 20% të shtetasve me të drejtë vote.

Është e rëndësishme gjithashtu që ligji i ri për referendumet t’u japë të drejtën qytetarëve në nivel të vendor jo vetëm për të abroguar vendimet e organeve përfaqësuese vendore, por edhe për të vendosur drejtpërdrejt për çështje të rëndësishme për ta.

Nga ana tjetër, duhet ulur numri i firmave të mbledhura nga qytetarët për t’i drejtuar Kuvendit një projektligj, duke iu referuar sërish raportit me popullsinë rezidente. Një mundësi do të ishte 0.5% i shtetasve rezidentë. Po ashtu duhen vendosur afate të shkurtra dhe të detyrueshme për Kuvendin që të shtrojë për diskutim iniciativën ligjvënëse nga qytetarët.

SISTEMI ZGJEDHOR

Shqipëria ka nevojë për ndryshime të thella të sistemit të organizimit të zgjedhjeve (neni 64 i Kushtetutës). Sistemi aktual zgjedhor krijon një hendek të thellë midis përqindjes së votave të një partie politike dhe përqindjes së përfaqësimit të saj në Kuvend, si dhe shkurajon votën e qytetarëve për partinë e preferuar në shumë qarqe.

Demokratizimit të sistemit politik në Shqipëri i nevojitet një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me prag të ulët. Nëse i referohemi rezolutës 1705 (2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pragu zgjedhor nuk mund të jetë assesi më i lartë se 3%. Për të nxitur edhe pjesëmarrjen në zgjedhje të partive që ende nuk janë formuar, Lëvizja BASHKË është e hapur të diskutojë për një prag zgjedhor nga 1% deri në 3%.

Ne mbështesim gjithashtu garantimin e të drejtës së plotë të qytetarëve për të votuar edhe kandidatë brenda listës së propozuar nga një parti politike, duke votuar për 2 deri në 4 kandidatë (në varësi të pragut zgjedhor).

Nga ana tjetër, është i domosdoshëm hartimi i një ligji të posaçëm për financimin e partive politike, duke pamundësuar financimin e tyre nga krimi i organizuar dhe oligarkia ekonomike. Ndryshimet në Kodin Penal duhet të ashpërsojnë masat për blerjen e votës dhe premtimet e tjera të paligjshme që kushtëzojnë votën e qytetarëve. Nevojiten njëkohësisht ndryshime në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilat duhet t’u pamundësojnë drejtuesve të institucioneve të ushtrojnë presion ndaj nëpunësve të administratës për të votuar apo për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Të rëndësishme janë edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor që mundësojnë kushte të barabarta dhe raportim të ndershëm të fushatës së partive politike në televizione dhe mjete të tjera të informimit publik.

NDRYSHIMI I RAPORTEVE MIDIS KUVENDIT, QEVERISË DHE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë sjellë, ndër të tjera, defaktorizimin e Kuvendit dhe të Presidentit të Republikës, si dhe fuqizimin e paarsyeshëm të kryeministrit. Për të rivendosur drejtpeshimin midis ekzekutivit dhe legjislativit, janë të nevojshme ndryshime kushtetuese të cilat nisin nga kufizimi në dy mandate i ushtrimit të detyrës së kryeministrit nga një qytetar.

Së dyti, kryeministri dhe ministrat duhet t’u përgjigjen personalisht dhe në kohë të shpejtë kërkesave të deputetëve për interpelancë (neni 80 i Kushtetutës).

Së treti, mocioni i mosbesimit ndaj një kryeministri nuk ka pse të shoqërohet me propozimin për një kryeministër alternativ, çka e bën shumë të vështirë efektivitetin e këtij mocioni (neni 105 i Kushtetutës). Nëse pas shkarkimit të një kryeministri përmes një mocioni mosbesimi nuk arrihet zgjedhja e një kryeministri të ri, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Në këtë rast, kryeministri i shkarkuar nuk mund të qëndrojë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës (neni 106), por detyrën e tij duhet ta ushtrojë përkohësisht zv.kryeministri.

