22/10/2026
Ekspeditë Vjeshtore në Meteora 🪨
Të dashur miq,
Ju njoftojmë se Klubi Alpin Prishtina organizon ekspeditën vjeshtore 2 ditore në Meteora të Thesalisë në Greqi. Ekspedita ka karakter të theksuar kulturor, por përfshin edhe shtegtim turistik, shoqërim, vizita turistike dhe informim për rajonin. Ajo zgjat dy ditë (e shtunë dhe e diel) dhe do të zhvillohet më 7 dhe 8 nëntor 2026.
Gjatë këtij rrugëtimi do të vizitohen vende me rëndësi të veçantë natyrore dhe kulturore të Thesalisë, me theks te formacionet monolite të Meteorës dhe Manastiret e UNESCO-s, Shpellat Eremite, Kalampaka dhe Kastraki.
Pjesëmarrja është e hapur, shtegu është i përshtatshëm edhe për fillestarë, prandaj ju inkurajojmë t’i bashkoheni këtij përjetimi.
Ftesa vlen për të gjithë të interesuarit që e shohin veten pjesë të kësaj ekspedite (anëtarë të KAP, bjeshkatarë, studentë, studiues, natyralistë, fotografë, qytetarë të huaj, anëtarë të klubeve dhe shoqatave të tjera, etj.).
Detajet e organizimit:
📆 Nisja: e shtunë, 7 nëntor 2026, në ora 05:00 në mëngjes
📆 Kthimi në Prishtinë: e diel, 8 nëntor 2026 / rreth orës 22:00
📍 Vendi i nisjes: Stacioni i Trenit në Prishtinë
🚌 Transporti: autobus komod
💵 Çmimi: 150 € (parapagimi duhet të bëhet në momentin e rezervimit)
Përfshihen: transporti, akomodimi, guidimi, darka e së shtunës, mëngjesi i së dielës dhe pakoja e ushqimit.
Si të rezervoni:
☎️ Tel: +383 44 889 519 (SMS, Viber, WhatsApp)
📩 E-mail: [email protected]
Vëmendje: Rezervimet mbyllen sapo të plotësohet numri i pjesëmarrësve, prandaj të gjithë të interesuarit të rezervojnë sa më parë, për shkak të organizimit!
ℹ️ Rreth Meteorës
Formacionet shkëmbore të Meteorës gjenden në Thesalinë, në Greqinë Qendrore, mes lumit Pineios dhe maleve Pindus, afër qytetit Kalampaka dhe fshatit historik Kastraki. Është një formacion masiv gjigant, i përbërë nga shtylla shkëmbore monolite, ku gjenden shpella me gjurmë njerëzore 50.000 vjeçare. Në mesjetë u ndërtuan 24 manastire, nga të cilat sot ekzistojnë 5, ndërsa manastiri kryesor do të vizitohet. Vlerat e jashtëzakonshme të këtij territori, shpellat eremite antike, manastiret “e varura në qiell” dhe sensi i thellë shpirtëror e kanë bërë atë trashëgimi botërore të UNESCO-s.
Është një nga vendet më të vizituara në botë, ndërsa guidat e KAP kanë përgatitur shtegun 10 km që përshkon gjithë Meteorën, manastiret, shpellat, fshatrat e vjetër dhe magjinë e monoliteve masive të këtij rajoni.
ℹ️ Itinerari
Dita I - E shtunë, 7 nëntor 2026
Nisja bëhet në ora 05:00 nga Stacioni i Trenit në Prishtinë, në relacionin Prishtinë, Shkup, Gjevgjeli, Kalampaka - Meteora. Pas mbërritjes në Kalampaka akomodohemi dhe pastaj kemi kohë të lirë për pushim dhe për të njohur vendin.
Dita II - E diel, 8 nëntor 2026
Pas mëngjesit fillon ecja nëpër Kastraki dhe Meteora. Ecja është e lehtë dhe e kombinuar me natyrë, formacione shkëmbore, manastire eremite dhe shpella të mbrojtura si monumente. Vizitohet kompleksi i manastireve Megali Meteoron sipas programit, ndërsa ecja përfundon në rrethinat e Kalampakës. Pas përfundimit nisemi për në Kosovë.
👥 Guidat e ekspeditës: Kristian Gashi dhe Florent Shala