28/10/2026
AME/MPB dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për avancimin e bashkëpunimit dhe menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë
Prishtinë, 28 Tetor 2026
Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme (AME/MPB) dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet komunitetit akademik dhe institucioneve përgjegjëse ekzekutive për menaxhimin emergjent në Republikën e Kosovës.
Memorandumi krijon një kornizë bashkëpunimi për avancimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, parandalimin dhe zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen, përmes shfrytëzimit të njohurive shkencore, teknologjive të avancuara kompjuterike dhe sistemeve satelitore të vrojtimit të Tokës.
Bashkëpunimi synon gjithashtu forcimin e kapaciteteve institucionale në nivel qendror dhe lokal, përmirësimin e analizës dhe shkëmbimit të të dhënave, si dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në dëshmi dhe të dhëna shkencore, në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane e ndërkombëtare.
Memorandumi u nënshkrua nga U.d. Drejtori Ekzekutiv i AME-së MPB , z. Shefki Abdullahu, dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.
Një mundësi e rëndësishme për konkretizimin e këtij bashkëpunimi paraqet edhe projekti i përbashkët “KOS-ARISE”, i financuar nga Bashkimi Evropian, ku koordinator i projektit është Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ndërsa përfitues është edhe Universiteti i Prishtinës që nga shtatori 2026. Projekti fokusohet në përdorimin e teknologjive satelitore dhe të vrojtimit të Tokës për mbështetjen dhe avancimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.
AME/MPB e vlerëson këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së kërkimit shkencor në shërbim të ngritjes cilësore për nevojat operacionale të menaxhimit emergjent, duke synuar zhvillimin e zgjidhjeve inovative, forcimin e gatishmërisë institucionale dhe rritjen e aftësisë ripërtëritëse të komuniteteve përballë rreziqeve nga fatkeqësitë.
Ky memorandum riafirmon përkushtimin e AME-së për të promovuar partneritete të qëndrueshme me institucionet akademike, në funksion të mbrojtjes së jetës, pronës, mjedisit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.