Së katërti, duhet të lehtësohet procedura e thirrjes së një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të duhej të ngrihej me kërkesën e më së shumti 1/10 së deputetëve (neni 77 i Kushtetutës ia njeh këtë të drejtë një të katërtës së deputetëve).

Së pesti, demokratizimit të vendit i duhet gjithashtu rikonfigurimi i rolit të Presidentit të Republikës. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 (neni 87 i Kushtetutës), duke hequr kriterin e shumicës së cilësuar në raundin e katërt dhe të pestë të zgjedhjes së Presidentit, e kthejnë Presidentin e Republikës nga një arbitër mbi palët në nëpunës të thjeshtë të partisë në pushtet. Çfarë nevojitet është rivendosja e shumicës së cilësuar për zgjedhjen e Presidentit. Ky kriter do ta bënte partinë në pushtet të kishte nevojë për konsensusin e partive opozitare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke mundësuar kësisoj që Presidenti të jetë mbi palët. Në raste të acarimit të klimës politike, moszgjedhja e Presidentit nga Kuvendi do të mundësonte si rrugëdalje nga kriza zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Së gjashti, Lëvizja BASHKË propozon që Presidenti i Republikës të ketë si kompetencë edhe iniciativën ligjvënëse – pra t’i drejtohet Kuvendit jo vetëm me mesazhe, por edhe me projektligje konkrete – si dhe iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës; mbi të cilat, afërmendsh, Kuvendi duhet të ketë fjalën e fundit (neni 92 i Kushtetutës).

Së shtati, për të respektuar kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, është i nevojshëm edhe ndryshimi i nenit 86, pika 2, i cili kërkon që Presidenti të ketë jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri.

KARTA SOCIALE

Nuk mund të ketë demokraci politike pa të drejta sociale të garantuara për të gjithë qytetarët. Fatkeqësisht, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë çalon në artikulimin e të drejtave sociale si detyrime për institucionet, ose në raste të tjera mungon kuadri i plotë ligjor i garantimit të tyre efektiv.

Duke u frymëzuar nga shembulli i vendimit të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Lëvizja BASHKË mendon se të drejtat sociale të qytetarëve duhen garantuar në mënyrë efektive që në Kushtetutë. Prandaj propozojmë që të njihet me Kushtetutë parimi i nivelit minimal të mbështetjes së qytetarëve në nevojë (ku përfshihet edhe pensioni minimal), i cili duhet të përcaktohet në bazë të llogaritjes periodike të minimumit jetik, zbatimi i të cilit të jetë i detyrueshëm për qeverinë.

Propozojmë gjithashtu ndryshimin e nenit 57 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për arsimim, duke ngulur këmbë që arsimi falas në institucionet publike të shtrihet në të gjitha shkallët e arsimit. Arsimi publik universitar mund të kufizohet efektivisht vetëm nga kritere aftësie.

Një demokraci e vërtetë ka nevojë jetike për lirinë e plotë dhe inkurajimin e organizimit të punëtorëve dhe shtresave të tjera shoqërore. Për të mundësuar diçka të tillë nevojitet ndryshimi i kuadrit ligjor (Kodi i Punës dhe Kodi Penal) i cili do të përcaktonte sanksione penale dhe administrative ndaj gjithkujt që kërcënon punëtorët kur vendosin të organizohen në sindikata dhe të hidhen në grevë.

PSE SULMOHET LËVIZJA BASHKË?Ditët e fundit të gjitha bateritë propagandistike janë drejtuar kundër Lëvizjes BASHKË. Edi ...
27/10/2026

PSE SULMOHET LËVIZJA BASHKË?

Ditët e fundit të gjitha bateritë propagandistike janë drejtuar kundër Lëvizjes BASHKË. Edi Rama, deputetë dhe një zogori patro-analistësh kanë gërmuar deri në fund të pusit të gënjeshtrave dhe sharjeve për të nxjerrë çka më të keqe gjuha njerëzore dhe ia mveshur Lëvizjes BASHKË. “Terroristë”, “organizatë e strukturuar kriminale”, “ekstremistë”, “antifa”, “të paguar”, “shfrytëzues të të rinjve”, deri edhe “pedofilë politikë” e shumë të tjera akuza janë lëshuar ndaj nesh.

