28/10/2026
ARKEP dhe MINTI bashkërendojnë veprimet për inspektime të përbashkëta
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe institucionet e tjera relevante, do të mbështesë aksionin ndërinstitucional të inspektimeve të përbashkëta për mbikëqyrjen e tregtisë online dhe ofrimit të shërbimeve postare që ndërlidhen me këtë veprimtari, i cili fillon më 2 nëntor 2026.
Në kuadër të përgatitjeve për këtë aksion, kryetari i Bordit të ARKEP-it, z. Nazim Rahimi, së bashku me z. Sejdë Tolaj, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, dhe znj. Marcelë Restelica Ponosheci, drejtore e Departamentit Ligjor, pritën në takim z. Fatban Bunjaku, zv.ministër MINTI, z. Ali Tafarshiku këshilltarë i Ministres Kusari-Lila dhe zyrtarë të IQMT-së.
Takimi kishte karakter koordinues dhe përgatitor, ku u diskutua për rëndësinë e mbikëqyrjes së tregtisë online, përfshirë aspektet që ndërlidhen me transportimin dhe dorëzimin e dërgesave përmes ofruesve të shërbimeve postare, me qëllim të zbatimit të legjislacionit në fuqi, mbrojtjes së konsumatorëve dhe promovimit të një tregu të rregullt, transparent dhe të përgjegjshëm.
ARKEP konfirmoi gatishmërinë për të kontribuar në këtë aksion në përputhje me mandatin dhe kompetencat e tij ligjore, duke përfshirë edhe angazhimin e inspektorëve përkatës për mbikëqyrjen e çështjeve që bien në kuadër të fushëveprimtarisë së tij rregullative.
ARKEP vlerëson se koordinimi ndërinstitucional është i një rëndësie të veçantë për rritjen e efektivitetit të mbikëqyrjes së tregtisë online, përfshirë procesin e transportimit dhe dorëzimit të dërgesave postare nga ofruesit e këtyre shërbimeve, si dhe për garantimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve në përputhje me legjislacionin në fuqi.
ARKEP mbetet i përkushtuar për përmbushjen e mandatit të tij ligjor, me qëllim sigurimin dhe zbatimin e plotë të kornizës ligjore në fuqi..
Prishtinë, 28 tetor 2026.