Konteksti në të cilin na sulmojnë është edhe më i pandershëm se vetë sulmet. Në çdo studio ku sulmohet Lëvizja BASHKË nuk është i ftuar asnjë përfaqësues i saj. Prej të hënës së shkuar asnjë prej përfaqësuesve të Lëvizjes BASHKË nuk ka marrë asnjë ftesë në televizionet kryesore të vendit, pavarësisht se kemi qenë të akuzuarit kryesorë dhe një prej temave më të rëndësishme të debatit publik. Asnjë ftesë nga TV Klani, ftesë e anuluar nga Top Channel-i, asnjë ftesë nga Vizion+, asnjë ftesë nga Euronews-i, asnjë ftesë nga ABC News-i, asnjë ftesë nga A2, madje asnjë ftesë as nga News24. Kë tremb prania jonë? Vetëm qeverinë dhe oligarkinë ekonomike? Apo një rrjetë të tërë interesash të pandershme e cila po rrezikohet të shpërbëhet nga protesta e të rinjve?

Po çfarë thonë kundër nesh? Që jemi ekstremistë të majtë dhe antifa. Mjafton të lexosh programin e Lëvizjes BASHKË dhe të gjitha qëndrimet tona politike prej dhjetorit të 2022 kur jemi themeluar për të kuptuar se idetë tona janë shëndoshë e mirë në terrenin e socialdemokracisë evropiane. Ndonëse nuk kemi dhunuar njeri, rëndom kemi qenë objekt i dhunës policore. Një prej aktivistëve tanë, Klodi Lekës, desh i kanë nxjerrë syrin me plumb gome. Alfred Bushin, profesor universiteti, e kanë rrahur brenda mjediseve të komisariatit 4 me duar të prangosura duke e akuzuar si nxitës të të rinjve në protestë. Shumë e shumë të tjerë kanë ngrënë shkopinj gome, grushte dhe një pafundësi gazi lotsjellës gjatë protestës. Sa për antifa-n, nëse e përkufizojmë në gjerësinë që meriton – pra si antifashizëm – jemi krenarisht antifashistë, siç është e gjithë bota demokratike e përparimtare që prej Luftës së Dytë Botërore. Nëse e përkufizojmë ngushtësisht, siç përdoret nga lëvizjet horizontale dhe radikale të të rinjve nëpër botë, dora në zemër në Shqipëri mungon terreni social për lëvizje të tilla. Asgjë nuk importohet dhe trupëzohet në një vend vetëm se sheh video në rrjetet sociale.
Po të kthehemi tek arsyet se pse sulmohemi. Qeveria e Edi Ramës na ka halë në sy për një arsye të thjeshtë: ekzistenca jonë politike tregon se mund të jesh i majtë pa qenë hajdut, pa qenë shërbëtor i oligarkëve, pa qenë shtypës dhe pa qenë arrogantë, por duke besuar te demokracia e njëmendtë, drejtësia shoqërore dhe respekti për tjetrin. Na sulmon sepse kemi qenë në mes të protestuesve që në Zvërnec, pa na e bërë syri tërr, ndonëse përballë banorëve të Zvërnecit dhe gjithkujt që shqetësohet për mjedisin qëndrojnë një gangster lokal (Artur Shehu), një oligark vendas (Shefqet Kastrati) dhe oligarkë të huaj të drejtuar nga Jared Kushner-i.

Nuk mbetet prapa as PD e Berishës, e cila nuk arrin dot të gëlltisë faktin që shoqëria e ka tejkaluar, që një popull i tërë është ngritur në këmbë me thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg!”. Edhe për ta ekzistenca jonë politike është dëshmi se si mund të bësh opozitë nga pozita të larta morale, me guxim, me aktivizëm dhe me ide, pa iu servilosur oligarkëve dhe pa u premtuar njerëzve se nesër do të kapin një vend pune në doganë për të jetuar në kurriz të të tjerëve. Të çoroditur, nuk kanë lënë rast pa shpifur ndaj Lëvizjes BASHKË, duke na atribuuar pa pikë turpi sulmin ndaj selisë së PD në Shkodër apo incidentin me deputetin Balliu.

Për patro-analistët, fuqizimi i Lëvizjes BASHKË duket i ububushëm pasi e kuptojnë se, nëse idetë tona materializohen në qeverisje, askush nuk do të mund të përfitojë në mënyrë të pandershme. Nuk do të ketë koncesione e leje ndërtimi për oligarkët, të cilët paskëtaj japin në këmbim kohën televizive për propagandë që paguhet shtrenjtë. As borde institucionesh publike ku vipat marrin një rrogë të majme mujore duke parazituar gjithë vitin.

Për të gjithë këta, Lëvizja BASHKË është e frikshme sepse jemi e kundërta e tyre dhe e gjithçkaje që shpifin ndaj nesh. Se idetë tona, edhe sikur të mos realizohen dot drejtpërdrejt prej nesh, tashmë kanë marrë të tillë popullaritet sa do ta orientojnë ligjërimin dhe programet politike për vitet e ardhshme. Se guxojmë të jetojmë në përputhje me parimet që artikulojmë. Se çfarë e duam për veten, e duam barazisht edhe për të tjerët. Se besojmë që njeriu nuk është thjesht më dinakja e kafshëve, por ka një botë shpirtërore e morale që, në kushtet e duhura sociale, na lartëson dhe përfton solidaritet e krijimtari. Se jemi të hapur, pa paragjykime, për çdo qytetar të ndershëm që do ta ndryshojë për mirë Shqipërinë.

27/10/2026

Redi Muçi në Interaktiv në KTV me Eraldin Fazliun!

25/10/2026

Populli po e kupton se pushteti i përket atij!

23/10/2026

Bora Mema në Democracy Now!: "Të rinjtë janë revoltuar, sepse modeli ekonomik i qeverisë nuk u ofron një të ardhme dinjitoze."

NË BASHKIMIN EVROPIAN PA EDI RAMËNLetër e hapur drejtuar Komisionit EvropianEdi Rama e ka humbur legjitimitetin dhe kapa...
21/10/2026

NË BASHKIMIN EVROPIAN PA EDI RAMËN
Letër e hapur drejtuar Komisionit Evropian

Edi Rama e ka humbur legjitimitetin dhe kapacitetin për të qeverisur Shqipërinë. Korrupsioni, kriminalizimi i institucioneve, kapja e shtetit nga oligarkët, autoritarizmi, kontrolli i mediave, dhuna policore e strukturore, si dhe arroganca e pakufi e kanë kthyer atë në rrezikun kryesor të destabilizimit të institucioneve dhe cenimit të paqes sociale në Shqipëri.

Për 140 ditë qytetarët e Republikës së Shqipërisë protestuan paqësisht dhe në përmasa të papara në historinë tonë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe prapësuar ligjet dhe vendimet antishoqërore të qeverisjes së tij. Por më kot. Protestuesve paqësorë qeveria iu përgjigj me kërcënime, demonizim, teori konspiracioni dhe krijimin e një psikoze frike për ndërhyrje nga jashtë. Si çdo autokrat i ditëve tona edhe Edi Rama orvatet ta justifikojë dështimin e qeverisjes së tij dhe kulmimin e pakënaqësisë popullore duke i konsideruar protestuesit si agjentë ose të ndikuar nga agjenturat e shteteve të huaja.

Ditët e fundit protesta qytetare, me iniciativën e studentëve dhe gjimnazistëve, është ashpërsuar, duke sjellë si kundërpërgjigje dhunën e shfrenuar policore, arrestimet e paligjshme (mbi 500 të arrestuar dhe shoqëruar forcërisht)(1), terrorizimin e të rinjve në rrugët e qytetit, si dhe kërcënimet antikushtetuese të sanksioneve ekonomike, sociale dhe arsimore për këdo që guxon të ngrejë zërin kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe padrejtësive sociale.(2)

Këto kohë Edi Ramës i ka rënë përtokë edhe pretendimi i gënjeshtërt se vetëm ai mund të udhëheqë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo nuk ka qenë e vërtetë as në të shkuarën, kur qeverisja e Ramës ka shkelur me të dyja këmbët normat evropiane të demokracisë funksionale, zgjedhjeve të lira e të ndershme(3), lirisë së mediave(4), shtetit të së drejtës (sulmet ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe gjykatësve të GJKKO(5), si dhe mosvotimi i kërkesës për imunitetin e Belinda Ballukut) dhe mbrojtjes së mjedisit. Aq më pak e vërtetë është sot ku Edi Rama ka hequr çdo maskë, e ka shndërruar shtetin në aparat dhune policore dhe ka vërtetuar se është i paaftë për të qeverisur dhe prodhuar stabilitet.

Po ashtu duhet sjellë në vëmendje se gjatë muajve të fundit qeveria shqiptare ka refuzuar të marrë në konsideratë kërkesat e përbashkëta të protestuesve dhe Komisionit Evropian për abrogimin e ndryshimeve të vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike. Në të njëjtën mënyrë, ajo ka shpërfillur kundërshtimin e protestuesve ndaj ligjit për Paketën e Maleve, për rreziqet e të cilit ka paralajmëruar edhe Komisioni Evropian(6).

Lëvizja BASHKË është e të njëjtit mendim me mbi 90% të popullit shqiptar që mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar si nxitës të modernizimit, demokratizimit dhe stabilitetit të vendit. Vlerat themeluese të Bashkimit Evropian mbeten një nga burimet e frymëzimit tonë politik. Ndaj i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të ushtrojë trysninë e tij ndaj Edi Ramës që të tërhiqet nga strategjia e tensionit dhe të pranojë zërin e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që kërkon dorëheqjen e tij dhe të qeverisë.

Çdo proces dialogu politik dhe shoqëror ka kuptim vetëm pas dorëheqjen së parevokueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Lëvizja BASHKË është e gatshme që – pas këtij akti që do të rivendoste paqen sociale – të japë kontributin e saj në procesin e demokratizimit të shtetit shqiptar, si kusht i domosdoshëm për stabilitetin politik dhe shoqëror afatgjatë. Në gjykimin tonë, ky proces do të kërkonte në radhë të parë ndryshime të rëndësishme kushtetuese: prapësimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, që do të rriste kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin, si dhe fuqizimi i të drejtës për referendum nga qytetarët duke ndryshuar nenin 150 të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, nevojiten ndryshime të kuadrit ligjor që lidhet me zgjedhjet dhe funksionimin e partive politike. Këto ndryshime duhet të përfshijnë: a) përmirësimin e ndjeshëm të Kodit Zgjedhor për të siguruar barazinë e përfaqësimit në raport me votën; b) ndalimin e instrumentalizimit politik të nëpunësve dhe burimeve të administratës publike; c) hartimin e një ligji për financimin e partive politike që garanton transparencë dhe përgjegjësi; d) drejtpeshimin e kohës televizive të partive politike gjatë fushatës elektorale. Po ashtu, bazuar te kërkesat me popullaritet të gjerë të protestës dhe në përputhje me mendimin e Komisionit Evropian, duhen abroguar ligjet problematike si ligji 21/2024 për zonat e mbrojtura, ligji për investimet strategjike (55/2015), ligji për Paketën e Maleve (20/2025).

Këto ndryshime kushtetuese dhe ligjore do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve të parakohshme vërtet të lira dhe të ndershme, si asnjëherë më parë në historinë tonë.

Në fund, Lëvizja BASHKË shpreh gatishmërinë që gjatë këtij procesi tranzitor demokratizues të japë kontributin e vet në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u bërë thirrje njëkohësisht qytetarëve, organizmave shoqërore dhe çdo faktori të përgjegjshëm politik të bëhet pjesë e këtij procesi historik.

SHËNIME:
1) https://www.nacionale.com/en/articles/protests-in-albania-167-arrested-7-police-officers-suspended
2) Shih deklaratën e Edi Ramës në mbledhjen e datës 18 tetor me drejtuesit e Policisë së Shtetit: https://www.youtube.com/watch?v=mjfVCpV4eoc
3) Shih Raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2025:https://odihr.osce.org/sites/default/files/documents/official_documents/2026/05/ALB%20Parliamentary%202025%20Final%20Report_23.10.2025.pdf
4) Shih “2026 Rule of Law Report Country Chapter on the rule of law situation in Albania” të Komisionit Evropian:https://commission.europa.eu/document/download/3f6405bc-f071-4e6c-a2b1-212832d588fe_en?filename=Country%20chapter%20-%20Albania-EN.pdf
5) Shih European Commission, Albania 2025 Report, SWD(2025) 750 final, fq. 28. https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en
6) Shih European Commission, Albania 2025 Report, SWD(2025) 750 final, fq. 84 https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en

18/10/2026

Policia e Shtetit mësyn në Sheshin Skënderbej, mes protestuesve paqësorë!

01/10/2026

SËRISH DHUNË E PAJUSTIFIKUAR POLICORE

Sot policia ka ushtruar dhunë dhe ka marrë forcërisht gjashtë aktivistë të Lëvizjes BASHKË: Anxhela Nasto, Bora Mema, Alfred Bushi, Emiljando Kita, Besart Maçi dhe Roelio Fasho.

Aktivistët ishin afruar paqësisht që t'i tregonin me pankarta Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian me një kryeministër të korruptuar si Edi Rama.

Ne besojmë në vlerat themeluese të Bashkimit Evropian si demokracia, shteti i së drejtës dhe solidariteti social, të gjitha këto të shkelura me këmbë nga qeveria e korruptuar dhe autoritariste e Edi Ramës.

Dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian janë solidarizuar këta muaj me Revolucionin e Flamingove pikërisht në emër të këtyre parimeve dhe vlerave.

Ne presim që Komisioni Evropian të ngulë këmbë seriozisht në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, abrogimin e ligjeve famëkëqija si ai 21/2024 për zonat e mbrojtura, ligji i investimeve strategjike dhe Paketa e Maleve, lirinë e tubimeve paqësore, si dhe të respektojë vullnetin e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që përmes protestave historike kërkon rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar dhe përmbysjen e një sistemit të vjetër e të kompromentuar politik.

24/09/2026

SOT PUSHTETI IU PËRGJIGJ EDHE NJË HERË PROTESTËS QYTETARE ME POLICI, FORCË DHE NDALIME

Gjatë protestës së sotme janë shoqëruar dhe ndaluar aktivistet e Lëvizjes BASHKË, Kristiana Kola, Ferdez Onuzi, Loreta Koleci, Flavia Osmani dhe Anxhela Nasto. Janë ndaluar gjithashtu pedagogët e Universitetit Politeknik të Tiranës Oltion Fociro dhe Ana Fociro, si dhe qytetarët e aktivistët Edison Lika, Dritan Goxhaj dhe Eri Almeta.

Përveç tyre, kemi informacion për dhjetëra qytetarë të tjerë të shoqëruar, emrat e të cilëve ende po verifikohen.

Ajo që po ndodh sot nuk mund të trajtohet si një episod i zakonshëm policor. Lëvizja BASHKË kërkon sqarimin e menjëhershëm të rrethanave të çdo ndalimi, lirimin e qytetarëve ndaj të cilëve nuk ekziston bazë ligjore për mbajtjen e tyre dhe hetimin e çdo rasti të përdorimit të paligjshëm të forcës.

Përgjegjësia politike për mënyrën se si po reagon shteti ndaj protestës i takon qeverisë.

Lëvizja BASHKË kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Një qeveri që përballet me pakënaqësinë qytetare duke shtuar kordonët policorë, shoqërimet dhe forcën nuk e zgjidh krizën politike; vetëm e thellon atë.

Policia nuk mund të përdoret si mburojë politike e qeverisë. Protesta nuk shuhet dot me dhunë!

11/09/2026

SHUMË VONË, SHUMË PAK DHE ME HILE!

Address

Rruga Islam Petrela Nr. 92
Tirana
1000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Lëvizja BASHKË posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Lëvizja BASHKË:

Shortcuts

Share